Gjykata e Faktit: Do ta shqyrtojmë ne padinë e Bashës. Kundërshton prokuroria
Gjykata e kryeqytetit ka vendosur dje se do të jetë pikërisht ajo që do të shqyrtojë kërkesën e Lulzim Bashës për ndërprerjen e hetimeve të prokurorisë ndaj tij. Me vendimin e djeshëm, gjykata e kryeqytetit ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kërkoi që kërkesa e Bashës të shqyrtohej nga Gjykata e Lartë. Kjo, duke qenë se ky i fundit është deputet dhe anëtar i Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, menjëherë pas vendimit të gjyqtares Fatmira Hajdari, prokurori i dosjes “Durrës-Kukës”, Arben Kraja, ka kërkuar rrëzimin e vendimit dhe përjashtimin e gjyqtares. Sipas tij, gjyqtarja Fatmira Hajdari është treguar e njëanshme në vendimin e dhënë dje. Ditët e ardhshme, pasi të hidhet në short kërkesa e prokurorit Kraja, pritet që të shqyrtohet sërish kërkesa e ministrit të Jashtëm për ndërprerjen e hetimeve ndaj tij. Ky i fundit akuzohet se gjatë kohës kur ka qenë ministër i Transporteve, me anë të veprimeve dhe mosveprimeve gjatë ndërtimit të rrugës “Durrës-Kukës”, i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 230 milionë eurosh.
Vendimi
Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka rrëzuar dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për shpalljen e mos-kompetencës për shqyrtimin e kërkesës së ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk e ka marrë në konsideratë kërkesën e prokurorisë, pasi, sipas saj, “nuk jemi para një akuze konkrete dhe të gjykimit të një çështjeje nga themeli, por përpara një veprimi procedural”. Për këtë arsye, gjyqtarja ka vendosur që do të jetë pikërisht gjykata e kryeqytetit ajo që do të shqyrtojë kërkesën e Bashës. Ky i fundit nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës së djeshme, pasi ndodhet jashtë shtetit, teksa është përfaqësuar nga mbrojtësi i vet, Zef Nikaj. Ndërkohë, vendimi i gjykatës së Tiranës është kundërshtuar fuqishëm nga prokurori i dosjes së rrugës “Durrës-Kukës”, Arben Kraja. Ky i fundit është shprehur se gjyqtarja Fatmira Hajdari është treguar e njëanshme në vendimin e dhënë dje. Për këtë arsye, Kraja kërkoi përjashtimin e gjyqtares, teksa brenda tri ditësh ai do të paraqesë kërkesën e tij. Në këtë mënyrë, pasi të hidhet sërish në short elektronik, kërkesa e Lulzim Bashës për ndërprerjen e hetimeve ndaj tij pritet që të shqyrtohet sërish. Dy ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i kërkoi gjykatës së Tiranës të shpallte mos-kompetencë për këtë çështje dhe t’ia kalonte për gjykim atë Gjykatës së Lartë. Rama e argumentonte këtë me faktin që Lulzim Basha është deputet dhe anëtar i Këshillit të Ministrave. Gjyqtarja Hajdari, bashkëshorte e liderit të demokracisë, Azem Hajdari, në përfundim të seancës tha se “shqyrtimi i kësaj kërkesë- padie është kompetencë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”. Pra, do të jetë ajo që do të vendosë se çfarë do të bëhet me dosjen “Basha” dhe jo Gjykata e Lartë. Kështu ajo vendosi të rrëzojë kërkesën e bërë nga Prokuroria së Përgjithshme për shqyrtim të kësaj çështjeje nga Gjykata e Lartë. Zef Nikaj, mbrojtësi ligjor i ministrit Basha, që akuzohet për shpërdorim detyre në ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”, ngriti pak ditë më parë kërkesë-padinë në gjykatën e Tiranës për një sërë shkeljesh të kryera nga organi i akuzës lidhur me veprimet procedurale ndaj klientit të tij. Sipas tij, me vendim gjykate, që më datë 18 nëntor, janë ndërprerë hetimet për Bashën, sepse ka përfunduar afati ligjor. Rihapja e hetimeve, sipas tij, është shkelje ligjore. Kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, akuzohet nga prokuroria e Tiranës për shkelje gjatë kohës që kryente funksionin si ministër i Transporteve. Sipas prokurorit, Arben Kraja, Basha i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 230 milionë eurosh. Nën akuzë për shpërdorim detyre është edhe vartësi i tij, ish-drejtori i Rrugëve, Andi Toma. Për këtë të fundit, mbrojtësi i tij, Genc Gjokutaj, kërkoi dje që të ndërpriten hetimet, pasi kanë përfunduar afatet.
Kërkesa e mbrojtësit të Bashës
Pas urdhrit të nënshkruar nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, për marrjen e Lulzim Bashës nën cilësinë e të pandehurit, mbrojtësi i këtij të fundit e cilësoi si të paligjshëm urdhrin. Për këtë arsye, ai depozitoi një kërkesë në gjykatën e kryeqytetit, ku kërkonte ndërprerjen e hetimeve ndaj Bashës. Sipas kërkesës së mbrojtësit të ministrit të Jashtëm, urdhri i prokurorisë për marrjen e këtij të fundit nën cilësinë e të pandehurit është një shkelje flagrante e ligjit, pasi gjykata e kryeqytetit vendosi pak ditë më parë mbylljen e hetimeve nga ana e prokurorisë.
“Kërkesa e prokurorisë është një shkelje flagrante, pasi me vendim të datës 18 nëntor 2008, Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, ka vendosur të pranojë kërkesën për anulim të vendimit për zgjatjen e afatit të hetimeve për procedimin penal nr. 1 të vitit 2007. Sipas këtij vendimi, hetimet nuk mund të vazhdojnë”, - u shpreh mbrojtësi i Bashës, Zef Nikaj. Nikaj i cilësoi gjithashtu politike veprimet e fundit të Prokurorisë së Përgjithshme. “Shpërfillja flagrante e detyrimeve ligjore dhe e vendimit të gjykatës demonstron qartë prapavijën e pastër dhe prapaskenat politike të trajtimit të kësaj çështjeje dhe përdorimin si një mashë politike të Prokurorisë së Përgjithshme”, - u shpreh mbrojtësi i z. Lulzim Basha. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, akuzohet së bashku me ish-drejtorin Juridik në Ministrinë e Transporteve për shkelje të rënda gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Sipas hetimeve të prokurorisë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre këta të fundit i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm të konsiderueshëm prej 230 milionë eurosh.
Mbrojtësi i Andi Tomës kërkon pavlefshmëri të hetimeve
Mbrojtësi i ish-drejtorit Juridik të Rrugëve në Ministrinë e Transporteve, Andi Toma, i cili është i akuzuar së bashku me Lulzim Bashën në dosjes e rrugës “Durrës-Kukës”, i ka cilësuar si të pavlefshme hetimet ndaj klientit të tij. Avokati Genc Gjokutaj, mbrojtësi i Tomës, i ka paraqitur dje Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, një deklaratë, që e cilëson si të pavlefshme procedurën hetimore të prokurorisë ndaj ish-zyrtarit të Ministrisë së Transporteve. “Veprimet e prokurorisë janë jashtë afatit ligjor”, - tha për mediat avokati Genc Gjokutaj, duke konfirmuar se nuk kishte firmosur asnjë dokument për njohjen me materialet procedurale të prokurorisë në ngarkim të të pandehurit Andi Toma. Mbrojtësi i Tomës bëri të ditur mospjesëmarrjen e tij në kryerjen e veprimeve procedurale, pasi, sipas tij, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit për ndërprerjen e hetimeve të dosjes së rrugës “Durrës-Kukës” veprimet e prokurorisë janë jashtë afateve hetimore të çështjes