Prokuroria kërkon 25 vjet burg për të arratisurin nga burgu, Ilir Paja
I akuzuar për plagosjen e 2 agjentëve të policisë, ndërkohë që tentohej të arrestohej për llogari të drejtësisë italiane, deklarohet fajtor dhe kërkohet dënimi i tij me 25 vite burg. Prokuroria e Krimeve të Rënda, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, deklaroi dje fajtor dhe kërkoi nga togat e zeza dënimin me 25 vite burg për të pandehurin Ilir Paja, i njohur për arratisjen nga burgu italian dhe plagosjen e dy agjentëve të policisë në Kinostudio, në përpjekje për ta arrestuar për llogari të drejtësisë italiane. Arrestimi i Pajës ka ndodhur dy vjet më parë, në orët e paradites, kur dy agjentë të policisë kanë tentuar të bllokojnë largimin e Pajës me automjetin e tij, pasi ky i fundit pikasi se po ndiqej nga policia. I pandehuri Paja i ka vënë përpara me makinë dy agjentët, njëri prej të cilëve u plagos mjaft rëndë, saqë është dashur ndërhyrja në një spital të specializuar në Itali për të shpëtuar jetën e tij. Operacioni për kapjen e Ilir Pajës, pas informacionit të dhënë nga shërbimet sekrete policore italiane, u zhvillua në mes të ditës më 6 mars 2008, pranë spitalit “Nënë Tereza”. I shumëkërkuari i arratisur nga burgjet italiane bëri rezistencë, duke u përpjekur të shpëtonte e për pasojë një nga agjentët mbeti i plagosur rëndë.