E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndeti Publik: Banorët e Gërdecit do vaksinohen nga tetanozi

Shpërthimi i më shumë se 3 mijë tonë municioneve të mbushura me barut dhe lëndë të tjera plasëse ka lënë gjurmën e vet në ajër, jo shumë larg kryeqytetit. Njëlloj si të kishte ndodhur një luftë, në ajër janë ngritur shtëllunga tymi të zeza dhe bashkë me to edhe shumë lëndë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.

"Nga djegia e barutit në ajër çlirohen në gjendje të lirë elemente të tilla si monoksid karboni dhe okside të azotit". Kështu shprehen specialistët e mjedisit, menjëherë pas katastrofës që ndodhi në Gërdec të Bashkisë së Vorës. Sipas këtyre ekspertëve, edhe pse këto elemente të çliruara në ajër nuk përbëjnë rrezik për shkaktimin e sëmundjeve akute, ato mbartin risk jo thjesht për sot, por edhe për nesër.

Banorët dhe punonjësit e fabrikës së çmontimit të municioneve luftarake do t‘i nënshtrohen vaksinimit për sëmundjen e tetanozit. Është kjo një masë e propozuar nga autoritetet shëndetësore. Instituti i Shëndetit Publik, në një mbledhje urgjente që ka zhvilluar dje, ka vendosur që të fillojnë menjëherë masat parandaluese që duhen marrë për ujin e pijshëm, vaksinimin e popullatës, dezinfektimin e kafshëve dhe grumbullimin e popullatës së zhvendosur në zonën e Vorës. "Rekomandimet i janë nisur shtabit të emergjencës së qeverisë. Strukturat e Shëndetit Publik dhe punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë nisur monitorimin e ujit të pijshëm, për të identifikuar nëse ka mbetje toksike në rrjet", u shpreh Mëhill Gecaj, drejtori i Autoritetit Rajonal Shëndetësor. Shtimi i sasisë së klorit deri në 2 miligramë për litër ujë, është një ndër masat e propozuara. Po kështu, edhe zona ku ka ndodhur shpërthimi do t‘i nënshtrohet dezinfektimit dhe pastrimit nga mbetjet toksike dhe kafshëve të ngordhura, me synim shmangien e kontaminimit të ambientit, sqarojnë më tej autoritetet e Shëndetit Publik. Me këtë ata nënkuptojnë marrjen e kampionëve të ujit, ajrit dhe dherave, si dhe vlerësimin e parametrave të tyre në laboratorë, nga ana shkencore. Në këtë mënyrë do të mund të kuptohet edhe shkalla e ndotjes, e veçanërisht e ajrit, por pa lënë mënjanë as të tjerat, nisur edhe nga fakti se aty ka pasur elemente që shkaktojnë reaksione nga më të ndryshmet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›