Dje, në palcën e lagur të Gërdecit

Ndërkohë që në fshatin e tragjedisë të dalin parasysh vetëm tabela paralajmëruese, fshati ngjitur, Marqinet, po rikthehet në normalitetin e tij
TIRANË - Ajo çka të ofronte dje Gërdeci, tashmë jo vetëm i shkatërruar, por i përbaltur e i lagur deri në “palcën e tij” të dalë sheshit, janë vetëm tabela paralajmëruese, të vendosura në zonat më të rrezikshme dhe shtëpitë gërmadha. Edhe pse situata në pamje duket e qetë, askush nuk ka nisur ende të banojë në shtëpitë e mbijetuara. Rrugëve të Gërdecit, të cilat nuk janë më të pakalueshme si në ditët e para pas shpërthimit, ka paksa banorë, të cilët mbledhin dita-ditës sendet që kanë arritur të shpëtojnë pa u shkatërruar. Me trasta në duar, pasi kontrollojnë çdo cep të asaj pjesëze shtëpie të mbetur, nisen më pas larg Gërdecit. Në zonën e shtëpive afër vatrës së shpërthimit, shpresat për të gjetur ndonjë send të vlefshëm nuk ekzistojnë pothuajse fare. Ndërsa territori pranë ish-fabrikës vazhdon të mbetet i padepërtueshëm. Forcat ushtarake mbikëqyrin të gjithë zonën, e cila është e mbushur me tabela që të paralajmërojnë rrezikun që mbart çdo cep i saj. Një sfond ndryshe paraqitet në fshatin e Marqinetit, shumë pranë Gërdecit. Edhe pse i ndan pothuajse vetëm një rrugë me asfalt, dëmet materiale duken më të pakta dhe jeta duket se ka nisur sërish për banorët e këtij fshati. Përveç xhamave e dyerve të cilat nuk mundën t’i shpëtonin shpërthimit, duket se shtëpitë janë në një gjendje më të mirë dhe se zona nuk i ngjan një beteje të pasluftës. Pas tmerrit të përjetuar, banorët i janë kthyer normalitetit. Në oborret e shtëpive dhe në rrugicat e fshatit ambienti i përafrohet më tepër një vendi të banueshëm. Njerëzit shprehen se janë më të qetë dhe se jeta e tyre, edhe pse me vështirësi, vazhdon normalisht. Por në kundërshtim me qetësinë e rifituar, banorët e Gërdecit që rikthehen për t’u kujdesur për banesat e tyre, kanë akoma shenja lodhjeje dhe trishtimi. Të strehuar kush tek të afërmit, e të tjerë tek qendra të evakuimit, nuk mund të braktisin dot shtëpitë e tyre, edhe pse janë bërë të pabanueshme. Dëmet e shpërthimit nuk janë të vetmet, pasi zona të infektuara paralajmërohen nga ekspertë që kanë kontrolluar zonën. Pa energji, pa ujë të pijshëm pa një çati mbi kokë e frikën e kufomave të tjera nën rrënoja... rikthimi në normalitet mbetet i vështirë për t’u menduar.