E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovimi i gjuhës dhe kulturës kineze, Tafaj: Do ngremë institutin “Konfuci”

TIRANE- Ngritja e institutit "Konfuci", i cili do të ndihmojë në promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze në vendin tonë ka qenë në qendër të diskutimeve mes ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, dhe homologut të tij kinez, Yuan Guiren.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin dypalësh në fushën e arsimit dhe shkencës, ndërkohë që të dyja palët shprehën gatishmërinë për rritjen e numrit të bursave, nxitjen e shkëmbimit të studentëve dhe pedagogëve. Vëmendje iu kushtua shkëmbimit të studentëve që mësojnë gjuhën shqipe në universitetin e gjuhëve të huaja në Universitetin e Pekinit dhe studentëve që formohen për mësues të gjuhës kineze në universitetin e Tiranës, pasi sipas tyre, kjo do të përshpejtojë përgatitjen e mësuesve për mësimin e gjuhës kineze si gjuhë e dytë me zgjedhje në shkollat tona.

Tafaj zhvilloi takime edhe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, ku zhvilloi një bisedë me studentët e degës së gjuhës shqipe. Në takimin me kryetarin e Këshillit të këtij universiteti dhe drejtues të tjerë, u diskutua për bashkëpunimin në fushën e albanologjisë dhe shkëmbimin e studentëve të masterit dhe doktoraturës.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›