Prokuroria sekuestron 4 pistoletat e fundit të Gardës
Tiranë- Grupi i prokurorëve që po heton ngjarjet e 21 Janarit dorëzoi dje në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës katër pistoletat e fundit të gardistëve, që kanë qenë me shërbim ditën e demonstratës. Një burim nga Prokuroria i tha MAPO-s se pistoletat e fundit do t’i nënshtrohen ekspertizës teknike, për t’u krahasuar më pas me predhat e gjetura në vendngjarje, apo edhe ato që u nxorën nga trupat e viktimave. Pistoletat janë të gjitha tip “Bereta” të kalibrit 9 mm, të cilët përdoren nga Garda e Republikës. Pas sekuestrimit të 35 pistoletave të para, që janë ende duke iu nënshtruar ekspertizës në Laboratorin Qendror Kriminalistik, grupi hetimor ka kërkuar zyrtarisht nga Garda edhe armët e tjera të brezit, që disponojnë efektivët e saj. Garda i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, duke vënë kështu në dispozicion të prokurorisë katër pistoletat e fundit, të cilat u dorëzuan në Laborator ditën e djeshme. Paralelisht me to, ekspertët janë duke ekzaminuar dhe krahasuar me predhat e gjetura edhe pistoletat e vëna në dispozicion pak ditë më parë për llogari të hetimit. Nga të dhënat e para, rezulton se të gjitha armët e brezit, që u përkasin gardistëve, janë duke u ekspertuar nga specialistët e laboratorit dhe ende nuk ka një rezultat përfundimtar mbi pistoletat e sekuestruara. Deri tani, ekspertët kanë bërë krahasimin balistik për automatikët model “MP5” të kalibrit 9 mm dhe vetëm njëri prej tyre rezulton të ketë qëlluar në drejtim të protestuesve. Pas ekspertizës, organi i akuzës urdhëroi arrestimin e majorit Agim Llupo, pasi arma e tij dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e demonstruesit Ziver Veizi. Tri viktimat e tjera të demonstratës së 21 Janarit janë ende pa autor, ndërsa prokuroria ka kërkuar edhe ekspertimin e të gjitha pistoletave, pasi dyshohet se ditën e ngjarjes, gardistët kanë qëlluar edhe me armët e tyre të brezit.