Prokuroria, në mbrojtje të një vendimi të pafalshëm për vrasje
Nuk kuptohet nëse është korrupsioni apo “biografia e mirë” ato që e nxisin prokurorinë që të mbrojë një vendim për vrasje që është ndëshkuar veç me dy vjet heqje lirie. Ministri i Drejtësisë denoncon mospërpunimin e provave dhe moskryerjen e funksionit kushtetues, por prokurorja kundërshton inspektimin dhe mbron vendimin e marrë nga një prishje e procesit hetimor
Lajmi/Avokati i çështjes, ish-kandidat i Bamir Topit për në Gjykatën Kushtetuese
Organi i akuzës i faturon sistemit të drejtësisë një nga skandalet më të mëdha që bota e jurisprudencës ka njohur ndonjëherë. A ka vepër penale më të rëndë dhe më të dënueshme se vrasja? S’ka teori dhe filozofi ligjore që justifikon ekzekutimin mafioz apo qoftë edhe marrjen e jetës njerëzore, në çfarë do lloj forme qoftë, aksidentale apo edhe jo, me dashje apo pa dashje, larje hesapesh apo prishje pazari. Ligjet e shtetit japin vetëm një përgjigje, dënim të ashpër autorëve të krimit. Por ky konstatim nuk është i barazvlefshëm për Prokurorinë. Organi i akuzës po merr atributet e një institucioni apo shtylle institucionale që vepron në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Për Prokurorinë duket se marrja e jetës së tjetrit, mund të përkthehet edhe në një dënim alternativ, si p.sh “rri dy muaj i fshehur, pavarësisht se je në kërkim dhe kur del para gjyqit, duke pranuar autorësinë e veprës penale (vrasjen), gjykata mund të të stimulojë në bashkëpunim me prokurorin e çështjes apo dhe atë të Rrethit, me një dënim ‘modest’ prej vetëm 2 vitesh heqje lirie! Por normalisht, për të shuar çdo dyshim dhe hamendësim të opinionit publik, ky nuk është një dënim i zakonshëm, por është një procedim mediokër, i ndikuar politikisht si dhe njëherazi i lidhur me segmente të caktuara të së majtës (PS). Publikimi i rezultateve të inspektimit për rastin e procedimit penal të shtetasit Kostandin Xhuvani, nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, shkaktoi tërmet në institucionin e akuzës, ndërsa s’vonoi reagimi i kryeprokurores Ina Rama, e cila me vullnet të plotë, guxoi ta konsiderojë “shkelje” nga ana e ministrit, kërkesën për rihapjen e çështjes dhe rigjykimin e shtetasit Xhuvani. Reagimi i kryeprokurores erdhi pasi ministri Halimi i përcolli dokumentet për çështjen në fjalë, titullares së organit të akuzës dhe presidentit të Republikës. Ina Rama në reagimin e saj thotë se përgjigjet publikisht lidhur mbi inspektimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me procedimin penal nr. 597 i vitit 13.02.2011. “Prokuroria e Përgjithshme është e detyruar të informojë opinionin publik se deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, është një ndërhyrje e rëndë në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe në rastin konkret, presion i hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim”- thotë kryeprokurorja Ina Rama, në tentativë për të justifikuar dënimin skandaloz dhe shembullin e keq për drejtësinë shqiptare.
E vetëdijshme se precedenti është tepër i rrezikshëm për Kodin Penal shqiptar, por edhe për vendimet e më pasme lidhur me veprat penale të ‘vrasjes’, Ina Rama përdor të gjitha rrugët e shmangies së përgjegjësisë dhe adresimin në mënyrë artificiale të ‘shkeljes’ sw bwrw nga ministri Halimi. Ky i fundit insistoi për hetimin e dosjes së Xhuvanit dhe zbardhjen e prapaskenave të vendimit të gjykatës, për konsumimin e veprës penale të vrasjes me paramendim, për të cilën ai është dënuar me vetëm 2 vite burg. S’është e qartë se cilën pjesë të alfabetit ligjor dhe germave të Kushtetutës nuk kupton Ina Rama, bashkë me prokurorët e saj eunukë. Përgjigja me akuza dhe tendenca për të adresuar përgjegjësi, nuk e shpëtojnë institucionin e akuzës nga falsiteti në ushtrimin dhe zbatimin e ligjit, pasi duket haptazi që është një Prokurori e kapur politikisht dhe e brishtë ndaj çdo ndërhyrje.