Harrohet vrasja e Skandajt, vëllai i tij në gjyq
Tiranë- Katër persona të akuzuar për vrasje në tentativë ndaj dy punonjësve të policisë, verën e vitit të shkuar, do të përballen me Gjykatën për Krime të Rënda. Ardit Skandaj, Vladimir Nikolli, Sokol Jashari, Flori Nikolli dhe Fation Sejfullai akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda për një sërë akuzash, ku më kryesorja është vrasje e mbetur në tentativë ndaj dy punonjësve të policisë, si dhe grabitje me armë ndaj tre shtetasve malazezë. Ngjarja tragjike që përfundoi me një 16-vjeçar të vrarë dhe vëllanë e tij të arrestuar ndodhi në Lezhë, në korrik të vitit të shkuar. Të dyshuarit, sipas prokurorisë, kishin grabitur pak ditë më parë tre shtetas malazezë në aksin nacional Lezhë-Fushë-Krujë. Pas disa ditësh, policia ra në gjurmët e të dyshuarve, duke ngritur edhe një post-bllok në dalje të qytetit të Lezhës, me qëllim ndalimin e automjetit ku udhëtonin të dyshuarit. Në këtë moment, automjeti ka çarë post-bllokun e policisë dhe nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë 16-vjeçari Armando Skandaj, i cili ndodhej rastësisht në makinë. Pas kësaj ngjarjeje, policia arrestoi dy të dyshuar, një prej të cilëve futbollist i ekipit të Besëlidhjes së Lezhës, ndërsa tre ditë më pas u vetëdorëzua edhe Ardit Skendaj. Hetimet për këtë ngjarje u kryen nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ditën e djeshme ka përcjellë në gjykatë dosjen penale ndaj katër të akuzuarve për vrasje të mbetur në tentativë dhe vjedhje me armë. Ende nuk dihet rezultati i hetimit për vrasjen e 16-vjeçarit Armando Skandaj, i cili është qëlluar me një plumb në kokë në momentin kur automjeti ku udhëtonin të dyshuarit çau post-bllokun e Policisë.