E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria rrëfen masakrën e Cërrikut

 

TIRANE – Episodi kriminal i vitit 1997 i njohur si “masakra e Cërrikut”, ku u vranë gjashtë punonjës të gardës u “servir” dje tek Krimet e Rënda nëpërmjet leximit të deklarimeve të të pandehurit Entel Gashi. Në seancën e djeshme në ngarkim të të akuzuarve si autorë të kësaj ngjarjeje, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për leximin e deklarimeve të dhëna gjatë hetimeve prej Gashit, ndonëse Gashi ishte prezent në sallë. Referuar procesverbalit që u administrua në dosje, Gashi përfshinte direkt disa prej të pandehurve në vrasjen e gardistëve, si edhe në episodin e përdhunimit të një gruaje shtatzënë. I pyetur nga palët, Gashi u shfajësua dje para gjykatës për përfshirjen e tij në ngjarjen ku u vranë punonjësit e gardës. Ai nuk pranoi të kishte marrë pjesë në ngjarje, madje mohoi të kishte njohje edhe me të pandehurit e tjerë në këtë proces. Në vijim përfaqësuesit e akuzës kërkuan leximin e deklarimeve të dhëna prej Gashit në prokurori në vitin 2007 dhe 2008. Mbrojtësit kundërshtuan pranimin e kërkesës, për shkak të pasaktësisë së shënimit të datës në një prej procesverbaleve, ndërsa gjykata pranoi leximin e deklarimeve. Referuara deklarimeve të dhëna në vitin 2007, Entel Gashi përfshinte disa prej të pandehurve në eliminim direkt të punonjësve të policisë në Cërrik në vitin 1997. Sipas procesverbalit të lexuar dje, ditën e ngjarjes Gashi ishte takuar me të pandehurit Toska dhe Bujar Buzanin në Cërrik. “Ata më kanë treguar që do të vinin punonjësit e gardës dhe në duhet të luftonim për të mbrojtur popullin. U nisëm drejt qendrës dhe ishim të armatosur. Kur u futëm në qendër të Cërrikut pamë banorë të armatosur të hipur në tarracat e ndërtesave. Hipëm dhe ne në tarracë. U fut një blindë në qytet. Një nga vëllezërit Toska i gjuajti me antitank dhe ai shpërtheu. Ne gjuajtëm me armë. Ishte dhe një makinë policie aty mbrapa. Pamë edhe një polic që po ecte zvarrë. Ishte i plagosur. E qëlluam dhe e vramë. Bashkë me Alban Toskën vramë edhe dy policë të tjerë. Më pas pashë edhe ekzekutimin e një polici tjetër nga njëri prej vëllezërve Buzani”, citohej në procesverbalin e deklarimeve të Gashit. Sipas tij, pas ngjarjes ai kishte parë të pandehurin Meti Bozi të propagandonte në popull. Ndërsa përdhunimi i gruas shtatzënë, sipas Gashit, ishte bërë pranë një postblloku ku Bujar Toska dhe vëllezërit Buzani grabisnin pasagjerë automjetesh.                          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›