E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria shqiptare do të hetojë azilkërkuesit e rremë

Prokuroria Shqiptare është e angazhuar maksimalisht në hetimin dhe ndjekjen e çdo rasti të atyre që konsiderohen “azilkërkuesit” e rremë. Ky qëndrim u ritheksua nga zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme në një takim të zhvilluar me përfaqësues të misionit të Zyrës franceze të Mbrojtjes së Refugjatëve dhe Personave pa shtetësi – OFPRA, të cilët shoqëroheshin nga ambasadorja e Republikës së Francës në Shqipëri, Christine Moro.

Fokusi është sidomos tek ata qytetarë shqiptarë të cilët përdorin dokumente të falsifikuara si të përfshirë në gjakmarrje për të përfituar statusin e azilantit në vendet e BE-së.

Krahas luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes, organi i Prokurorisë jep garanci se do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet franceze, por edhe ato të vendeve të tjera të BE-së, për të parandaluar abuzimin e qytetarëve të ndryshëm shqiptarë nga liberalizimi i vizave.

Zyrtarëve francezë në këtë takim iu përcoll vendosmëria e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjitha rastet e azilantëve të rremë. Llalla ka prezantuar më parë qëndrimin se “ky është një fenomen që, megjithëse në përmasa të vogla krahasuar me disa vende të tjera, nëse nuk parandalohet mund t’i kushtojë rëndë të gjithë shqiptarëve që kanë shpresuar dhe punuar për të arritur aspiratën e lëvizjes së lirë”. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme zhvillon kontakte të vazhdueshme me strukturat e tjera ligjzbatuese në Shqipëri, si edhe me autoritetet homologe në vendet e BE-së ku ky fenomen është më i ndjeshëm./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›