Promovohet "Ishulli" i Ben Blushit
Ben Blushi, i njohur më shumë si politikan, promovoi dje romanin e tij të fundit, "Të jetosh në ishull". Ky libër duket se po merr statusin e librit më të shitur, një javë pas daljes në treg. Në fakt, para se të marrë formatin e një politikani të mirëfilltë, Ben Blushi ka qenë një njeri i letrave dhe një gazetar e analist me emër në faqet e shtypit. Sa për dimensionin e tij krijues, nuk mund të thuhet se ka qenë i bujshëm, por po të shihen disa krijime të veçanta e pikante, si për shembull "Olodum", aty has një dorë stilistike të pa hasur më parë në letërsinë shqipe. Ndaj, mund të thuhet se riprezantimi ose prezantimi i ri i Blushit me një roman, parë në një këndvështrim nuk është ndonjë akt i pazakontë. Madje, është një rrjedhë normale e një talenti dhe zelli të kahershëm e me ind familjar, i mbetur diku i patrajtuar dhe i strukur nën peshën deri dhe mizore të politikës, ku Blushi ka qenë kaq aktiv vitet e fundit. Siç është bërë e njohur tashmë, fabula e romanit "Të jetosh në ishull", shtrihet në gati katër shekuj, duke sjellë në letërsinë shqipe personazhe të njohura, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme, e, në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga librat e shenjtë.