E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, Berishës: Kostot u thanë shkoqur. Mos moho ultimatumin

Kreu i opozitës: Djegia e fletëve djeg edhe shansin për zgjidhje

Kutitë mbeten pika kritike e kompromisit për të cilin janë investuar edhe përfaqësuesit e Parlamentit Europian. Pa hequr dorë nga kërkesa e vet dhe duke apeluar për zgjidhje të shpejtë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lënë të kuptohet dje se asnjë diversion, ngjarje apo lëvizje e Kryeministrit nuk do të cenojë qëndrimin e opozitës për transparencë. “është koha e zgjidhjes së problemit të transparencës me urtësi dhe largpamësi. Djegie e fletëve të votimit është djegie e çdo shansi për zgjidhje”, tha Rama në atë që quhet si bashkëbisedim me gazetarët. Nëse transparenca kërkohet nga PS dhe aleatët e saj, si një e drejtë e pamohueshme, urtësia dhe largpamësia mbeten të nënvizohen si detyrime të një qeverie për zgjidhjen e krizës së shumanshme. Në këtë kuadër, kreu socialist ka qenë i qartë që në fillim të fjalës së vet, duke mos hezituar të gozhdojë verbalisht Kryeministrin si një politikan që po shpërfill realitetin. “Zoti Berisha as e mishëron, as e përfaqëson sovranitetin e vendit, po thjesht drejton një prej pushteteve kushtetuese të këtij vendi sovran, ku Kryeministrit nuk i ka dhënë as Kushtetuta, as ligji, dhe as më pak pastaj populli, ndonjë mandat për të folur a për t’u sjellë si të ishte naltmadhnia ynë ose akoma më keq për të vepruar kundër Kushtetutës...”, është shprehur Rama. Përveç akuzës publike dhe thirrjes për arsyetim politik, fjala e tij ka tentuar profilizimin e Kryeministrit si një autokrat që me atributet e pushtetit faktit shpërfill normat institucionale që janë taksative në një demokraci parlamentare. Përkundrejt vetëdijes së pushtetit që aktualisht drejton dora e Kryeministrit të vendit, Rama ka bërë të qartë se opozita nuk do të veprojë nga pozitat e të dobëtit, por nga ato të një faktori që sheh te kërkesa për transparencë sigurinë e të qenit një shumicë e mohuar. Sipas tij, afati dyjavor i vendosur nga partnerët është me karakter ultimativ pavarësisht nëse kjo hidhet poshtë nga qeveria që mbetet në kërkim të ngjarjeve alternative me synim shpërqendrimin e vëmendjes publike. “...afati dyjavor, ka padyshim një përmbajtje ultimative, të cilën zoti Berisha njësoj si unë, nuk ka asnjë arsye as ta dyshojë, e as ta mohojë, përderisa na është thënë fare shkoqur nga miqtë dhe partnerët e Shqipërisë, edhe publikisht, se çfarë kostoje do të kishte për vendin moszgjidhja e problemit të transparencës”, tha kreu i PS. Duke bërë të qartë se disponimi i kësaj force mbetet i njëjtë dhe i pandryshueshëm sa i përket moskushtëzimit nga kriza i liberalizimit të vizave për shqiptarët, ai gjithsesi i ka paraprirë një fushate propagandistike që po mbahet si kartë rezervë nga shumica në pushtet. Për të bërë të kuptueshëm opsionin socialist për kompromisin, Edi Rama ka risqaruar edhe njëherë se hetimi i kërkuar prej selisë rozë synon këqyrjen e skemës manipuluese për efekt të hartimit të Kodit të ri Zgjedhor dhe eliminimit të gangrenës elektorale në Shqipëri. “Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar rinumërim për efekt të rezultatit, por kemi kërkuar hetim të fletëve të votimit për efekt të transparencës, si pjesë e hetimit të përgjithshëm ku përfshihen padyshim kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe për të... marrë të gjitha masat që me gjetjet e hetimit të përmirësohet kuadri ligjor i zgjedhjeve”, është shprehur ai. Në mbyllje nuk ka munguar një përkufizim paraprak i skenarit që mund të aktivizohet në rast të dështimit të negociatave që po zhvillohen aktualisht nën efektin e ultimatumit ndërkombëtar. Këtij të fundit i është shtuar edhe “ultimatumi” opozitar që me gjasë synon rraskapitjen e qeverisë dhe që gjen shpresë te parimi i cituar nga Rama se “në demokraci, qeveritë nuk rrëzohen, dorëzohen”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›