Prokuroria zbulon OJF-në: Bëri thirrje për rrëzimin me armë të Berishës
TIRANË- Një shoqatë, që akuzohet se këtë verë bënte thirrje për rrëzimin e diktaturës së Sali Berishës dhe bllokimin e të gjitha institucioneve shtetërore deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, është në qendër të hetimeve të nisura nga prokuroria e Tiranës këto kohë.
Kallëzimi në prokurori u bë nga vetë Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit pas shqetësimit të shkaktuar, sipas zyrtareve, nga thirrjet për trazira të përhapura nëpër media nga kjo shoqatë me anë të njoftimeve për shtyp. Në shënjestrën e organit të akuzës ndodhet kryetari i pretenduar i kësaj nisme z.Ilir Loka, i cili dyshohet se banon në Toronto të Kanadasë. Sipas burimeve konfidenciale nga prokuroria, me anë të ekspertizës elektronike do të verifikohet nëse këto deklarata për shtyp të shpërndara me e-mail vijnë apo jo nga veriu i kontinentit amerikan, ashtu siç dyshohet. Nëse vërtetohet teza e prokurorisë, atëherë drejt shtetit përtej Atlantikut do të dërgohet një letër-porosi për të nisur procedimet ndaj Lokës dhe marrjen e tij në pyetje. Megjithëse deri tani në vendin tonë nuk është vënë në zbatim asnjëra prej thirrjeve apo pretendimeve të shpërndara nga kjo OJF nëpërmjet internetit, hetimi eshte tashmë zyrtar.
Nga adresa crpaofalbania.com, dhe shoqata-mdc.zoomshare.com organizatorët e Shoqatës Mbrojtja e të Drejtave Civile lëshojnë thuajse rregullisht deklarata si ajo e 22 shtatorit: Procesi zgjedhor i porsambyllur u manipulua nga Sali Berisha dhe bashkëpunëtoret e tij, Fatos Nano dhe Ilir Meta… 5 gjyqtarë sypalarë, të papërgjegjshëm, injorantë e të pacipë vulosën fitoren e Humbësit… Lulzim Basha sot pretendoi se fitoi ligjshmëria dhe mendon ti gëzohet pushtetit të vjedhur… Sali Berisha festoi gjithashtu. Opozita e çoroditur… u mjaftua me një fjalim prej humbësi të z. Rama… Ambasadorët perëndimorë, pasi kanë mbushur xhepat me paratë e shqiptarëve, të dhuruara nga Diktatori Stalinist, Sali Berisha, bëjnë thirrje për qetësi….
Madje, më datë 23 shtator, kjo shoqatë shpall fillimin e rekrutimeve vullnetare për krijimin e forcës speciale Shqiponja me njerëz, që do të jenë të armatosur me armë të kalibrave të ndryshme… Ne si Shoqatë jemi kundër dhunës, por nuk mund të lejojmë që Diktatura e Sali Berishës të vazhdojë të dhunojë pa fund Qytetarët e Pambrojtur. Dhunës do i përgjigjemi me Dhunë thuhet ne kete deklarate qe shoqerohej me nje formular regjistrimi per tu armatosur kunder regjimit te Berishes.
Në deklaratat e tyre të kohëve të fundit, drejtuesit e shoqatës përshëndesin edhe rezistencën e banorëve të fshatit Mamëz në Kukës, dhe përdorin terma kundër grekëve dhe sidomos shqiptarëve negociatorë të marrëveshjes së ujërave. Në deklaratën Të rrëzojmë diktaturën e Sali Berishës, renditen edhe disa pika mbi të cilat do të rrëzohet kjo qeveri qoftë edhe me armë.
Sipas prokurorisë, procedimi penal ka nisur bazuar në nenin 223 të Kodit Penal, ku parashikohet se thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Kam lexuar nga shtypi i përditshëm mbi hetimet e hapura nga Antiterrori në Shqipëri mbi aktivitetin e Shoqatë Mbrojtja e të Drejtave Civile dhe, po ashtu jam në dijeni të fillimit të hetimeve nga Prokuroria. Ligjërisht, deri më tani, nuk më ka ardhur asnjë lloji njoftimi për fillimin e këtyre hetimeve, mbi objektin e hetimit, dhe arsyet që po bëhet ky hetim. Me mënyrën sesi po zhvillohen këto hetime, jam i detyruar të shprehem se kjo i shkon për shtat vetëm shteteve diktatoriale komuniste. Kështu që, me urdhër të shokut Sali, mund të dënohemi edhe në 2011-n për Agjitacion e Propagandë, e parashikuar kjo në Kodin Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe dënimet mund të jenë shumë më të rënda.
Nuk ka më as më të voglin dyshim se, në kushtet e një dështimi të plotë të kësaj mazhorance ilegjitime, dhe të kërkesave në rritje të faktorit ndërkombëtar për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri, si e vetmja rrugë që i jep legjitimitet të plote institucioneve shtetërore shqiptare, – shpiken nga z.Berisha, dhe pasuesit e tij edhe këto lloj historish, me skenarë të çuditshme, saqë edhe ata që i kanë shkruar, dhe publikuar në gazetat pranë qeverisë, vetë, nuk i besojnë.
Përsa i takon hetimeve nga Policia e Shtetit, shprehem se ky institucion është i mbushur me hajvanë, që nuk ia kanë haberin fare organizimit dhe funksionimit të shtetit të së Drejtës, por, veprojnë sipas urdhrave të marra me fermanë Sulltani, dhe ne, për këtë, i mëshirojmë. Përsa i takon Institucionit të Prokurorisë, do të thosha me përgjegjësi të plotë se para se të merren me Shoqatën Mbrojtja e të Drejtave Civile të gjejnë dhe të dërgojnë për gjykim shkelësit e Sovranitetit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, të shpallur me vendime të Gjykatës Kushtetuese, të gjejnë urdhëruesit, vrasësit, dhe Torturuesit e Demonstruesve të datës 21 Janar 2011, të merret me Korrupsionin Qeveritar, me largimet nga puna pa të drejtë, të merret me dhunuesit e Zgjedhjeve, të merret me krimin e organizuar Politik.
Për sa më lart, shprehemi se, fillimi i hetimeve për një Shoqate Jofitimprurëse, bazuar në paçavure, pa prova, pa fakte, është shkelje flagrante e Lirive dhe e të Drejtave Themelore të Njeriut, të përcaktuara qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të cilat, do të bëjmë kallëzim penal në Prokurori. Përfundimisht, theksojmë se ky lloji hetimi, është një presion i qartë që mazhoranca ilegjitime komuniste e Shqipërisë i bën jo vetëm gjithë shoqërisë civile, medias së lirë, por edhe gjithë opozitarizmit në Shqipëri-shkruan z.Loka nga Toronto e Kanadasë për Shekullin.
