Tiranë, Antidroga bllokon 100 kg kanabis
Antidroga e kryeqytetit ka sekuestruar 100 kg kanabis dhe ka vënë në pranga pesë poseduesit e saj. Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vora”, i realizuar nga strukturat e Luftës Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Njësinë e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, Komisariatin e Policisë Nr.5 në Drejtorinë e Qarkut Tiranë, u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej 100 kg lëndësh narkotike e dyshuar kanabis, si dhe u vendosën nën pranga 5 shtetas si posedues dhe shpërndarës të saj. Ky operacion u realizua pas një hetimi 2-mujor, i cili ishte i një rrezikshmërie të lartë për forcat e policisë, pasi poseduesit e kësaj lënde ishin persona me rrezikshmëri të lartë dhe terreni ishte shumë i vështirë. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë Gëzim Kadri Pirra, 28 vjeç, i dënuar më parë për “tentativë vrasjeje”, Leonard Vrenoz Zhana 31 vjeç, Shkëlqim Taf Kuqi 34 vjeç, Kujtim Musa Lloti 40 vjeç dhe Kujtim Asllan Kuqi, 37 vjeç. Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit e lartpërmendur dyshohet se kryenin shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Arrestimi nga ana e forcave të policisë ishte planifikuar të kryhej në qytetin e Vorës, por shtetasit e lartpërmendur, për t’ju shmangur forcave të policisë, ndryshuan në momentet e fundit shkëmbimin e lëndës narkotike, ku së fundmi u arrit të kryhet në fshatin Thumanë të Rrethit Krujë, ku dhe u kapën në flagrancë. Lënda narkotike ishte e destinuar për trafikim në tregun ndërkombëtar, por u sekuestrua në karrocerinë e automjetit tip “Fuoristradë Nissan”, me targë LA9344A. Në cilësinë e provës materiale, atyre iu sekuestrua sasia prej 100 kg kanabis, si dhe dy automjete tip “Fuoristradë Nissan” dhe “Wolkswagen” me targë LA9305A, si dhe 15 celularë.
#