E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një standard gjithëpërfshirës

Prof. Kolec Topalli sapo është kthyer nga Zagrebi, ku mori pjesë në një konferencë shkencore për alfabetin e gjuhës shqipe. Ky aktivitet do të pasohet me një sërë evenimentesh të tilla në jubileun e 100-të të Kongresit të Manastirit në hapësira të ndryshme ku flitet shqip. Thotë se kumtesa e tij në këtë kongres konsistoi në rëndësinë që ka ky alfabet për gjuhën tonë.

Me profesorin dhe studiuesin Topalli, bisedat për gjuhët janë gjithnjë të ndjera. Ka një dashuri në mënyrën sesi ai artikulon gjithçka që ka të bëjë me sistemin gjuhësor, që e bën stilin e tij të të rrëfyerit të jetë gjithnjë ndryshe.

"Fillimisht ka qenë pasioni për librat ai që më çoi drejt studimit të gjuhësisë", thotë ai. Janë librat ato që na ngacmojnë pasionet e fshehura brenda nesh, pasione që gjatë rritjes sonë formësohen në trajta që bëhen në moton e jetës. Ashtu siç është studimi për prof Topallin.

Burri me sytë e thellë blu dhe një kapele gjithnjë në kokë, vazhdon të besojë ashtu siç shkruan edhe vetë se "fjalët janë më të qëndrueshme se vetë gurët", duke i quajtur ato dritë. Një dritë që ai e ka përcjellë në morinë e botimeve të realizuara gjatë gjithë këtyre viteve, por dhe tek ish-studentët që vazhdojnë t‘i ruajnë me dashuri kujtimet e leksioneve me të. Më poshtë prof. Topalli tregon diçka më shumë për konferencën shkencore që u zhvillua disa ditë më parë në Zagreb, librin e tij "Fonetika historike e gjuhës shqipe", debatet për një rishikim të vendimeve të Kongresit të Manastirit, si dhe mikun e tij të shtrenjtë, gjuhëtarin e njohur Eqrem Çabej.

Sapo jeni kthyer nga Zagrebi, ku morët pjesë në një konferencë shkencore për alfabetin e gjuhës shqipe. A mund të na flisni pak më tepër për këtë konferencë?

Unë isha për tri ditë në qytetin e Zagrebit, ku pakicat shqiptare që jetojnë atje, në bashkëpunim me Misionin Katolik, kishin organizuar një konferencë shkencore për alfabetin e gjuhës shqipe. Në këtë konferencë ishin të pranishëm studiues nga vende si Zvicra, Anglia, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, etj. Ishte një simpozium me interes, jo vetëm kumtesat ishin të përgatitura mirë, por pati edhe diskutime lidhur me probleme të ndryshme.

Ky është aktiviteti i parë që zhvillohet në këtë vit jubilar, të 100-vjetorit të hartimit të alfabetit të gjuhës shqipe, të alfabetit që shënon dhe një gur themeltar për kulturën shqiptare. Ky është një jubile i papërsëritshëm, sepse me këtë alfabet jo vetëm u shënua një hap përpara për shkrimin e mijëra e miliona librave të shkruara nga ajo kohë e që vazhdohen të shkruhen edhe sot, por njëkohësisht ai ishte dhe një shenjë e qartë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve kudo ndodheshin, pasi me këtë alfabet shtypen të gjitha librat në të katër anët e rruzullit tokësor.

Aktiviteti i Zagrebit do të pasohet nga aktivitete të tjera për këtë jubile. Madje unë pata një ftesë për të shkuar dhe për të kumtuar diçka mbi alfabetin në Slloveni, te shqiptarët që jetojnë atje. Kjo është një shenjë që tregon se diaspora jonë po përpiqet që të mos e humbasë identitetin e vet. Aktivitete të tilla do të zhvillohen edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, ku ndodhet dhe Manastiri. Unë kam qenë prezent edhe në 95-vjetorin e alfabetit të gjuhës shqipe në Shkup, ku u organizua një simpozium. Mendoj që tashmë që është 100-vjetori festimet do të jenë më të mëdha dhe kremtimet do të jenë më madhështore. Në Shqipëri është ngritur një komision për këtë çështje dhe po vazhdohet puna për ta kremtuar edhe këtu me një konferencë shkencore që do të zhvillohet në muajin nëntor, ku do të ftohen albanologë nga vende të ndryshme dhe studiues të trevave shqiptare nga Kosova, Maqedonia, arbëreshët e Italisë etj.

Ku konsistojnë diskutimet që ju bëni në këto konferenca për alfabetin e gjuhës shqipe?

Kumtesën që kisha në Zagreb e përqendrova pikërisht në këtë moment tepër të rëndësishëm. Alfabeti i gjuhës shqipe është një krijim vërtet i përsosur, sepse është shfrytëzuar eksperienca më pozitive e të gjitha alfabeteve të gjuhëve të zhvilluara të Evropës, por njëkohësisht, duke përfituar edhe nga ndonjë mangësi që mund të kenë këto për hir të kohës më të hershme kur janë krijuar. Pra, alfabeti ynë i ka shfrytëzuar të gjitha këto mundësi. Dhe një alfabet i krijuar nga njerëzit më të shquar të asaj kohe. Kryetari i komisionit ka qenë Gjergj Fishta. Në atë kohë, ai ishte vetëm 37 vjeç, por ishte poeti ynë kombëtar. Ai sapo kishte filluar të botonte këngët e para të "Lahutës së Malcisë", por të gjithë e njihnin atë si një personalitet të shquar, jo vetëm të letërsisë, por edhe të kulturës dhe kombit shqiptar. Prandaj u zgjodh dhe kryetari i këtij komisioni ku bënin pjesë edhe personalitete të tilla të fuqishme si: Ndre Mjeda, Mit‘hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Gjergj Qirjaqi, Shahin Kolonja, Hilë Mosi, e shumë të tjerë. Pra kjo ishte një dëshmi e një pune vërtet me karakter të thellë si shkencor, ashtu edhe kombëtar.

Ju jeni i njohur për pasionin tuaj për gjuhët dhe kontributin në studimet e dhëna në këtë fushë. Si lindi ky pasion?

Në radhë të parë ka qenë pasioni im për librat dhe dashje pa dashje ai u kanalizua te punimet në fushën e gjuhësisë. Në atë kohë kur unë kuptova se mund të jepja diçka në këtë fushë, atëherë iu vura punës. Më është dashur të studioj shumë për të arritur që të shkruaj diçka dhe të them fjalën time në këtë fushë. Dhe kur pash që botimet e mia u mirëpritën, atëherë mora zemër për më shumë, për të vazhduar në këtë rrugë.

"Çfarë synon hulumtimi juaj te libri "Fonetika historike e gjuhës shqipe"?

"Fonetika historike e gjuhës shqipe" pasohet me dy botime të tjera të miat. Është botuar një libër në Kozenca të Kalabrisë nga Universiteti i Kalabrisë, dhe së fundmi është botuar "Zhvillimi historik i përemrave të shqipes".

"Fonetika historike e gjuhës shqipe" është një libër që i kapërcen të 700 faqet. Kjo është një monografi me karakter përgjithësues dhe sintetizues

ku janë përmbledhur të gjitha rezultatet më pozitive të kësaj fushe /////////////studime, duke filluar që nga studimet e gjysmës së shekullit të 19-të e deri në ditët e sotme. Kontributet e gjuhëtarëve të vendeve dhe të kohëve të ndryshme, njëkohësisht të shkrira këto bashkë me kontributet e mia, duke qenë se para botimit të këtij libri, për një periudhë kohore më shumë se 10 vitesh kam botuar 8 monografi për problemet e ndryshme të fonetikës historike, e një seri artikujsh të tjerë. Në fund të gjithë kësaj pune, atëherë bëra këtë përmbledhje e cila i nevojitet shumë studiuesve, pedagogëve dhe studentëve që kryejnë mastera, doktoratura etj.

Ju keni folur shumë për problemet e fonetikës historike. A mund ta na i thoni konkretisht ato?

Fonetika historike trajton historinë e zhvillimit të sistemit fonologjik të gjuhës shqipe. Pra si ka ndryshuar ai gjatë shekujve dhe si janë zhvilluar tingujt e gjuhës shqipe, çfarë dukurish fonetike kanë ndodhur që e kanë ndryshuar sistemin fonologjik të gjuhës shqipe. Gjithë studimi që unë kam bërë rezulton që gjuha shqipe është një gjuhë e cila ka ndryshuar shumë gjatë shekujve. Është një gjuhë që quhet gjuhë inovuese, që ndryshon. Gjuhët e tjera që kanë ndryshuar shumë gjatë shekujve njihen edhe ndër gjuhët e tjera indoevropiane, siç janë anglishtja apo gjuhë të tjera. Shqipja veçanërisht ka ndryshuar shumë. Këto ndryshime janë pasqyruar pikërisht edhe në sistemin gramatikor, i cili është vërtet më i ruajtur, pasi përbën skeletin e gjuhës, por edhe ai me kalimin e kohës ka pësuar ndryshime të dukshme. Studimi i aspektit fonetik jep dorë edhe për të kuptuar shumë dukuri të zhvillimit të gjuhës shqipe.

Gjatë këtyre viteve është folur shpesh për një rishikim të vendimeve të marra në Kongresin e Dorëshkrimit. A jeni ju dakord me këto rishikime?

Problemi është se gjuha shqipe sot ka një standard të vetin, që është duke u shtrirë gjithnjë e më tepër, por si çdo gjuhë, si çdo standard gjuhësor, gjuha vazhdon të zhvillohet. Problemi është që ky standard, të kuptojë ligjet e zhvillimit dhe aty ku mund të bëhen ndryshime në përshtatje me strukturën e tij, për ta ndrequr këtë më tepër, për të kuptuar prirjet e këtij zhvillimi edhe mund të bëhen ndryshime. Sigurisht, pa prishur aspak strukturën e tij, por vetëm për ta rregulluar. Në këtë drejtim ky standard ka mundësi që të afrohet më shumë me dialektet me qëllim që të mos krijohet një shkëputje e gjuhës së folur me gjuhën e shkruar. Mund të shikohen mjaft raste, si ato të përdorimit të zanores ë, dhe për këtë kongresi e ka hapur rrugën, pasi ka parashikuar që ndryshime mund të bëhen në të ardhmen, sepse gjuha nuk është diçka e pandryshuar, ajo lind e zhvillohet. Natyrisht po të krahasojmë shqipen e sotme, qoftë edhe me atë të para 50 viteve, shihet se sa ka ndryshuar kjo gjuhë. Do të ishte e mira që këto ndryshime të pasqyrohen edhe në drejtshkrimin e shqipes për ta lehtësuar nga disa aspekte zhvillimore që janë vërtetuar në vetë standardin e sotëm. Sepse standardi nuk mund të jetë me një vulë që është vënë para 10-vjeçarëve. Duhet që njerëzit që i kuptojnë më së miri këto, gjuhëtarët, intelektualët etj., t‘i japin formatimin e duhur standardit të sotëm për ta bërë më të gjallë e gjithëpërfshirës që t‘i shërbejë të gjithë shqiptarëve.

Duke qenë se ju keni marrë pjesë në atë kongres, si i gjykoni vendimet e tij nga sot?

Kongresi i Drejtshkrimit vetëm ka sanksionuar atë rrugë që kishte marrë gjuha shqipe prej disa dekadash. Atë rrugë ajo e nisi që në vitin 1945, që u vendos struktura gramatikore e toskërishtes, në përgjithësi dialekti i jugut dhe kongresi vetëm e sanksionoi nga pikëpamja ligjore, pra e bëri një fakt të kryer. Ishte një rrugë që ishte ndjekur prej disa vitesh, që pas Luftës së Dytë Botërore ishte vendosur kjo. Për mendimin tim kongresi vetëm zgjidhi disa probleme lidhur me drejtshkrimin, por rruga e këtij kongresi ishte e përcaktuar me kohë. Sidoqoftë, unë kam mendimin që në kushtet e sotme ka disa gjëra që mund të rishikohen. Gjithmonë në aspektin që standardi të bëhet më i shkathët, më i zhdërvjelltë, më afër realitetit gjuhësor që ta kryejë sa më mirë funksionin e tij komunikues për të gjithë shqiptarët.

Duke qenë se ky vit është shpallur "Viti i Çabejt". Si mik dhe si studiues, si do ta vlerësonit figurën e Eqrem Çabejt?

Është disi e vështirë të flasësh për një personalitet të përmasave të tilla siç ishte prof. Eqrem Çabej, jo vetëm i gjuhësisë, por i së gjithë kulturës shqiptare. Ai ka qenë një personalitet shumë i fuqishëm dhe i gjithanshëm. Do të kalojë breza dhe emri i Çabejt do të jetë në majën e kulturës shqiptare, pasi ai ka ditur të mbledhë gjithçka të mirë, gjithçka pozitive që ishte shkruar në atë kohë për gjuhën shqipe, por edhe t‘i çojë më tej studimet e tij. Unë ruaj një respekt e konsideratë të veçantë, pasi kam pasur fatin ta njoh personalisht, duke bashkëpunuar herë pas here me të. Kombet kanë disa maja, që vitet kalojnë por ato mbeten aty ku janë. I tillë është dhe Çabej për Shqipërinë.

Profesor, a shihni një vëmendje ndaj të rinjve për t‘u marrë me studimin e gjuhëve, pasi duket sikur ka një tërheqje ndaj shkencave të tilla?

Ne po jetojmë një periudhë kalimtare në shumë drejtime. Edhe arsimi edhe shkenca ka problemet e veta dhe sigurisht ky brez i ri ndoshta është më tepër i dhënë pas atyre shkencave që janë fitimprurëse. Kurse gjuhësia apo shkencat e tjera gjuhësore janë të një natyre tjetër. Ato kërkojnë një përkushtim të madh. Në qoftë se nuk je i dhënë pas tyre me pasion e shpirt. ashtu siç ishte dhe prof. Çabej, atëherë vërtet nuk mund të arrish aty ku duhet. Prandaj është e nevojshme që ky brezi i ri të ketë më shumë pasion për të ecur përpara. Tashmë janë të gjitha mundësitë për t‘u thelluar në studime, për t‘i kryer këto studime edhe jashtë vendit. Unë vetë kam qenë në një komision ku u shpërndanë 7 diploma për mastera në Universitetin e Kozencës, ku ishin të gjithë studiues shqiptarë.

I shoh me admirim të rinjtë që takoj në simpoziume të ndryshme shkencore. Si në Zagreb, ku më bëri përshtypje një studiues i ri që jetonte në Zvicër, i cili kishte hulumtuar dhe kishte nxjerrë rreth 2500 faqe nga dokumentet e arkivit të Vjenës për Kongresin e Manastirit e alfabetin e gjuhës shqipe. Unë besoj se të rinjtë do t‘i çojnë shumë për përpara këto fusha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›