E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, shqiptarët në protestë popullore

Shkup Dy parti politike mbështesin manifestimin kundër Gruevskit

Në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri dhe Demokracia e Re në opozitë kanë thënë se mbështesin protestën e cila do të organizohet nga mbi 40 organizata joqeveritare nga të gjitha qytetet të banuara me shqiptarët. Këshilli i Organizatave Shqiptare, siç quhet bashkërendimi i tyre, thonë se në Maqedoni është krijuar një gjendje e rëndë politike. Ata thonë se disa raste gjyqësore, por dhe veprime të qeverisë, po shkaktojnë atë që e quajnë “diskriminim ndaj një pjese të popullsisë së Maqedonisë.

Ibrahim Koça është përfaqësues i Këshillit të Organizatave Shqiptare: “Gjendja e rënduar politike në Maqedoni e krijuar si rezultat i vendimeve gjyqësore dhe vendimeve qeveritare, të cilat shfaqin padrejtësinë dhe diskriminimin e hapur shtetëror ndaj një pjesë të popullatës bëri të mblidheshin mbi 40 organizata nga Maqedonia dhe të formojnë Këshillin e Organizatave Shqiptare. Qëllimi i organizimit është që të kërkohet ndërprerja e menjëhershme e proceseve të montuara gjyqësore dhe lirimi i personave të dënuar në procese të tilla, ndërprerja e menjëhershme e politikave diskriminuese në baza etnike dhe fetare në ekonomi, arsim dhe kulturë”, tha Ibrahim Koça.

Rasti “Sopot”

Kur flasin për rastet gjyqësore, organizatat civile shqiptare i referohen fillimisht rastit të “Sopotit”. Në vitin 2003, 11 banorë të këtij fshati u akuzuan se kanë vendosur një minë nga shpërthimi i të cilës humbën jetën dy ushtarë të NATO-s. Por të dhëna të mëvonshme, ndër të cilat edhe një raport parlamentar sugjeronte se të dënuarit mund të jenë të pafajshëm. Edhe përkundër këtyre fakteve, gjykata verifikoi dënimin e dhënë më parë, prej 150 vjetësh burg për 11 banorët. Vetëm pesë prej tyre janë në burg, të cilët prej një jave janë në grevë urie. Të tjerët janë në arrati. Gjithashtu, këto organizata flasin edhe për rastet gjyqësore të njohura si “të Hagës”. Bëhet fjalë për procese që përfshinë ish-UçK-në dhe veprimin e Gjykatës së Hagës, që i riktheu në Maqedoni, për shkak të mungesës së fakteve. Gjykatat në Maqedoni janë duke procesuar këto raste, njëri prej të cilëve filloi pak kohë më parë. OJQ-të shqiptare thonë se procesimi i tyre mund të shkaktojë tensione të mëdha, sipas tyre ligjet në Maqedoni thonë se nëse rastet nuk procesohen nga Gjykata e Hagës, atëherë ata i përfshin ligji për amnisti. OJQ-të të mbledhura në Këshillin e Organizatave Shqiptare ngrenë shqetësime edhe për disa veprime të qeverisë, të cilat sipas tyre shkaktojnë ndarje më të thellë në shoqëri. Ata përmendin “Projektin Shkupi 2014”, i cili sjell dhe ndasi fetare, diçka që nuk ka ekzistuar më parë, siç thonë, por ngrenë shqetësime edhe për mënyrën e ndarjes të pabarabartë të buxhetit të shtetit, si dhe për vështirësitë që krijohen për përdorimin e gjuhës dhe simboleve shqiptare. Ndërkohë që Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri dhe Demokracia e Re në opozitë kanë thënë se mbështesin protestën, subjektet maqedonase, por as qeveria nuk ka reaguar.
Vëzhguesit thonë se zhvillimet mund të konsiderohen edhe si një lëvizje ndaj krizës që ka përfshirë klasën politike brenda shqiptare, por dhe më gjerë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›