E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Të zbardhen shkaqet e katastrofës

Komiteti Shqiptar i Helsinkit u ka bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe organeve të specializuara, që shkaqet e tragjedisë së Gërdecit të sqarohen sa më shpejt, me objektivitet dhe transparencë për opinionin publik. Sipas përfaqësuesve të KSHH-së, kjo ngjarje kërkon jo vetëm reflektim, por edhe një analizë të thelluar dhe kritike nga ana e qeverisë dhe organet përkatëse të saj për të arritur në konkluzione të drejta për shkaqet e kësaj katastrofe dhe përse ajo nuk u parandalua?! Kjo organizatë ka apeluar edhe për marrjen e masave urgjente, efikase dhe të koordinuara, për të reduktuar në maksimumin e mundshëm traumën shpirtërore të mijëra njerëzve, si dhe dëmet e pallogaritshme që ata kanë pësuar.

«Për KShH-në nuk mund të lihen jashtë vëmëndjes faktet dhe të dhënat që kanë të bëjnë me ngjarjen. Disa nga të intervistuarit e kontaktuar nga KSHH-ja shprehën indinjatën e thellë për vendosjen e armatimit dhe të fabrikës së ç‘montimit të tij në një zonë të populluar. Disa nga punonjësit e kësaj fabrike u shprehën se ishin të patrajnuar, punonjës pa përvojë, punonin në të zezë për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Nga takimet me ta mësuam se në punë, në fundjavë punonin edhe të mitur dhe gra që nuk njihnin as rregullat elementare të sigurimit», thuhet në qëndrimin zyrtar të kësaj organizate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›