Promovohet sot, një libër për Erieta Avdylin
Nuk janë të shpeshta rastet kur miqtë, të afërmit e dashamirësit, bëhen bashkë për të përkujtuar, por edhe për të apeluar ndaj mungesës së padrejtë të njeriut të dashur. E megjithatë ekzistojnë. Kështu ka ndodhur me miqtë e kolegët e Erieta Avdulit, gruas, nënës, motrës e bijës e cila u nda nga jeta dhjetë vite më parë. “Krenari dhe mall për Erjetën” kështu titullohet libri i cili do të promovohet sot në orën 10:00 paradite në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve. Janë kujtime të hedhura në letër nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe e kanë vlerësuar punonjësen e UNICEF-it në Tiranë. Janë kujtime plot dashuri që i përkasin miqve më të afërt, por të Erjetës të cilët e kujtojnë mbi të gjithë për buzëqeshjen e saj rrezatuese. “Megjithëse kujtimet për Erin janë të shumta, e kam të vështirë të shkruaj. Më mundon folja në të shkuarën për këtë shoqe të munguar, pasi besoj se të gjithë ata që kanë pasur mundësinë të njihen me të, e kanë të vështirë të mendojnë, që ajo fizikisht nuk është më midis nesh...”, shkruan ndër të tjera mikesha e saj Bruna Zeneli. Njësoj shprehet dhimbja edhe për shumë të tjerë që në këtë përvjetor të dhjetë të vdekjes së Erieta Avdylit, e kujtojnë me mall, dashuri e krenari mikeshën që patën fatin ta kishin pranë. “Një libër i shkruar nga dashuria për jetën, nga dashuria për njeriun. Gjithkush që ka dhënë ndihmesë me kujtimet e veta, sigurisht që e ka njohur dhimbjen që shkakton humbja e njerëzve të dashur. Por për të gjithë, pavarësisht se sa afër ka ndodhur të jetë me Erietën, humbja e saj, ndarja nga ajo, ka lënë gjurmë krejt të veçantë. Erieta nuk është e pranishme vetëm në kujtimet e atyre që e njohën, nuk ngacmon vetëm kujtesën e atyre që e kanë përcjellë nga larg ngjarjen e dhimbshme dhe fatin e saj tragjik. Erieta, pa e pasur këtë qëllim dhe pa e pasur fatin ta mësonte në gjallje të saj, ka lënë gjurmë të thella në vetëdijen e gjithkujt që e njohur, por do të lërë të tilla gjurmë edhe tek ata që do të mësojnë përmes këtij libri për jetën e saj të thjeshtë. Edhe sot, dhjetë vjet nga shuarja e saj, Erieta lë gjurmë të thella në kujtesën dhe ndërgjegjen e gjithë shoqërisë shqiptare”, shkruajnë për të miqtë dhe kolegët. “Ajo shumë pak donte të bëhej subjekt i problemeve të saj dhe gjithmonë mendonte se ato do të kalonin, pasi dashuria ishte ajo që e mbronte. Këtu ajo u gabua, pasi duhej më shumë të ndante vuajtjet dhe problemet me të cilat përballej. Në rrugëtimin tonë të gjatë për të mbrojtur kauzën e të drejtave themelore të grave, që janë dhe të drejtat e njeriut, unë mendoj se rasti i Erietës, sot është bërë një kauzë që kërkon patjetër zgjidhje. Vrasja e Erietës qe kambana e parë për dhunën e pashembullt që ushtrohet ndaj gruas”, lexohet në këtë libër në një pasazh të shkruar Sevim Arbana, kryetare e shoqatës “Në dobi të gruas”. Vrasja makabre e Erieta Avdylit, ish-punonjëse e UNICEF-it, vazhdon të jetë ende mister. Nëna e dy fëmijëve u zhduk më 30 mars të vitit 2000. Pak ditë më vonë, më 14 prill 2000, Erieta gjendet e masakruar në një fshat të Durrësit. Autori e kishte masakruar me shumë mllef dhe e kishte hedhur trupin e saj të pajetë për të humbur gjurmët. Vrasja vazhdon të mos ketë asnjë autor. “Krenari dhe mall për Erjetën. Në 10-vjetorin e vrasjes (2000-2010)”, doli në qarkullim nga botimet “Dudaj”.
#