Prokurotia deklaron se ka dhjatra dëshmitarë për ngjarjen e rëndë në Durrës
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka siguruar dhjetra dëshmitarë në kuadër të hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së 7 Gushtit në Durrës, ku katër punonjës të Policisë së Shtetit, u vranë me armë zjarri nga i akuzuari Dritan Dajti, gjatë operacionit policor për arrestimin e tij. Këtë fakt e bëri të ditur sot në një prononcim njëri nga anëtarët e grupit të hetimit, prokurori Ardian Nexha, i cili tha se, janë mbi 30 persona, dëshmitarë të ngjarjes, të cilët janë dhe po intervistohen nga grupi hetimor që po heton ngjarjen e 7 Gushtit në Durrës. Dëshmitarë të organit të akuzës mësohet se janë qytetarë të ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes edhe efektivë të policisë së Shtetit që morrën pjesë në operacionin për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti. Gjatë rrëfimit para grupit hetimor, shuma nga këta persona, kanë hedhur dritë duke ndihmuar hetimet në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë si dhe veprimet e të akuzuarit Dajti. Por, për dokumentimin e ngjarjes, bëhet e ditur gjithashtu se, janë administruar edhe prova shkencore, ndër to, aktet te ekspertimit të vendit të ngjarjes dhe rezultatet e ekspertizës balistike të dy armëve të zjarrit tip pistoleta të përdorura nga Dritan Dajtit që e fajësojnë atë në vrasjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit. Mbështetur në këto materiale hetimore, grupi hetimor ka bërë rindërtimin e skemës së krimit, pohuan më tej burimet e prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pasditen e 7 Gushtit 2009, 4 oficerë të Policisë së Shtetit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duckollari dhe Kastriot Feskaj, humbën jetën në përpjekje për të arrestuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre. Operacioni për arrestimin e tij u ndërrmor nga sektori i operacioneve speciale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në plazhin e Durrësit pas informacione të marra se i shumëkërkuari strehohej në këtë zonë bregdetare. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe vetë Dritan Dajti, ndërsa mbeti i vrarë shoku i tij, Ledion Mara, person me precedent penal. Forcat e policisë së shtetit bënë të mundur prangosjen e Dajtit si dhe dy personave të tjerë, të dyshuar si bashkëpuntorë të tij. Dritan Dajti, 39 vjeç nga Tirana, ishte në kërkim që prej nëntorit të vitit 2003, kur, u arratis nga Gjykata e rrethit të Tiranës, teksa procedohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj në vitin 1999 në kryeqytet. Për këtë ngjarje, Dritan Dajti u dënua në mungesë me 20 vjet burg, ndërsa me 9 vjet të tjera për arratisjen nga salla e Gjykatës së Tiranës.
...