Ish-të përndjekurit, dëmshpërblimi kalon në llogaritë bankare
Përfituesit duhet të hapin një llogari bankare, dhe të dorëzojnë në degët e thesarit vërtetimin me të dhënat personale
Janë 60 ish-të përndjekur, që kanë përfunduar procedurat e kërkuara dhe kanë marrë dëmshpërblimin
TIRANË - Fillon transferimi i parave në llogaritë personale për ish-të dënuarit politikë. Pas publikimit të listës së parë me 1400 emrat e ish-të përndjekurve politikë, që përfitojnë dëmshpërblim për çdo ditë të kaluar në burg, internim apo spital psikiatrik, Ministria e Financave bën me dije sa ka çelur fondin për 60 përfituesit e parë. Pas shpalljes së listës me emrat e përfituesve të parë, çdo person që e gjen emrin në të, duhet të paraqitet tek sportelet e një nga tetë bankave të autorizuara nga Ministria e Financave, për të hapur një llogari bankare, ku do t'i kalohet shuma e parave që i takon. Deri ditën e djeshme, vetëm 60 persona kanë hapur llogari dhe kanë plotësuar procedurat e nevojshme, ku më pas është autorizuar derdhja e shumës së parave. "Deri më tani, rreth 60 shtetas kanë përmbushur këtë detyrim, i cili është pasuar me çeljen e fondit nga ana e Ministrisë së Financave", - citohet në njoftimin zyrtar saj. Pas hapjes së llogarisë, personat duhet të dorëzojnë fizikisht në çdo degë të thesarit vërtetimin, i cili përmban numrin e llogarisë, emrin, atësinë dhe mbiemrin. Pas këtij veprimi, është dega e thesarit ajo që raporton në Ministrinë e Financave dhe kjo e fundit autorizon kalimin e pagesave në llogaritë përkatëse të përfituesve. Në rast se ish-i dënuari nuk jeton më, llogaria mund të hapet në emër të bashkëshortes apo të fëmijëve, por, në këtë rast, familjarët duhet të bëjnë kujdes që të paraqesin pranë sporteleve të bankave certifikatën e vdekjes së të afërmit të tyre dhe të vërtetojnë me dokumente se janë ata trashëgimtarët e ish-të dënuarit. Fondi për vitin 2009, për ish-të përndjekurit politikë, është 20 milionë dollarë, plus 10 për qind të shumës së përfituar nga privatizimi i OSSH-së dhe INSIG-ut. Sipas të dhënave, për dëmshpërblimin e plotë të kësaj shtrese, shteti duhet të shpenzojë 430 milionë dollarë. Janë plot 17 500 ish-të persekutuar, ata që presin të marrin dëmshpërblimin për çdo ditë ta kaluar në burg apo internim. Pas miratimit të disa ndryshimeve të tjera në ligjin, "Per dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist", kësaj liste i shtohen edhe emrat e atyre që janë cilësuar si bashkëpunëtorë të fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, pjesë e këtyre ndryshimeve ishte edhe zgjerimi i rrethit të përfituesve të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit, që, për arsye të dënimit të gjatë, nuk kanë mundur të lënë trashëgimtarë. Sipas ndryshimeve që i janë bërë këtij ligji, për personat që nuk kanë familjarë, të tillë do të konsiderohen edhe vëllezërit, motrat dhe nipërit e tyre. Ky shtim i numrit të përfituesve, pritet të pasqyrohet edhe në buxhetet e viteve të ardhshme. Referuar ligjit, "Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist", këta të fundit do të përfitojnë 2 mijë lekë, për çdo ditë të kaluar në burg, spital psikiatrik, izolim apo hetuesi. Ndërsa për personat, të cilët janë ekzekutuar, familjarët e tyre do të përfitojnë një dëmshpërblim me vlerën e kompensimit të tetë viteve burg. Gjithashtu, të dëbuarit do të dëmshpërblehen me nga një mijë lekë, për çdo ditë të kaluar në internim. Për çdo fazë dëmshpërblimi, shuma e përfituar nga të prekurit nuk mund të jetë më shumë se 1 milionë dhe më e vogël se 100 mijë lekë, duke bërë që dëmshpërblimi i plotë, i ditëve të kaluar në burgje, internime dhe në çmendina, të zgjasë për disa vite me radhë.