E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet bosh në polici, ja kriteret

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Riorganizimi i policisë ka hapur dhe disa vende të reja pune. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se janë shtatë vende bosh në Departamentin e Hetimit të Krimit. Po këta shtuan se kanë shpallur funksionet e lira për konkurrim brenda të njëjtit nivel grade në Departamentin për Hetimin e Krimeve. Gjithashtu, me një vendim të veçantë janë përcaktuar dhe shtatë vendet bosh dhe funksionet që do të kryejnë punonjësit e rinj të uniformave blu.
Struktura
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se janë shtatë vende bosh në strukturat e Policisë së Shtetit dhe konkretisht në departamentin e hetimit të krimit. Kështu, në një urdhër të veçantë janë përcaktuar funksionet dhe kriteret që duhet të plotësojë çdo aplikant për secilin funksion. Minimalisht 8 vite vjetërsi në punë, përveç arsimit të lartë. Gjithashtu, në kriteret për të hyrë në radhët e Policisë së Shtetit është përcaktuar dhe gjuha e huaj, anglishtja. Pas reformës në polici, ku dorëzuan uniformën rreth 850 efektiva, këta janë shtatë punonjësit e parë që pritet të bëhen pjesë e policisë.
Vendimi
Bazuar në Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm Nr.2/432 datë 02.05.2008 “Për caktimin në detyrë dhe transferimin e punonjësve të policisë në të njëjtin nivel grade”, si dhe përcaktimit nga titullarët e departamenteve të kritereve që duhet të plotësojnë punonjësit e policisë për t u caktuar në detyrë në funksionet e lira në organikë. Kështu Drejtoria e Personelit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë shpalli pak ditë më parë funksionet e poshtëshënuara si funksione të lira organike për konkurrim brenda të njëjtit nivel grade.

Departamenti për Hetimin e Krimeve

1. Specialist, në Sektorin e Kundër Akteve Terroriste
2. Një specialist, në Sektorin e Krimeve kundër Personit
3. Një specialist, në Sektorin e Mbështetjes Tekniko-Shkencore dhe Mbikëqyrjes
4. Një specialist në Sektorin kundër Trafiqeve të Paligjshme
5. Dy specialistë në Sektorin e Luftës kundër Drogës
6. Një specialist, në Sektorin kundër Korrupsionit
7. Një specialist, në Sektorin e Balistikës

Kriteret që duhet të plotësohen:

1. Arsim i lartë policor ose arsim tjetër i lartë, i shoqëruar me përfundimin e kursit katërmujor të formimit profesional policor;
2. Jo më pak se 8 vjet vjetërsi pune/shërbimi për efekt të kalimit në sistemin e ri të gradave;
3. Të ketë gradën “Inspektor”, “Kryeinspektor” ose “Nënkomisar” në sistemin e vjetër të gradave;
4. Të ketë të paktën 4 vjet eksperiencë pune në strukturat e hetimit të krimeve (policisë kriminale) ose të paktën 2 vjet eksperiencë në strukturat e Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit.
5. Preferohet të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze.

Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›