Prokuroria sekuestron dokumentet e “RUDNAP” në KESH
Prokuroria ka mbërritur në zyrat e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare për të hetuar në lidhje me dokumentet e blerjes së energjisë që ka bërë KESH nga kompania serbe “RUDNAP”. Në mesin e aferës qëndron Damir Fazlliç, i cili po hetohet nga prokuroria, e cila ka sekuestruar dokumentet ku shfaqet emri i “RUDNAP”. Burime nga prokuroria thonë se tashmë kanë dhe një përgjigje nga zyrat e tatim-taksave se Fazlliç nuk ka paguar në arkën e shtetit asnjë tatim ose taksë.
Afera e “RUDNAP”
Pak pas publikimit në gazetën “TemA” të fakteve për shitjen e një kompanie të Fazlliçit, e cila nuk zotëronte asnjë aset, për një shumë tepër të madhe, lindën dhe dyshimet e para për pastrim parash me këtë akt. Sipas të dhënave që siguroi gazeta “TemA”, Aleksander Lupsiç është pronar i kompanisë “RUDNAP” me qendër në Vjenë, në rrugën kryesore të saj, Kärntner Straße. Kjo kompani mendohet se na ka shitur mbi 34 milionë euro energji.
I njëjti njeri, pra Aleksandër Lupsiç, është dhe pronar real i “Altaria Research Limited” në Qipro, që më 9 korrik ka blerë kompaninë e Damir Fazlliçit “Crown Acquisitions” për shumën e 1.750 mijë eurove.
Fakti që Fazlliç ka shitur një firmë fantazmë me një çmim astronomik një njeriu që ka blerë energji në Shqipëri dhe konsulentë të blerjes së energjisë janë të njëjtët avokatë, tregon se transferta është bërë për të ndarë bakshishin e blerjes.
Sipas dokumenteve të KESH, që dikur publikoheshin normalisht, deri në momentin kur Korporatës iu “mbyll goja” nga lart, serbët e “RUDNAP” duket se kanë qenë e janë favoritët e mëdhenj të shitjes së energjisë elektrike drejt Shqipërisë. Ata nuk kanë ofruar çmimin më të mirë, por, gjithnjë, gjatë tenderave të fundit, të shpallur nga KESH, kanë zënë vendin kryesor në importimet shqiptare. Kapaciteti i transmetimit të energjisë, prej 200 megavatesh, ka lënë jashtë loje partnerët e dikurshëm të EFT apo të EGL, por, jo vetëm kaq: në të tre lotet për vitin 2008, “RUDNAP” ofron shifrat më të larta të furnizimeve si sasi: 9,2 milionë euro (nga 30 milionë të paraqitura) për lotin e parë, 9,7 milionë euro (nga 25 milionë të paraqitura) për lotin e dytë dhe 10 milionë euro (nga 25 milionë të paraqitura) për lotin e tretë. Çmimet e ofruara nga kompania nuk kanë qenë bujare, duke kaluar, nga 63, në mbi 70 euro për megavat/orë. Ndërkohë, vetëm për muajin gusht, KESH njoftoi se kishte lidhur kontrata furnizimi, si me “RUDNAP”, ashtu edhe me GEN, që të dyja nga Serbia, me një vlerë të përgjithshme prej 5,4 milionë eurosh.
Vetë Fazlliç, në intervistat që ka dhënë në vendin tonë, e ka mohuar se është ai sekseri në këtë aferë. Përgjigjja e tij, më shumë se një mbrojtje ndaj vetes, ka qenë një mbrojtje ndaj qeverisë dhe procedurave që ndjek ajo. I pyetur nga televizioni “Klan” nëse ka ndonjë rol në shitjen e energjisë ndaj “RUDNAP”, ai u përgjigj: “Jo. Absolutisht asnjë. Dhe më lër të komentoj fare shkurtimisht për procedurat e reja të prokurimit që qeveria e re ka vendosur. I kam parë këto procedura. Çdokush që mund t’ju thotë që mund të influencojë prokurimet me vlerë mbi 10 mijë dollarë që kjo qeveri apo agjencitë e saj blejnë, gënjen. Edhe njëherë. Absolutisht asnjë kontakt apo interes financiar në “RUDNAP”
Pak ditë më parë, Fazlliç u shpreh i revoltuar ndaj prokurorisë dhe hetimeve që po bën ajo. Sipas tij, ajo po e pengon që të hapë vende të reja pune në vendin tonë dhe të ndihmojë në mirëqenien e shqiptarëve.
Roli i “RUDNAP” edhe në trafikun e armëve
Në fillim të gushtit, gazeta “TemA” publikoi për herë të parë informacione në lidhje me çështjen “Fazlliç”. Në dosjen e publikuar, përmendet dhe rasti i “RUDNAP”. Më poshtë vijon teksti i plotë i pjesës ku flitet për kompaninë serbe
Përveç “gjurmëve” që ka lënë në kontaktimet e krerëve shqiptarë të trafikut të armëve në Bosnjë, Fazlliç është bërë objekt edhe i një dëshmie publike të një biznesmeni serb (bosi i firmës “RUDNAP”), ku jo rastësisht duket se përmendet dhe emri i mikut të tij amerikan, Tom Ridge. Rreth gjashtë muaj më parë, biznesmeni serb, Vojin Lazareviç, ka dëshmuar për një televizion boshnjak lidhur me atë që u etiketua si darka sekrete. Kjo dëshmi e Lazareviçit ka bërë xhiron e botës pas hedhjes së saj në internet (në adresën: www.youtube.com/watch?v=uSGMOaNQ_Tk). Lazareviç ka pohuar se ka qenë në shoqërinë e pronarit të restorantit, Farudin Radonica, kryeministrit federal të Bosnjë-Hercegovinës, Nexhat Brankoviç, shefit të policisë sekrete të Bosnjës Almir Dzhuvo, lobistit amerikan, Tom Ridge dhe shtetasit boshnjak, Damir Fazlliç. I pyetur nga gazetarja e televizionit lidhur me këtë takim, biznesmeni Lazareviç ka pohuar se në këtë darkë “u diskutua për mundësinë e tregtimit të armëve dhe për rishitjen e energjisë elektrike për Bosnjë-Hercegovinën”, ndërsa ka theksuar se sektori energjitik është fusha kryesore e operimit të kompanisë së tij. Dëshmia e biznesmenit Lazareviç përbën një komponent të rëndësishëm lidhur me fushëveprimin dhe aktivitetin e z. Fazlliç, ndërsa statusi i kompanisë që ai drejton duket se i jep një dimension edhe më serioz dëshmisë së tij. Pozita gjeofinanciare e grupit “RUDNAP” është një nga më të fuqishmet në rajon. Lazareviç është bosi i kësaj kompanie, e cila ka asete prej qindra miliona dollarësh thuajse në të gjitha kontinentet. “RUDNAP” ka korrur fitime shumë të mëdha që prej viteve ‘90, ndërsa përveç investimeve në energjitikë, tregtinë e metaleve dhe real-estate, kjo firmë ka luajtur rolin e saj edhe në tregtinë e armëve. Një raport i ‘Amnesty International’ ka përmendur angazhimin e kësaj firme në dërgimin e një ngarkese me lëndë të lëngshme ushtarake drejt Iranit në vitin 1993. Por kjo firmë është listuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999 si pjesë e kompanive që do të trajtoheshin me embargo si pasojë e rolit të saj në furnizimin dhe ndihmën që jepte ndaj qeverisë serbe gjatë konfliktit në Kosovë.