E Diel, 1 Nëntor 2026

Prona e himarjotëve, një e drejtë - pjesë e jetës

PAVLLO GJIDEDE 

Nëse ka njerëz që nuk  bëjnë vetëm propagandë për propagandë në Shqipëri, lexoni edhe nga një himarjot këto rreshta të paktën, që nuk janë thjesht propagandë. Ndjej një neveritje të papërshkruar ndaj grabitësve të pronave, ndjej një detyrë morale si gazetar të komentoj një dëshmi që tanimë është e gjithëfuqishme në çdo zemër bregdetasi të një apeli të deputetit Nikollaq Neranxi: “Pronat e Himarës në rrezik”! Dëshpërimin tim e shton fakti se vetëm një zë tjetër u bashkua me atë të Nikollaq Neranxit, zëri i Erion Braçes, të cilin e vlerësoj jo si politikëbërës të një partie në rrënim, por për një gjest patriotik që bëri në Parlament, duke mbrojtur pronat e Himarës. Ndërsa, për fat të keq, logjika e të tjerëve është arratisur, goja është mbyllur. Kjo arrati e kjo gojëkyçje pa sens është bërë më e prekshme edhe tek Edi Rama. Axhamillëku i politikanëve që e përjashtojnë atë zonë nga përgjegjësitë është në vetvete një përgjigje e plotë në ndihmë të grabitësve. Nuk është fjala për budallallëkun kriminal, i cili po vazhdon të bëhet i pakorrigjueshëm, nëse shumica e banorëve të saj janë greqishtfolës! S’është fjala këtu, për të provuar nëse është apo s’është Himara minoritet. Edhe nëse ka vend, le të diskutohet. Por përderisa ka qenë greqishtfolëse, nuk mund të jetë ndryshe (tani në kohën integruese), për t’i dhënë të drejtën ndokujt për t’i grabitur pronat. Nevoja e vetëruajtjes nga asimilimi, dëshira për të jetuar ditët e veta, edhe “kur janë të zemëruar”, edhe “kur duan t’i grabisin” është më e fortë se elementet e natyrës, më e thellë se tmerret e shekujve që shkuan, përfshi këtu edhe vitet e socializmit. Fjalën e përhapur se në Iliasin tim, në Gjype, po vë dorë dhëndri i kryeministrit, apo bejsbollisti me ngjyrë anglo-amerikan, do ta marrë era. Kaoni i Gjypesë prej 100 metra thellësi, do t’i përpijë, nëse nuk do të marrin dorën (lejen) e bashkëfshatarëve të mi, të të gjithë himarjotëve, që në raste të tilla bëhen të rreptë. Të gjitha këto nuk janë vetëm një e drejtë, por edhe një virtyt.
Përfundimisht: Nuk është e mundur të jem i qetë me politikanë, qofshin edhe të suspenduar, që flasin përçart, që na vrasin e na grabisin në mënyrë të poshtër, duke kujtuar me mendjemadhësi bajraktarët se ata kanë të drejtë të shesin e të caktojnë kufijtë e tokave private. Himarjotët rrojnë e nuk flasin përçart. Kjo e dhënë s’ka pse të çuditë askënd. Vërtet një pjesë e tyre janë në emigracion, por të mos harrojmë deklaratën e tyre të njëzëshme: “Nëse prekni pronat tona, nëpër det do të “ecim” dhe ato do t’i mbrojmë me jetët tona!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›