Dëshmon ish- hetuesi. I pandehuri më tregoi autorët
"Qafë Gjashta", të pandehurit irritohen me drejtorin e kufirit, e akuzojnë për dhunë. Bashkëshortja e policit të vrarë, e pranishme në seancë
TIRANË- Procesi gjyqësor ndaj 10 të pandehurve të akuzuar për masakrën e "Qafë Gjashtës" vazhdoi mëngjesin e djeshëm me debate, akuza dhe fyerje nga dy vëllezërit Vladimir e Nestor Sinani ndaj Drejtorit të Policisë Kufitare në Vlorë, shtetasit Myzafer Elezi.
Shkak për këto fyerje e akuza, u bë dëshmia e oficerit të policies, Elezi, i cili tregoi para gjykatës marrjen në pyetje të të pandehurit Mikel Këndezi, i cili ka implikuar të 10 të pandehurit në vrasjen e policit Gjergji Mehmeti dhe rrëmbimin dhe torturimin e oficerit Eduart Aliaj në mars të vitit 1997.
Kjo dëshmi, irritoi dy vëllezërit Sinani të cilët edhe për kundër tërheqjes së vëmendjes nga kryesuesi i togave të zeza, gjyqtarit Fran Prendi, vazhduan të fyejnë e ta akuzojnë dëshmitarin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, oficerin Elezi.
Këto fyerje dhe akuza ndaj dëshmitarit të radhës, e detyruan gjyqtarin Prendi të urdhërojë largimin e tyre nga salla e gjyqit për të vazhduar seancën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të tjerë pa praninë e tyre.
Ndërkohë, të gjithë këto skena debatesh, mes të pandehurve dhe dëshmitarit, avokatëve të të pandehurve dhe gjykatës në lidhje me dëshminë e Drejtorit të Policisë Kufitare në Vlorë, shtetasit Myzafer Elezi dhe caktimin kryesisht të një avokateje, i ka ndjekur nga afër për herë të parë, bashkëshortja e të ndjerit Gjergji Mehmeti, e cila ka preferuar të ndjekë seancën e radhës brenda në sallën e gjyqit.
E veshur me rroba të zeza dhe e ulur në vendet e rezervuara për mediat, bashkëshortja e oficerit Mehmeti e ka ndjekur me vëmendjen të gjithë seancën gjyqësore, duke ia lëshuar herë pas here sytë të pandehurve që ndodheshin brenda "kafazit të hekurt" të sallës së gjyqit.
Por seanca gjyqësore, edhe pas nxjerrjes nga salla e gjyqit të dy vëllezërve Sinani ka vazhduar me debate gjyqësore mes avokatëve dhe dëshmitarit, i cili në disa raste ka preferuar të mos përgjigjet në pyetjet që i bënin mbrojtësit ligjorë.
Pas dëshmisë së oficerit Elezi, në sallën e gjyqit për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka dëshmuar edhe i burgosuri Robert Gërdhuqi, i cili ishte sjellë me kërkesë të gjykatës nga burgu i Burrelit ku po vuan dënimin për një vrasje.
Ndërkohë, pas dëshmisë së tij, edhe pse te dera e sallës së gjyqit prisnin edhe 9 dëshmitarë të tjerë të sjellë me forcë nga Saranda, gjykata u detyrua ta ndërpresë seancën pasi njëri nga avokatët u largua nga salla e gjyqit, për shkak se kishte një gjyq tjetër.
Dëshmia e Elezit
"Në marsin e vitit 1997 kur ka ndodhur ngjarja në vendin e quajtur "Qafë Gjashtë", unë nuk kam qenë personalisht aty.
Por, në vitin 1999 punoja si oficer i policisë pranë sektorit të Anti-terrorit në Vlorë, ku me kërkesë të prokurorit dhe eprorit tim Edmond Kule kam marrë në pyetje shtetasin Vladimir (Mikel) Këndezi. Pyetja e tij është bërë në cilësinë e personit nën hetim dhe në asnjë rast nuk është ushtruar dhunë për ta detyruar të flasë.
Në deklarimet e tij, Vladimir Këndezi ka deklaruar, se në 4 mars 1997, në vendin e quajtur "Qafa e Gjashtës" është qëlluar ndaj dy makinave ku po udhëtonin katër vlonjatë.
Nga karburanti që ndodhej aty, është qëlluar në drejtim të makinës nga të pandehuri Vladimir Sinani me një granatë dore, Nestor Sinani me armë automatiku, Eduart Çipa, Ristan Lapa, Bubeqi, dy persona të tjerë me mbiemrin Këndezi, Agron Çurku e persona të tjerë, bashkë me Vladimir Këndezin.
Sipas dëshmisë së tij, ata kishin qëlluar duke e plagosur dhe më pas vrarë oficerin Gjergji Mehmeti, kishin rrëmbyer oficerin Eduart Aliaj dhe kanë plagosur në ikje e sipër oficerin Sokol Bizhga, ndërsa ka mundur t'iu shpëtojë plumbave Myzafer Bushi",- I tha Drejtorit të Policisë Kufitare në Vlorë, shtetasi Myzafer Elezi.
Dëshmia e Gërdhuqit
"Ditën e ngjarjes kam qenë së bashku me shokun tim Selam Alushi në një lokal. Kam dëgjuar se ka ndodhur diçka në Qafë Gjashtë, ku kishin ardhur disa punonjës të SHIK-ut ku ishin qëlluar nga një grup personash në postbllokun që ndodhej pranë një karburantit.
Jam nisur menjëherë me një motor në drejtim të Qafë Gjashtës. Kam shkuar në Qafë Gjashtë ku kam parë plot persona nga Saranda. Aty ishin Eduart Çipa, Edmond Sejko, ka qenë dhe Muço Golemi e persona të tjerë.
Kur kalova unë aty kishte marrë tym një kamion dhe po digjej një makinë, që më thanë që ishte e atyre të SHIK-ut të Vlorës. Më pas, pak metra më tutje, kam parë një person të lidhur për një pemë që goditej nga turma",-ka thënë dëshmitari Robert Gërdhuqi në seancën e djeshme gjyqësore dhe në procesverbalin e deklarimeve të tij të marrë në fazën hetimore, që prokurori Adnan Xholi e lexoi duke kundërshtuar pjesërisht disa nga deklarimet e tij dhënë në seancën gjyqësore dje.
Bllokohen 90 kondratabela dhe fenelina
Policia rrugore, aksion kundër makinave që qarkullojnë me simbole policie me qëllim gjobitjen e tyre.
Drejtuesit e policive private, sipas policisë rrugore, kanë abuzuar duke qarkulluar me fenelina, xhama të riveshur apo dhe me tabela dore policie. Burime zyrtare nga policia thanë se ditën e djeshme janë konstatuar 90 drejtues automjetesh të cilët në kundërshtim me Kodin Rrugor qarkullojnë me simbole policie, ndaj të cilëve do të merren masa administrative.
Ndërkohë që burimet shtuan se Strukturat e Policisë Rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, do të organizojnë kontrolle të vazhdueshme për të ndëshkuar ato drejtues mjetesh në pronësi të qytetarëve apo administratës shtetërore, të cilët qarkullojnë në kundërshtim me legjislacionin rrugor, të pajisur me simbole të policisë si sisteme të sinjalizimit pamor (fenerin dhe sirena), duke i mbajtur në vende të dukshme tabela dore apo autorizime në kundërshtim me ligjin.
Në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore dhe të parandalimit të veprimtarisë kriminale kërkohet respektimi dhe zbatimi i kërkesave të legjislacionit rrugor, për të mos mbajtur në përdorim, mjete me xhama të riveshura apo të errësuara.
"Ndaj drejtuesve të mjeteve të cilët qarkullojnë duke përdorur sinjalistikën e Policisë së Shtetit, do të vendoset masa administrative gjobë e cila varion nga 2-5 mijë lekë, deri në pezullim të lejes së drejtimit",- thuhej në deklaratën zyrtare lëshuar dje nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Gjithashtu policia bëri të ditur se të gjithë drejtuesit e automjeteve që kundërshtojnë zbatimin e masës nëse konstatohen me simbole policie, do të shoqërohen në komisariat si dhe do të shkojnë për procedim administrativ.
Burimet policore thanë se ky aksion ka filluar në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore dhe të parandalimit të veprimtarisë kriminale duke ndaluar kështu përdorimin të mjeteve të xhamave të riveshur apo të errësuara.