Prona, plagoset me levë 40-vjeçari
Konfliktet për pronën vijojnë të shënojnë ngjarje të rënda në Qarkun e Fierit. Një rast me motiv konfliktin e pronësisë është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Rrethin e Lushnjës. Një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas goditjes me levë, ndërkohë që autori është vënë në pranga disa orë pas regjistrimit të ngjarjes, në tentativë për t’u larguar. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë të Lushnjës sqaruan se rreth orës 23:00 u arrestua Pëllumb Myzeqari, 34 vjeç nga fshati Barbullunjë, i cili kishte plagosur me levë bashkëfshatarin e tij, Teki Taullaj. Tokat e Taullajt dhe Myzeqarit ndodhen pranë njëra-tjetrës dhe mes të dyve kishte mosmarrëveshje të hershme për sinorin. Përplasja e radhës për këtë çështje ka përfunduar në përleshje fizike dhe 34-vjeçari ka goditur me një levë hekuri bashkëfshatarin 40 vjeç, duke e plagosur rëndë atë. Teki Taullaj është dërguar menjëherë në Spitalin e Lushnjës, nga ku është njoftuar edhe policia.
#