E Diel, 1 Nëntor 2026

Si na shohin të tjerët dhe si e shohim veten

Cila është jeta e shëndoshë?

Para pak javësh kam hasur rastësisht në fragmentin e një emisioni në programin e parë të servisit shtetëror, ku është dhënë portreti i një bariu të vjetër, gati 80-vjeçar nga Malësia. Emisioni ka qenë nga lëmi i bujqësisë, ka qenë në gjuhën malazeze. Rubrika ishte e përshtatshme për një emision me këtë tematikë dhe aty nuk kishte asgjë diskutabile. Po ashtu, jo vetëm me këtë rast, por, në përgjithësi, është bërë praktikë që të potencohet koncepti shembujt e jetës së tillë, të "shëndoshë", pavarësisht se cilës trevë i takojnë. Kësaj here, duhet të konstatojë me ironi se përkundër rekomandimeve për jetën e shëndoshë dhe të gjatë, vështirë mund të përshkruhet “shock” kulturor të cilin e përjeton secili shikues mesatar, kur sheh diçka të tillë. Jo vetëm ai urban!

Rubrikën në fjalë e shikova deri në fund, jo për shkak se ishte temë tërheqëse për mua, por, që të shoh se çfarë do të jetë porosia e saj. E porosia direkte, edhe pse jo e thënë me ato fjalë ishte - shihni, çka është jeta e shëndoshë, nuk është sikur ajo në qytet ku zotërojnë sëmundjet dhe viruset. Më duhet të them se kam ndier një dëshpërim, e kam ndier vetën të nënçmuar dhe jashtë civilizimit.

Problemi është se nuk na shohin vetëm të tjerët kështu, por, edhe ne vetveten. Sepse, modeli ynë kulturor i takon ende modelit të traditës agrikulturale dhe kësaj i përmbahemi me këmbëngulje. Ne jemi ata të cilët e shohin vetën si pjesë të konceptit kulturor baritor.

Dalma

E vërtetë është se të gjithë popujt e vjetër e ruajnë një kujtesë në të kaluarën e tyre politeiste, animiste dhe totemiste, e cila i ka rezistuar (për fat të mirë) agresivitetit kulturor të religjioneve monoteiste. Pa këtë nuk do të kishte qenë identiteti ai që është. Mirëpo, nëse kjo traditë nuk transformohet në diçka tjetër, më të lartë dhe përparimtare, atëherë do të mbetesh gjithmonë i robëruar në parahistori. Ta marrim një shembull. Fakt është se emri i krahinës ilire, Dalmatia, është marrë nga fisi i dalmatëve, ndërsa, emri i këtij fisi rrjedh nga fjala ilire delm-a. Shkaku është se në kohën kur kjo krahinë hyn në anale historike, ilirët që e banonin, merreshin me blegtori, kryesisht me kultivimin e deleve. Gjatë tërë periudhës historike, gati tre mijë vjet, Dalmacia është Dalmaci dhe ky emër dëshmon për prezencën e popullatës e cila e ka banuar dikur këtë vend. Sot, aty nuk ka më ilirë, Dalmacia ekziston ende si nocion gjeografik, kulturor dhe si simbol i një mentaliteti specifik në Kroacinë e sotme. Ekziston edhe emri personal femëror Dalma, prezent kryesisht në disa gjuhë romane (italiane dhe spanjolle), i cili është nxjerrë nga emri i Dalmacisë. Nuk kam dëgjuar kurrë se këtë emër e mban ndonjë shqiptare. Ndoshta nuk na duket aristokrat! Ngjashëm me rastin e Teutës, me personalitetin e së cilës janë të magjepsur, së paku këtu në Mal të Zi, të gjithë ata të cilët nuk i takojnë korpusit shqipfolës.

Kemal Ataturk

Reformatori i madh turk me prejardhje shqiptare, Kemal Ataturk, ka qenë i preokupuar se si mund ta lëvizë Turqinë nga prapambeturja e saj shumëshekullore dhe ta transformojë në një shtet i cili nuk do të jetë inferior ndaj Perëndimit. Ka menduar se për një shoqëri është vdekjeprurëse nëse mbetet e palëvizshme, në skajin e ngjarjeve. Përfundimi i Ataturkut ishte se "Duhet të jesh në kulmin e valës". Vërtet, kur e shikon valën e lartë, e sheh se maja e saj përplaset e para mbi bregun e deti dhe, me fuqi të madhe, thyen çdo pengesë. Duke e ndjekur këtë filozofi, Ataturku ka arritur që me një shpejtësi të pashënuar dhe me një agresivitet pozitiv, ta shndërrojë Turqinë nga një shtet religjioz në shtet modern, sekular, të gatshëm për konkurrencë me botën. Me një fjalë, ka arritur ta fusë në tren, i cili të çon në të ardhmen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›