Dëshmia e Gazidedes: Fajtorët, para ligjit nëse kanë ushtruar dhunë
Për herë të parë lexohen deklarimet e dhëna nga ish-kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, lidhur me rrëmbimin e Rezmi Hoxhës
Për herë të parë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është lexuar çfarë dinte për rrëmbimin e shqiptaro-maqedonasit ish-kreu i SHIK-ut në atë kohë, Bashkim Gazidede. Në deklarimet e dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore para vdekjes, Gazidede ka rrëfyer me detaje si funksiononte institucioni që drejtonte, si mori dijeni për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, pse refuzoi takimin me të afërmit e tij, a njihej me të pandehurit dhe çfarë mendonte ai se duhej bërë me fajtorët, nëse rezultojnë të tillë. Fillimisht prokurori i çështjes ka dorëzuar certifikatën e vdekjes së Bashkim Gazidedes, i cili ishte thirrur si dëshmitar në këtë proces. Më pas, prokurori vijoi me leximin e procesverbalit që mban datën 3 tetor të dy viteve më parë, konkretisht 3 tetor 2006. Në deklarimin e tij, Gazidede u tregonte me detaje dy prokurorëve mënyrën se si funksiononte Shërbimi Informativ në atë kohë. Sipas tij, SHIK ka shërbyer në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Çdo dokument dublohej, ku njëra drejtohej në qendër dhe tjera mbahej në bazë. Sipas deklarimeve të dhëna nga Gazidede, nëse në SHIK kishte informacione që një person merrej me një aktivitet kriminal, atëherë për këtë të fundit hapej një fashikull përkatës, ku edhe nisnin verifikimet. “Në vitin 1995, në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë, drejtues ka qenë Arben Sefgjini. Ne nuk kemi pasur kompetencë për të shoqëruar persona, aq më tepër me dhunë”, - mësohet të ketë deklaruar Gazidede 2 vjet më parë. Më tej, ai shpjegonte se në të tilla raste ata binin në kompromis me personin, ku më pas e shoqëronin në një vend sekret për ta marrë në pyetje. Sipas shpjegimeve të dhëna nga Gazidede, dokumentimi bëhej ose nëpërmjet regjistrimit, ose filmimit. Ndërsa më tej ai shpjegonte se në raste spiunazhi, SHIK vepronte duke ndjekur personin në fjalë hap pas hapi, për të verifikuar veprimtarinë e personit në fjalë. “Në asnjë rast nuk e kishim të drejtën e shkeljes së lirisë së personit, as me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm”, - shpjegonte më tej Gazidede. I pyetur në atë kohë nëse kishte pasur dijeni për shoqërimin e Avdyl Loshaj në bazën e SHIK-ut Tiranë, Gazidede ishte përgjigjur se nuk kishte pasur dijeni. “Më kanë ardhur vëllezërit e Remzi Hoxhës, por nuk i kam pritur se më kanë akuzuar publikisht”, - ka deklaruar Gazidede, duke shpjeguar edhe arsyet pse refuzoi në atë kohë pritjen e familjarëve të të rrëmbyerit. Ndërsa për shoqërimin në Vajin të Lezhës së tre personave, mësohet se ish-kreu i SHIK-ut kishte marrë dijeni vetëm nga mediat. Sipas Gazidedes, nga i ndjeri Pjetër Arbnori i ishte kërkuar informacion për çështjen e Remzi Hoxhës, ndërsa nga Prokuroria e Përgjithshme verifikim për një targë që dyshohej të kishte rrëmbyer shqiptaro-maqedonasin. Gazidede kërkonte gjatë dëshmisë së tij që Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro të dilnin para ligjit. “Prokuroria duhet të marrë masa ndaj personave që ushtrojnë dhunë. Dhe, meqë e kanë bërë shoqërimin me dhunë, duhet të përgjigjen para ligjit”, - ka deklaruar ai gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët. Në fund të deklaratës së tij, Gazidede sqaronte akuzat e ngritura nga Fatos Klosi, i cili e kishte akuzuar këtë të fundit se muret e SHIK-ut ishin të përgjakura me gjakun e Remziut, për të cilin ai kishte kërkuar që t’i drejtohej prokurorisë.
Shpëtim Pasholli
Prokurori Xhevat Hana ka kundërshtuar dje tërësisht deklarimin e dhënë nga ana e dëshmitarit Shpëtim Pasholli përpara gjykatës. Sipas prokurorit Hani, dëshmitari në datën 10 shtator të vitit 2003 është pyetur nga oficeri Kastriot Skënderaj dhe prokurori Përparim Hasa. Në deklarimet e tij, ai ka bërë me dije se me urdhër të shefit të tij, Avni Koldashi, kishin shkuar te pazari i ri, te një firmë. “Avniu më tha ta mbaja ndezur makinën dhe dyert hapur. Aty morën me forcë një person dhe pasi e futën me dhunë në makinë, Avniu më tha ik drejt Kazmës”, - mësohet të ketë deklaruar 5 vite më parë përpara prokurorisë dëshmitari. Më tej, dëshmitari kishte shpjeguar se pasi kishin arritur në Kamëz, Koldashi i kishte kërkuar që të ndalonte para makinës, fuoristradë e errët. Aty mësohet se kishin lënë Remzi Hoxhën dhe së bashku me Koldashin dhe me dy persona, Bajram Budica dhe Riza Shahu, ishin rikthyer sërish në Tiranë, tek firma ku kishin marrë disa dokumente në makinë.
Halit Shamata
“Nuk mbaj mend. Kanë kaluar 13 vjet që prej ngjarjes. Nuk mundem të kujtoj nëse Presidenca më kërkoi informacion për Remzi Hoxhën”. Këto kanë qenë deklarimet e dhëna dje nga zv.ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, i thirrur për të dëshmuar rreth disa korrespodencave të tij kur ka qenë ministër i Brendshëm me Presidencën e Republikës në kohën kur u rrëmbye Rezmi Hoxha. Në deklarimet e tij, Shamata ka shpjeguar se nuk mbante mend asnjë, pasi kishte kaluar shumë kohë. I pyetur nga prokuroria për një kërkesë drejtuar atij mbi arrestimin e punonjësit të komisariatit numër 3, Zograf Çala, i akuzuar për rrëmbim personi, Shamata është përgjigjur që nuk i kishte ardhur një shkresë e tillë.