E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Prova të reja për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit

Prova të reja për zbardhjen e shkakut të tragjedisë së Gërdecit. Gjetja e mbetjeve të një saldatriçeje në shtëpinë ku kryente saldimin punëtori Qemal Deliu, bën që Prokuroria t’i mëshojë edhe më tepër tezës së saj, se shpërthimi ndodhi për shkak të një karroce të salduar dhe rrëzon pretendimet e të pandehurit Minxholli apo ish-ministrit Mediu se ka pasur sabotim në fabrikë. Në seancën e djeshme, e cila filloi me 1 orë e gjysmë mungesë për shkak të vonesës së një avokati, grupi i prokurorëve kërkoi që gjykata të merrte një provë të re në administrim, atë të gjetjes së mbetjeve të një saldatriçeje në shtëpinë e Qemal Deliut, provë që provon se shpërthimi ndodhi për shkak të karrocës të saposalduar. Madje, duke kërkuar që të zhvillohen hetime të mëtejshme për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe marrjen e kësaj prove. Përfaqësuesi i akuzës i konfirmon trupit gjykues se më 8 janar të këtij viti, forcat e ushtrisë që punojnë ende për rehabilitimin e zonës kanë gjetur një mbetje saldatriçe afër banesës, thuajse të shkatërruar, të një prej viktimave të tragjedisë, Qemal Deliut. Prokuroria deklaron se ky është një element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e procesit dhe kërkoi që kjo të administrohet si provë në dosjen hetimore. Por, trupi gjykues vlerësoi se do japë një vendim pas paraqitjes së argumenteve me shkrim nga ana e organit të akuzës. Prova e paraqitur në seancën e djeshme mund të hedhë plotësisht dritë mbi faktin se Gërdeci ishte një aksident teknologjik.

Minorenët: Kemi parë disa raste zjarri në fabrikë

Minorenët e punësuar në fabrikën e demontimit të fishekëve dhe predhave në Gërdec kanë qenë dëshmitarë të radhës në procesin gjyqësor, në ngarkim të 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e ndodhur në këtë vend. Ata kanë dëshmuar me detaje punësimin në këtë të ashtuquajtur fabrikë, punën që bënin, kushtet në të cilat punonin, masat e sigurisë të marra nga drejtuesit për shuarjen e zjarrit dhe nëse kishin një kontratë pune apo kishin firmosur diçka të ngjashme në kohën që janë punësuar. “Kemi firmosur një kontratë, letër e bardhë ishte në fakt”, - rrëfen për “standard” një nga minorenët, Lulëzim Murati, i cili në kohën kur është punësuar në fabrikë nga Dritan Minxholli ishte vetëm 14 vjeç. Por, në fakt në sallën e gjyqit, 16-vjeçari, me praninë e psikologes ka dhënë shpjegime rreth punës në fabrikë, por pa specifikuar se ç’përmbante kontrata që tha se kishte firmosur kur u punësua. “Sapo kisha mbushur 14 vjeç, kur u punësova në fabrikë. Shkova takova vetë drejtorin Dritan Minxholli, i cili pranoi të më merrte në punë dhe urdhëroi punësimin tim në sektorin e paketimit të barutit, punë me orë dhe me rrogë bazë. Aty punova gjashtë muaj dhe më pas u largova”, - ka dëshmuar para togave të zeza dëshmitari minoren, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve të çështjes. Më tej, 16-vjeçari Murati dëshmoi se kishte firmosur një kontratë kur ishte punësuar dhe ishte njohur me rregullat e punës, kjo e fundit i ishte bërë e ditur nga shef i tij, Vangjeli. Më pas, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, Murati shtoi se në fabrikë kishte parë specialistë të huaj dhe këtë e kishte kuptuar se nuk flisnin shqip. Ndërsa Mihal Delijorgjin, ai deklaroi se e kishte parë në fabrikë ndonjëherë kur vinte dhe i kishte qëlluar që ta shihte ndonjë pasdite kur për disa minuta ai rrinte, shihte si punonin grupet e punësuara. Ndërsa lidhur me kushtet e sigurisë teknike në rast zjarri, minoreni u shpreh se pranë çdo makinerie kishte kova uji për shuarjen e zjarrit apo disa pompa të vogla që përdoreshin për të njëjtën gjë. Minoreni i dytë që dëshmoi në seancën e djeshme ishte vëllai i viktimës, Zelie Leti, Egnoni. Ai ishte vetë një ish-i punësuar në fabrikë dhe që kishte punuar vetëm disa muaj në paketimin e barutit dhe demontimin e fishekëve. “Shkova vetë dhe kërkova te Minxholli të punësohesha. Herë punoja me normë dhe herë me rroga bazë. Pagat merreshin një herë në muaj dhe çdo muaj firmosnim mbi një letër të bardhë, ku shkruam emër, mbiemër dhe firmën tonë. Nuk dimë pse na kërkohej një gjë e tillë”, - dëshmoi 18-vjeçari Leti. Ndërsa pyetjes nëse kishte dijeni për një rregullore për sigurinë teknike dhe a kishin parë një të tillë, Leti iu përgjigj se rregullat e punës ua kishte shpjeguar shef Vangjeli, ndërsa përherë kishin firmosur në një letër të bardhë. Një fakt tjetër interesant i dëshmuar nga dëshmitari Leti, i cili në kohën që punonte në fabrikë ishte 16 vjeç, ishte rënie e zjarrit disa herë në fabrikë dhe frikësimin e punonjësve të saj. “Kemi qenë të frikësuar kur binte zjarri, fillimisht hezitonim, por më pas merrnim kovat dhe e shuanim”, - u shpreh 18-vjeçari Leti.

Minxholli

Drejtësia selektoi personat përgjegjës për Gërdecin

Në fund të dëshmive të dy minoreneve, Dritan Minxholli, ish-drejtor i fabrikës së demontimit ku ndodhi shpërthimi, deklaroi se “punësimi i fëmijëve në fabrikë është vetëm përgjegjësia ime personale. Arsyeja e punësimit të tyre, konkretisht rreth 16 personave, ishte gjendja e rëndë ekonomike e tyre dhe kërkesat e shpeshta të familjarëve të tyre që ma kërkonin një gjë të tillë. Ky grup pune nuk ka qenë në procesin bazë, por në ato anësore, ndihmëse, edhe pse janë paguar nga 300 mijë lekë në muaj”. Më tej, në deklarimet e tij, ish-drejtori i fabrikës ka deklaruar se rasti i këtyre minoreneve të punësuar ishte një mundësi sezonale punësimi, për shkak të nevojave ekonomike. “Punësimi i tyre nuk ka qenë për shfrytëzim apo keqtrajtim”, - u shpreh ai. Në përfundim të deklarimeve, Minxholli u shpreh se “drejtësia ka selektuar personat përgjegjës në tragjedinë e 15 marsit në Gërdec”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›