Jaho: Komisioni i PD është i paligjshëm

Intervista/ Konstitucionalisti Njazi Jaho, duke analizuar nga ana juridike mundësinë e hetimit parlamentar të zgjedhjeve, jep rastet kur komisioni do të ishte antikushtetues
Komisioni hetimor i ngritur në mënyrë të njëanshme nga PD nuk mund të veprojë për sa kohë pala propozuese e tij nuk merr pjesë në të.
Ky është vlerësimi që i bën juristi i njohur Niazi Jaho vendimit të datës 19 mars të Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e komisionit hetimor, ndërsa shprehet se nëse anëtarët e komisionit të grupimit politik, nismëtarë për ngritjen e tij do të tërhiqeshin, legjislativi, sipas nenit 9 pika 8 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", duhet të vendoste "pushimin e veprimtarisë së mëtejshme të Komisionit".
Duke pasur parasysh Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, a mund të sqaroni çfarë hetimi do të konsiderohej i ligjshëm dhe cili hetim nuk do të ishte në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese?
E kam të vështirë për të mos thënë të pamundur të rreshtoj një e nga një veprimet e komisionit hetimor që do të konsideroheshin të ligjshme. Për ta bërë këtë, do të më duhej të isha në dijeni jo vetëm të objektit, por edhe të planit dhe të shtrirjes të këtij hetimi.
Por, duke pasur parasysh specifikën e hetimit të zgjedhjeve në zbatim të Kodit Zgjedhor, nenin 77 pika 2 të Kushtetutës, ku bëhet fjalë për komisionin hetimor të Kuvendit, ligjin për organizimin dhe funksionin e komisioneve hetimore të kuvendit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos atë me nr: 18 datë 14-05-2003 që interpreton nenin 77 pika 2 të Kushtetutës, kam mendimin se nuk do të ishte në përputhje me Kushtetutën nëse, në objektin dhe planin e hetimeve, do të parashikohej:
a) ngritja e akuzave penale, kompetencë kjo ekskluzive e organit të ndjekjes penale (prokurorisë),
b) shqyrtimi, kontrolli dhe vlerësimi i bazueshmërisë ligjore të vendimeve të KQZ-së, siç mund të jenë p.sh., vendimet që kanë refuzuar kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara,
c) shqyrtimi, kontrolli dhe vlerësimi i bazueshmërisë ligjore të vendimeve të kolegjit zgjedhor ose të çdo gjykate tjetër që ka shqyrtuar ose është duke shqyrtuar çështje që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 qershorit 2009,
ç) shqyrtimi, kontrolli dhe vlerësimi i bazueshmërisë ligjore të vendimeve të prokurorit për mos fillimin apo fillimin e ndjekjes penale, të pushimit, pezullimit apo dërgimit të çështjeve në Gjykatë dhe që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Sipas sqarimeve tuaja, del se kundërshtimi apo reduktimi i objektit të komisionit të hetimit, mund të bëhet kryesisht në rastet e përmendura më lart. A është kështu?
Po, kështu është. Por, duhet thënë se reduktimi pa kriter, i pabazuar dhe subjektiv i objektit të hetimit, ashtu siç theksohet edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr: 18 datë 14-05-2003, "do t'ia bënte të pamundur komisionit kryerjen e veprimtarisë".
A do të thotë kjo se komisioni hetimor, me përjashtim të vendimeve që përmendët më lart, do të kishte të drejtë të këqyrte të gjithë dokumentacionin zgjedhor, përfshirë këtu edhe fletët e votimit të vendosura në kuti të mbyllura edhe pse, sipas ligjit, ato duhet të digjen?
Sigurisht që po, madje jo vetëm dokumentacioni që ka të bëjë drejtpërdrejtë me aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor, por edhe çdo dokument tjetër që do t'i shërbente kontrollit të plotë, të gjithanshëm dhe objektiv të hetimit.
Këqyrja e dokumenteve zgjedhore nuk cenon asnjë vendim të KQZ-së apo të kolegjit zgjedhor. KQZ-ja, siç dihet, në mbështetje të nenit 167 të Kodit Zgjedhor, pas procedurave të ankimimit, shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë. Sipas nenit 158 të këtij kodi, ato nuk mund të ankimohen.
Kam mendimin se për komisionin hetimor parlamentar, nuk përbën pengesë fakti se ky apo ai dokument është vendosur në kuti të hapura apo të mbyllura se në një ditë apo kohë të caktuar ai mund të digjet, etj. Në këtë drejtim duhet pasur parasysh fakti se, sipas nenit 4 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve të kuvendit, komisionet zbatojnë drejtpërdrejt rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
Ka persona që mendojnë se derisa OSBE/ODIHR-i zgjedhjet e 28 qershorit i ka certifikuar me nota pozitive, se ato kanë shënuar progres të dukshëm në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, nuk del nevoja e hetimit të tyre nëpërmjet komisionit parlamentar.
Ç'mendoni për këtë?
Është e drejta e secilit që edhe për këtë çështje të shprehë mendimin e tij, ashtu siç është e drejtë kushtetuese e një të katërtës të të gjithë deputetëve për të kërkuar ngritjen e komisionit hetimor. Konstatimet që përmban raporti i OSBE/ODIHR-it mund të vlerësohen nga këndvështrime të ndryshme dhe si rrjedhim edhe të arrihet në përfundime të ndryshme.
Megjithëkëtë, ky është një raport që kërkon studim objektiv, ndërsa marrja parasysh dhe zbatimi i rekomandimeve që paraqiten në të, do t'i shërbejë zgjedhjeve të ardhshme.
Referimi në raportin e OSBE/ODIHR-it për të arritur në konkluzionin se ngritja e një komisioni parlamentar për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit, nuk më duket të jetë bindës, veç të tjerave edhe për arsyet e mëposhtme: Vëzhgimi i zgjedhjeve nga ndërkombëtarët sado i vëmendshëm dhe cilësor që mund të jetë, për sa i përket synimeve dhe metodologjisë që ai përdor është i ndryshëm nga hetimi që ushtron komisioni parlamentar.
Vëzhguesit konstatojnë dhe fiksojnë faktin, por në mjaftë raste e kanë të vështirë të parashikojnë pasojën konkrete të shkeljes të ligjit. Kontrolli parlamentar, nëpërmjet komisionit të hetimit, synon të njohë në thellësi fenomenin dhe pasojat e shkeljes së ligjit.
Kjo i jep atij mundësinë të rekomandojë masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes. Avantazhi i komisionit hetimor parlamentar, veç të tjerave, është se ai vepron në një kohë kur disponon edhe të dhënat që paraqiten në raportin e OSBE/ODIHR-it, shfrytëzimi dhe verifikimi i mundshëm i tyre do të ishte i dobishëm. Është domethënës fakti që edhe vetë OSBE-ja rekomandon ngritjen e komisionit hetimor.
A mund të përmendni ndonjë rast konkret që Gjykata Kushtetuese të jetë shprehur për këtë apo atë komision hetimor që nuk ka vepruar në përputhje me parimet kushtetuese?
Po, ky është rasti i ngritjes së komisionit hetimor për shkarkimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, z. Sollaku. Çdo gjë do të ishte në rregull dhe në përputhje me Kushtetutën, nëse do të zbatohej neni 149 pika 2 e Kushtetutës, ku në mënyrë të specifikuar, parashikohen rastet e shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm.
Në fakt, Kuvendi dhe komisioni i krijuar prej tij, u angazhuan me shqyrtimin, kontrollin dhe vlerësimin e vendimeve të marra nga prokurori. Është kjo arsyeja që në vendimin nr. 6 të dt. 4/12/2006 të Gjykatës Kushtetuese thuhet: "Kuvendi i Shqipërisë, nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe vlerësojë vendimet e prokurorisë në çështjet konkrete për mos fillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale..."
Të njëjtin konstatim, me të njëjtin objekt shqyrtimi dhe për të njëjtin person, e gjejmë edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 12 datë 20/5/2008. Në të dy këto vendime, mosmarrëveshja e kompetencave, u zgjidh në favor të prokurorisë.
Hetimi parlamentar, a mund t'i shërbejë përmirësimit të mëtejshëm të Kodit Zgjedhor?
Besoj se po, megjithëse, ashtu siç përmendet edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it, në mjaft raste është vepruar në kundërshtim me ligjin.
Kështu p.sh., në nenin 121 të Kodit Zgjedhor thuhet se "KZAZ-ja, merr masa dhe është përgjegjëse për mos lejimin e personave të tjerë në vendin e numërimit të votave", ndërsa në raportin e OSBE/ODIHR-it, bëhet fjalë për raste kur jo vetëm nuk është zbatuar kjo dispozitë, por është lejuar që në këtë proces të ndërhyjnë madje ta drejtojnë atë persona të pa autorizuar.
Në raportin e mësipërm janë fiksuar edhe mjaft shkelje të tjera të Kodit Zgjedhor, disa prej të cilave, mund të jenë shoqëruar me pasoja të dëmshme. Por, pavarësisht nga konstatimet që paraqiten në këtë raport, hetimi parlamentar, mund të evidentojë edhe çështje të tjera veç konkretizimit të mëtejshëm të atyre që janë të njohura.
Në seancën e Kuvendit të datës 19 mars 2010, megjithëse opozita para votimit të projektvendimit të paraqitur prej saj për ngritjen e komisionit parlamentar, e tërhoqi atë, mazhoranca vetëm me votat e saj e miratoi. Ky veprim a është i bazuar?
Këtë seancë parlamentare, nuk pata mundësi ta ndiqja, por të nesërmen nëpërmjet shtypit u informuam. Nuk jam në dijeni të debateve të zhvilluara para kërkesës për tërheqjen e projektvendimit dhe as për argumentet përse ai u miratua në mënyrë të njëanshme.
Por, për t'iu përgjigjur pyetjes suaj, e shikoj të nevojshme t'i referohem nenit 72 të Rregullores së Kuvendit ku thuhet: "Nismëtari i Projektligjit ose Projektvendimit, mund të tërheqë projektin e tij, deri në çastin kur ai nuk është votuar në parim në seancën plenare". Në mbështetje të dispozitës së mësipërme, pavarësisht nga motivet e tërheqjes së këtij projektvendimi, mendoj se nuk duhet të kalohej në procedurën e votimit.
Por, edhe sikur projektligji të mos ishte tërhequr dhe komisioni hetimor të ishte ngritur, nëse anëtarët e Komisionit të grupimit politik nismëtarë për ngritjen e këtij komisioni do të tërhiqeshin, Kuvendi, sipas nenit 9 pika 8 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit" duhet të vendoste "pushimin e veprimtarisë së mëtejshme të Komisionit".
******************
Për komisionin:
"Pavarësisht nga motivet e tërheqjes së këtij projektvendimi, mendoj se nuk duhet të kalohej në procedurën e votimit.
Por, edhe sikur projektligji të mos ishte tërhequr dhe komisioni hetimor të ishte ngritur, nëse anëtarët e Komisionit të grupimit politik nismëtarë për ngritjen e këtij komisioni do të tërhiqeshin, Kuvendi, sipas nenit 9 pika 8 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit" duhet të vendoste "pushimin e veprimtarisë së mëtejshme të Komisionit"
Për hetimin:
"Vëzhgimi i zgjedhjeve nga ndërkombëtarët, sado i vëmendshëm dhe cilësor që mund të jetë, për sa i përket synimeve dhe metodologjisë që ai përdor, është i ndryshëm nga hetimi që ushtron komisioni parlamentar.
Vëzhguesit konstatojnë dhe fiksojnë faktin, por në mjaft raste e kanë të vështirë të parashikojnë pasojën konkrete të shkeljes të ligjit. Kontrolli parlamentar, nëpërmjet komisionit të hetimit, synon të njohë në thellësi fenomenin dhe pasojat e shkeljes së ligjit"