E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot shqyrtohet apelimi i Prokurorisë së Përgjithshme për Tomën dhe Telitin

Apeli

Gjykata e Apelit do të shqyrtojë sot apelimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme për vendimin e dhënë nga togat e zeza të Shkallës së Parë për Armand Telitin e Andi Tomën, të cilët kundërshtonin zgjatjen e afateve hetimore për çështjen “Durrës-Kukës”. Ndërkohë që gjykata pritet të shqyrtojë sot këtë kërkesë të organit qendror të akuzës, pritet që këtë javë prokurori Arben Kraja të dorëzojë edhe dosjen hetimore për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Po këtë javë pritet që për këtë dosje hetimore të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës kërkesa e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i cili kundërshton thirrjen nga akuza dhe fletëthirrjen e dërguar, kërkesë që pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari ditën e nesërme, më 4 dhjetor. Gjyqtarja Fatmira Hajdari ka caktuar orën 12:30 për të zhvilluar kërkesë-padinë e bërë nga ana e Bashës. Kjo javë do të jetë java e shqyrtimit të kërkesave të ndryshme në dy gjykata, të cilat janë kundërshtuese për njëra-tjetrën. Ndërkohë që, nga pala e të akuzuarve, veprimet e prokurorisë janë konsideruar tërësisht politike dhe të parregullta nga ana procedurale. Disa ditë më parë avokati mbrojtës i të pandehurit Lulzim Basha, Zef Nikaj, depozitoi një kërkesë padi mbi prokurorinë. Në këtë kërkesë-padi, mbrojtja kërkon pavlefshmërinë e akteve procedurale. Kështu objekti i padisë të bërë në ngarkim të prokurorisë mbështetet në paragrafin e dytë të nenit 128 të Kodit të Procedurës Penale. Ky nen përcakton se aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme, kur respektohen dispozitat që lidhen me të drejtën e prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesëmarrjen në procedim. Më tej, në ligj thuhet se absolutisht të pavlefshme aktet janë edhe kur kanë të bëjnë me thirrjen e të pandehurit, ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme. Ndërsa në fund të këtij neni pohohet se një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›