E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria heton protestuesit e 21 janarit, harron ushtruesit e dhunës

Në vend që të hetohen ata që kryen katër vrasje më 21 janar dhe ata që ushtruan një dhunë barbare ndaj protestuesve, prokuroria shqiptare është marrë pikërisht me këta të fundit.

Sipas disa mediave shqiptare, prokuroria ka mbyllur hetimet ndaj 10 protestuesve, të cilët i akuzon për kundërshtim të punonjësve të policisë më 21 janar.

Por, deri më tani, prokuroria nuk ka nxjerrë asnjë përfundim mbi dhunën dhe torturat që u ushtruan ndaj protestuesve në komisiaratet e policisë.

Kjo gjë është evidentuar edhe nga ana e Komitetit të Parandalimit të Torturës së Këshillit të Europës, që në një raport kërkon hetim urgjent për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në komisiarate.

Pak ditë më përpara, ky komitet lëshoi një deklaratë ku u shpreh se protestuesit u vranë jashtë perimetrit të sigurisë. Por raporti i plotë nxjerr në pah dhunën shtazarake që është ushtruar mbi demonstruesit e 21 janarit.

Për këtë arsye, Komiteti ka kërkuar që brenda tre muajsh të ketë hetim për këtë dhunë dhe më pas të ketë një përgjigje për veprimet konkrete. Delegacioni i Këshillit të Europës ka mbetur i befasuar sidomos nga dhuna e ushtruar në burgje.

Pavarësisht të gjitha këtyre, prokuroria duket se nuk ka ndërmarrë asnjë hetim dhe është duke u marrë me hetimin e protestuesve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›