E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon imunitetin e deputetit republikan

Autori i Lajmit: red.
Prokuroria ka bërë gati kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit të Partisë Republikane, Hajrullah Paturri. Kërkesa pritet që t i dorëzohet Kuvendit gjatë ditës së sotme, ku do të dërgohet së bashku me dosjen e përgatitur nga Prokuroria për të. Burime nga institucioni i akuzës, kanë bërë të ditur se Paturri akuzohet për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”. Deputeti republikan goditi gjyqtarin e Federatës së Futbollit, Shkëlqim Guçe, gjatë një takimi futbolli në Fushë-Krujë. Deputeti i Fushë-Krujës e goditi gjyqtarin dhe e pranoi këtë veprim. Pasi dhunoi arbitrin, befas deputeti i Partisë Republikane, Hajrulla Paturri, ka shprehur pendesë të thellë për aktin e dhunshëm. Paturri i kërkon falje të thellë gjyqtarit Shkëlqim Guçe, popullit dhe Partisë Republikane në një letër me stemën e Kuvendit të shkruar me shkrim dore dhe, siç thotë edhe vetë, “pa korrigjime”. Por siç duket, megjithëse me vonesë, ai duhet të jetë ndier shumë i turpëruar, derisa për të kërkuar ndjesë ka dërguar një letër dhe nuk ka kërkuar kamerat, siç i kërkoi kur foli me krenari nga foltorja e Kuvendit për aktin e shëmtuar të dhunës ndaj gjyqtarit. “Tashmë nuk duroj dot më, dhe po bëj këtë deklaratë me shkrim dore”, - thuhet në hyrje të letrës, ku më pas Paturri kërkon ndjesë. “Ju lutem të gjithëve të më ndjeni, pasi gabova shumë rëndë”, - e mbyll letrën e tij deputeti republikan. Gati 10 ditë më parë, njeriu i zgjedhur nga populli për ta përfaqësuar në Parlament pranoi me krenari se kishte rrahur një arbitër, duke krijuar një precedent të rrallë. Deputeti i Partisë Republikane, Hajrulla Paturri, përfaqësues i zonës së Fushë-Krujës pranoi publikisht se ishte ai që kishte rrahur gjyqtarin e ndeshjes Iliria-Albpetrol 0-0 (kategoria e dytë), Shkëlqim Guçe, për gjykim të njëanshëm.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›