E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e PS, sot bllokohen kryqëzimet e rrugëve në Tiranë

Sot paradite deputetët socialistë do të mblidhen për të diskutuar mbi detajet dhe vullnetin që do të shprehin në protestë, si dhe për hapat që do të ndjekin më pas

TIRANË - Opozita do të zbresë sërish në shesh sot për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara. Por, siç kanë paralajmëruar drejtuesit e saj, protesta e sotme pritet të jetë jo vetëm një mbështetje për grevistët e urisë, por edhe një demonstrim force i mbështetësve që mbështesin kërkesën e opozitës për hapjen e kutive.


Për këtë arsye, Tirana do të presë sot mijëra qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, të cilët për nga numri parashikohen të jetë thuajse të njëjtë me ata që tubuan më 30 prill.


Megjithatë, ashtu siç edhe kanë deklaruar nëpër tubimet e ditëve të shkuara krerët e opozitës, protesta e sotme pritet të jetë dhe një përshkallëzim i reagimit si kundërpërgjigje për mungesën e reagimit nga ana e mazhorancës për të zgjidhur krizën.


Kështu mësohet se organizatorët kanë menduar të shfrytëzojnë masën e madhe të njerëzve që do të vijnë në Tiranë për të paralizuar për disa kohë jetën publike në kryeqytet.


Burime pranë grupit parlamentar socialist kanë bërë të ditur se protestuesit e ardhur nga rrethet, por edhe ata të Tiranës do të shpërndahen në kryqëzime të ndryshme të Tiranës për të bllokuar qarkullimin e makinave për një kohë të kufizuar, si shenjë sensibilizimi me grevën dhe kauzën, për të cilën PS-ja dhe aleatët e saj po luftojnë prej ditësh.


Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe deputeti socialistë Erion Braçe dje në mitingun e mbrëmjes, kur ftoi qytetarët që për disa minuta të bllokojnë kryqëzimet e rrugëve në Tiranës për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj grevistëve të urisë.


Për rrjedhojë protesta, ashtu si edhe në 30 prill, do të nisë nga sheshi "Skëndërbej", por njerëzit do t'i bashkëngjiten asaj nga pjesë të ndryshme të bulevardit, sipas vendtakimeve që është lënë paraprakisht për çdo njësi vendore dhe rreth.


Ndërkohë, nuk dihet ende me saktësi se çdo ndodh gjatë dhe pas protestës, pasi vendimi përfundimtar për përcaktimin e modaliteteve, por edhe për qëndrimin publik që do të shprehet në shesh do të merret sot nga grupi parlamentar.


Mësohet se sot paradite deputetët socialistë do të mblidhen për të diskutuar mbi detajet dhe vullnetin që do të shprehin në protestë, por edhe për hapat që do të hedhin më tutje gjithmonë në kuadër të kauzës për transparencën e votës.


Por, ajo që mësohet është se nga plani i protestës përjashtohet ushtrimi i dhunës nga protestuesit, për këtë qëllim ata kanë kërkuar dje nga policia që të mos provokojnë një gjë të tillë. Bëhet e ditur se kreu socialistë, Edi Rama,
ka porositur deputetët e vet që të shmanget çdo ushtrim dhune apo force prej protestuesve.

********************

Kreu i policisë së kryeqytetit i dërgon letër kryesocialistit: Po kryeni dy vepra penale

Policia-Ramës: Largo grevistët nga bulevardi

TIRANË - Policia e kryeqytetit i ka kërkuar zyrtarisht dhe Partisë Socialiste që të ndërpresë grevën e urisë e të largojë grevistët dhe protestuesit nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit".


Nëpërmjet një letre zyrtare, kreu i policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, ka pohuar se tubimi disaditor është i jashtëligjshëm. Sipas tij, për çdo ditë tubim, Partia Socialiste, duhet t'i dërgojë njoftim policisë. Vocaj e bazon këtë në ligjin për tubimet, por në të nuk shkruhet në asnjë pikë kjo gjë.


Duke insistuar në këtë gjë, Vocaj paralajmëron krerët e PS-së se protestat e tyre do të cilësohen si vepra penale të parashikuara në nenin 262 të Kodit Penal. Sipas policisë, greva dhe protesta po shkaktojnë trafik të rënduar rrugor në kryeqytet.


Një tjetër pikë e letrës së Vocajt për Edi Ramën është edhe çështja e bllokimeve të rrugëve nga ana e simpatizantëve të Partisë Socialiste në shenjë solidariteti me 202 grevistët e urisë. "Ditët e fundit është vërejtur se tubuesit grumbullohen në pika të ndryshme të qytetit të Tiranës dhe nga aty lëvizin të organizuar në drejtim të bulevardit "Dëshmorët e Kombit".


Këto veprime janë kryer pa asnjë njoftim paraprak për Drejtorin e Policisë së Qarkut, gjë që ka vënë në vështirësi strukturat tona për menaxhimin e trafikut dhe sigurimin e rendit e të qetësisë publike në rrugëkalimet e ndjekura nga tubuesit", - thuhet në letrën e Vocajt. Sipas tij, pengimi i mjeteve të transportit rrugor është vepër penale e parashikuar në nenin 293 të Kodit Penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›