Prokuroria pushon çështjen për akuzat e Vokshit për 20 %
Prokuroria e përgjithshme ka pushuar çështjen në lidhje me akuzat e ngritura nga Albana Vokshi ndaj kreut të PS-së Edi Rama për 20 përqindëshin e lejeve të ndërtimit.
Në një konferencë për shtyp këshilltari për mediat në prokurorinë e përgjithshme Plator Nesturi deklaroi se të gjitha akuzat e ngritura nga deputetja demokrate Vokshi nuk ekzistojnë.
"Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka konkluduar se të dhënat e pasqyruara në deklaratën publike të shtetases Albana Vokshi që kanë lidhje me veprime korruptive para dhe gjatë momentit të nënshkrimit të kontratës së bashkëpunimit të dt. 05.02.2008, nuk ekzistojnë" theksoi Nesturi.
Gjithashtu, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka konkluduar se të dhënat e pasqyruara në deklaratën publike të shtetasit Erion Braçe, në lidhje me veprime në kundërshtim me ligjin të nëpunësve shtetërorë në rastin e marrëveshjeve hidrokarbure, të lidhura ndërmjet shoqërisë Albpetrol sh.a dhe shoqërisë ”Stream Oil & Gaz” Ltd”, nuk parashikohen nga ligji si vepër penale.
Për këto dy raste te sipërpërmendura, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur pushimin e çështjes.
"Lidhur me të dhënat e pasqyruara në deklaratën publike të shtetasit Erion Braçe mbi veprime në kundërshtim me ligjin të nëpunësve shtetërorë në rastin e lidhjes së kontratave për dhënien me koncesion për ndërtimin e 6 (gjashtë) hidrocentraleve mbi lumin Kardhiq për shoqërinë « Albaenergiaplus », Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur ndarjen e çështjes dhe vazhdimin e hetimit për shkak të kompleksitetit të veprimeve hetimore dhe kohës së nevojshme për përfundimin e tyre" përfundoi Nesturi.