Zjarri në magazinë, merren në pyetje dëshmitarët
Do të duhen disa javë në përfundimin e hetimeve dhe për të përcaktuar vlerën reale të dëmit
Kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit në magazinat e firmës “Henri” sh.p.k., ndërsa do të duhet mbi një muaj për të zbardhur të vërtetën dhe për të përcaktuar vlerën reale të dëmit.
Hetuesit kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë dhe punëtorë, të cilët kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, gjatë momentit të nisjes së zjarrit. Hetuesit dyshojnë se ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme, për shkak të konkurrencës, ajo që ka shkaktuar dëmet e mëdha. Megjithatë, Sektori i Krimeve Kundër Pronës po heton edhe një pistë tjetër, atë të nisjes së zjarrit si pasojë e një shkëndije elektrike. Po merren në pyetje dëshmitarët e ndryshëm, ndërsa po këqyret zona përreth ndërtesës. Ende hetuesit nuk janë futur në të gjithë magazinat, pasi vetëm ditën e djeshme u arrit që të shuhen plotësisht flakët. Sipas pronarit të firmës, dëmi mendohet të jetë rreth 2 milionë euro, megjithatë do të duhet edhe ca kohë që ekspertët të japin vlerën reale të dëmit, pas përcaktimit të vlerës së ndërtesës dhe materialeve që gjendeshin brenda.
Në zonën e kompanisë hidro-sanitare “Henry” sh.p.k., nga zjarri i fuqishëm që përfshiu magazinat janë lënë pasoja shkatërruese. Tashmë aty ka mbetur vetëm hiri i pajisjeve hidro-sanitare që ishin brenda në magazinë. Zjarri gjigant i ditës së hënë ka sjellë panik të madh tek njerëzit, ndërsa zjarrfikësit nga Tirana, Durrësi, Kruja e Lezha u janë dashur rreth 7 orë lufte me flakët për t’i shuar.
Magazina e firmës “Henry” sh.p.k. ka filluar që të marrë flakë rreth orës 13:00. Flakët kanë filluar të përhapen me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punëtorëve që ndodheshin aty. Në ndërtesë ishin rreth 20 persona. Menjëherë janë njoftuar zjarrfikësit, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje. Ata kanë evakuuar personat e ndodhur në ndërtesë dhe kanë nisur nga puna për shuarjen e flakëve. Në vendngjarje shkuan katër makina zjarrfikëse, të cilat nisën nga puna për shuarjen e flakëve. Flakët filluan që të përhapen edhe më, kjo nisur edhe nga fakti se materialet brenda në magazinë merrnin flakë shpejt. Duke parë përkeqësimin e situatës, policia bllokoi lëvizjen e makinave në autostradë. U kërkua ndihma e mjeteve të tjera zjarrfikëse, të cilat erdhën nga Durrësi dhe Kruja. Numri i tyre në vendngjarje shkoi në nëntë. Rreth orës 16:00, gjendja vazhdonte të ishte e vështirë, pasi flakët rrezikonin ndërtesat e tjera, si dhe stacionin elektrik të Kasharit. Nisur nga kjo, u ndërpre energjia elektrike në të gjithë zonën, për të shmangur një përkeqësim të situatës. Pas djegies së magazinës, flakët kanë përfshirë dhe një tjetër ndërtesë ngjitur. Pas disa orësh “luftë” me flakët, zjarrfikësit kanë arritur që të lokalizojnë flakët, por vetëm ditën e djeshme është arritur që ato të shuhen plotësisht.
Greqi, arrestohen tre shqiptarë me 91 kg kanabis sativa
Policia greke ka arrestuar tre shqiptarë, të cilët ishin duke transportuar 91 kg kanabis sativa. Ata janë vënë në pranga në rrugën nacionale të fshatit Vasiliko të zonës së Pogonisë, afër kufijve shqiptarë. Një patrullë policie e forcave të kufirit të Janinës ka parë dy makina me të cilat ishin duke lëvizur shqiptarët dhe pas kontrollit të bërë, atyre iu janë gjetur 80 pako me hashash me një peshë të përgjithshme prej 91 kilogramësh.
Sipas informacioneve të antidrogës greke, sasia e lëndëve narkotike ishte futur në tokën greke nga kalime të fshehta të kufirit nga bashkëpunëtorë të tre trafikantëve dhe më pas ishte sistemuar në makinat e tyre.
Tre të arrestuarit janë çuar në Prokurorinë e Janinës, ku u është dhënë akuza për trafikim të lëndëve narkotike dhe më pas janë çuar në dhomat e paraburgimit. Sipas hetuesve, shqiptarët synonin që drogën ta transportonin në Athinë, ku më pas do të shitej.