Prokuroria zbardh marrjen e ryshfetit nga gjyqtari
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj gjyqtarit Qani Hasa, i cili akuzohet për korrupsion pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Së bashku me gjyqtarin akuzohet edhe Shkëlqim Toska, babai i të dënuarit Geron Toska, i cili, sipas akuzës, u mundua të korruptonte togat e zeza për t’i ulur të birit disa vite burg në këmbim të një ryshfeti. Burime nga akuza qendrore thanë se gjyqtari është regjistruar gjatë tentativës për marrjen e ryshfetit prej tre mijë eurosh, ndërsa është provuar edhe autenticiteti i zërit. Mësohet se një ndër arsyet e përfundimit të hetimeve është se Gjykata e Tiranës ka pranuar provën e prokurorisë që implikon gjyqtarin e Elbasanit, Qani Hasa, në një mitëmarrje për uljen e dënimit të një të burgosuri. Megjithëse organi i akuzës ende nuk kishte gjetur personin që ka kryer regjistrimin e bisedës korruptive të gjyqtarit Hasa, CD-ja është njohur si provë nga gjykata.
Hetues të çështjes, pak javë më parë bënë një kërkesë për sigurim prove dhe trupi gjykues e ka marrë si të mirëqenë bisedën e zhvilluar mes qytetarit dhe gjyqtarit për dhënien e ryshfetit, me qëllim uljen e dënimit të një shtetasi nga Elbasani. Njohja si provë e CD-së, bëri që prokuroria të marrë të pandehur gjyqtarin Qani Hasa, dhe ta dërgojë dosjen për gjykim.
Ndërkohë, vetë Hasa nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura nga prokuroria. Hetuesit e çështjes thanë se gjyqtari pa imunitet, i pezulluar nga KLD-ja, ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë marrë ryshfet nga të afërmit e të dënuarit Geron Toska. Ai ka deklaruar se akuzat janë një përbaltje e emrit të tij dhe i ka kërkuar organit të prokurorisë që ta çojë deri në fund këtë hetim.
Sipas prokurorisë, hetimi për gjyqtarin Qani Hasa është kryer si për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon asnjë lloj imuniteti. Krahas gjyqtarit të Elbasanit, Hasa, i cili akuzohet për mitëmarrje, hetuesit u përqendruan edhe në zbulimin e personit që i ka ofruar para gjyqtarit në fjalë. Ai ka regjistruar një emër të rremë në Prokurorinë e Elbasanit, por kërkimet e policisë kanë qenë të kota, sepse nuk kanë identifikuar asnjë person me atë emër.
Përpos këtij emri, prokuroria është ndalur edhe në zbulimin e personit që ka dhënë këtë ryshfet. Nga hetimet e njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka rezultuar se personi që ka dhënë këtë ryshfet është babai i të dënuarit Geron Toska. I moshuari ka kontaktuar me sekserin, i cili nuk është identifikuar dhe i ka dhënë ryshfetin. Më pas, sekseri është zhdukur, duke postuar në Gjykatën dhe Prokurorinë e Elbasanit CD-në me përgjimin e gjyqtarit. Hetimet, sipas Task-Forcës, janë të plota dhe në unanimitet është vendosur dërgimi i çështjes në gjykatë. Tashmë pritet që të hidhet shorti në Gjykatën e Tiranës dhe të përcaktohet gjyqtari.
Disa javë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka hequr imunitetin gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, me kërkesë të Kryeprokurores Ina Rama.
#