Fullani: Qeveria të mos shpenzojë më shumë nga sa merr
Qeveria nuk duhet të përsërisë këtë vit atë që bëri vitin e kaluar dhe duhet të kushtëzojë shpenzimet me ritmin e rritjes së të ardhurave. Banka e Shqipërisë i kërkoi dje qeverisë të marrë hapa konkretë për të reduktuar borxhin publik, veprim që, sipas Fullanit, mund të sjellë më shumë të mira se sa të këqija.
“Banka e Shqipërisë gjykon se, në periudhën e ardhshme, politika fiskale duhet të faktorizojë me prioritet marrjen e masave të duhura për të garantuar qëndrueshmërinë e borxhit publik. Rritja e këtij borxhi gjatë vitit 2009 dhe sensitiviteti i shtuar i tregjeve financiare ndaj këtij treguesi, e bëjnë të domosdoshëm një angazhim të besueshëm të politikës fiskale ndaj qëndrueshmërisë afatgjatë të tij”, deklaroi dje Fullani.
Borxhi i përgjithshëm publik i Shqipërisë u rrit me shpejtësi gjatë vitit të kaluar, për shkak se qeveria shpenzoi 80 miliardë lekë (rreth 580 milionë euro) më shumë nga të ardhurat e veta. Situata duket edhe më problematike për vitin 2010, për shkak të rritjes së shpejtë të shpenzimeve operative të qeverisë. Shpresat e Ministrisë së Financave për këtë vit janë që ekonomia të rikthehet në normalitet dhe të ardhurat në buxhet të rriten. Por nëse ekonomia nuk rikthehet në normalitet, atëherë rreziqet për financat publike janë të shumta.
“është e rëndësishme arritja e nivelit të programuar të balancës fiskale, nëpërmjet kushtëzimit të kryerjes së shpenzimeve fiskale nga ritmi i realizimit të të ardhurave buxhetore”, deklaroi dje Fullani. Ulja e shpenzimeve të qeverisë sjell nga ana tjetër rënie ekonomike, si dhe krijon një spirale që mund të sjellë gjithashtu rënie të të ardhurave buxhetore. Por, sipas Fullanit, përfitimet nga ulja e shpenzimeve publike janë më të mëdha se sa humbjet.
“Kjo politikë nënkupton një stimul më të vogël fiskal për vitin 2010, por, nga ana tjetër, ajo do të ndikojë në uljen e primeve të rrezikut në ekonomi dhe do të krijojë më shumë hapësira për huamarrje në tregjet e brendshme financiare të sektorit privat të ekonomisë”, tha ai.
#