Prokuroria kërkon "imunitetin" e deputetit Neranxi
Dje mbërriti në Kuvend kërkesa e Pokurorisë së Pëgjithshme, për heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së
Akuzohet për kontrabandë të kryer në vitet 2001-'04, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 116 milionë lekësh
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, pas hetimeve disa mujore, i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë, heqjen e imunitetit të deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "kontrabandës me mallra të tjerë". Kërkesa është dorëzuar dje në zyrën e Protokollit të Kuvendit, me qëllim që të merret në konsideratë nga byroja parlamentare për shqyrtim. Lajmi është pohuar nga burime zyrtare pranë institucionit të akuzës, si dhe pranë Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tyre paraditen e djeshme, zyra e Protokollit ka pranuar kërkesën e kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të deputetit Neranxi. Sipas kërkesës disa faqëshe, mësohet se ndaj përfaqësusit të LSI-së, Neranxi, janë ngritur dyshime të arsyeshme se gjatë vitit 2001-'04 firma që drejtohej nga babai i tij i ndjerë tashmë i ka shkaktuar një dëm shtetit prej 116 milionë lekë të vjetra. Kjo shumë, është shkaktuar në mos pagimin e doganës nga personat për disa automjete që figuronin në emër të firmës së babait të tij, me të cilat janë importuar materiale të ndryshme për laboratorë fotografikë, si shirita të kasetave, negativë të aparateve fotografikë, e pjesë të ndryshme për biznesin e tij. "Nga hetimet e kryera paraprakisht nga Prokuroria e Tiranës dhe më pas nga institucioni qendror i akuzës, janë ngritur dyshime se firma që figuronte në emër të babait të deputetit Nikollaq Neranxi ka kryer kontrabandë me mallra të ndryshëm, duke iu shmangur detyrimeve doganore në pikëkalimet kufitare",- thuhet në kërkesën drejtuar Kuvendit. Sipas saj, nga të gjitha veprimet hetimore të kryera për këtë çështje, ka rezultuar se importi i kryer nga personat dhe automjetet e kompanisë së biznesit që ligjërisht figuronte se drejtohej prej babait të deputetit, në realitet ky biznes kryhej nga vetë ai. "Të gjitha të dhënat e mbledhura nga hetimi, na dërgonin tek personi kryesor që drejtonte këtë firmë importi, z. Nikollaq Neranxi. Për shkak të imunitetit që ai ka, ndaj tij nuk është kryer asnjë veprim konkret hetimor. Por Nga këto të dhëna të grumbulluara ekzistojnë dyshime të arsyeshme, se shtetasi Nikollaq Neranxi, anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, të jetë përgjegjësi kryesor i detyrimeve doganore, duke futur në vend mallra kontrabandë",- thanë burimet e prokurorisë. Gjithashtu, bëhet e ditur se deputeti Nikollaq Neranxi, gjatë vitit 2001-'04 kishte regjistruar si president të firmës së tij, emrin e babait të tij, për të cilin punëtorët e tij fusnin në Shqipëri mallra kontrabande. Kallëzimi ndaj firmës së babait të deputetit Neranxi është kryer nga krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për mos pagimin e detyrimeve doganore për mallrat që shoqëria e tyre fuste në Shqipëri. "Kontrabandës me mallra të tjerë" të parashikuar në Nenin 174 të Kodit Penal, është akuza për të cilën hetohet deputetit LSI-st. Në rast se deklarohet fajtor për këtë vepër, ai rrezikon një gjobë ose burgim gjer në pesë vjet heqje lirie. Kjo vepër penale, sipas akuzës, është kryer gjatë viteve 2001-'04 kur nga personat dhe automjetet e kompanisë së biznesit në pronësi të deputetit, fusnin në Shqipëri mallra pa i paguar detyrimet doganore. Materialet e futura kontrabandë në Shqipëri, kanë qenë të ndryshme, por pjesë të laboratorit të fotografisë dhe filmit, që kompania e tij importonte nga Greqia. Sipas akuzës, vlera e dëmit të shkaktuar ndaj shtetit kap shifrën e rreth 116 milionë lekë të vjetra.
Neranxi
Deputeti i LSI-së deklaroi dje se hetimi ndaj tij ka prapavijë politike, që kur ai braktisi maxhorancën
Jam i gatshëm të lë imunitetin
TIRANË- Në orët e mbrëmjes së djeshme, vetë deputeti Nikollaq Neranxi ka reaguar në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme dërguar Kuvendit për heqjen e imunitetit, duke e cilësuar atë të panevojshme pasi është i gatshëm t'i nënshtrohet një hetimit të drejtë dhe ligjor. "Ky hetim i nisur nga Prokuroria e Tiranës, është një farsë e iniciuar nga prokurori i çështjes dhe njerëzve të komanduar në dogana. I kam kërkuar informacion mbi këtë hetim Prokurores së Përgjithshme Ina Rama që më ka adresuar të takoj më datë 26 mars 2009 prokurorin e çështjes, Arben Kraja, ndërsa, sot (dje) në Parlament është paraqitur kërkesa për heqjen e imunitetit tim. Kërkesa procedurale e prokurorisë duket se është formale, pasi personalisht kam shprehur zyrtarisht gatishmërinë për t'u vënë në dispozicion të prokurorisë për pyetje. Jam i bindur në pastërtinë time, në mungesën e implikimit tim në kësi çështjesh dhe akuzash dhe duke qenë një përfaqësues nga më aktivët në jetën politike dhe parlamentare si opozitar, përmes kësaj deklarate denoncoj prapaskenën politike dhe rrezikun që i kanoset akuzës, si organ drejtësie prej porosive politike. Që nga momenti i lëvizjes time politike, nga një forcë politike në një tjetër ka startuar edhe ideimi dhe nisja e hetimit politiko-doganor ndaj biznesit tim. Vetëm pak muaj pas kalimit tim si deputet i opozitës, mbi kompaninë e familjes sime, vërshuan gjoba dhe penalitete arbitrare financiare. Ky hetim politik ka vazhduar deri në ditët e sotme...ku deklaroj se e gjithë kjo është një farsë radhe, kundër një opozitari të vendosur. Kjo është një luftë politike e cila tenton të përkthehet edhe si kosto financiare për biznesin e familjes sime. Kjo akuzë vjen në kohën kur unë me fakte, dokumente, lëvizje dhe sinqeritet politik kam denoncuar korrupsionin e qeverisë, i cili jo vetëm ka varfëruar qytetarët e këtij vendi, por ka sakatosur edhe biznesin shqiptar në tërësi. Kërkesa për heqjen e imunitetit tim është një formalitet i panevojshëm, pasi gatishmëria ime për t'u përballur me kësi akuzash ka qenë e pohuar publikisht'-tha ndër të tjera deputeti Neranxi në deklaratën e shpërndarë në media.
AKUZA
Neni 174
"Kontrabanda me mallra të tjera"
Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë apo të pjesshme, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet.