E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Pojan, pas një serie vjedhjesh në fshat

Korçë Banorët e fshatit, të tmerruar: Kriminelët mund të kthehen sërish

Vrasja e ndodhur në fshatin Pojan ku u gjet i vrarë me armë dhe mjete të forta një 73-vjeçar, pronar i një magazine, ka futur në panik banorët e zonës. Fshati është përfshirë nga frika pasi autorët e vrasjes janë ende të lirë. Por ajo që i tremben më shumë banorët është fakti se vrasja ka ndodhur si rezultat i një serie të gjatë vjedhjesh. Prej një muaji në fshat janë regjistruar vjedhje të shumta në banesa dhe dyqane, por tentativa e fundit e autorëve që i çoi deri në vrasjen e një personi ka alarmuar më tej banorët. Ata thonë se ndihen të pasigurt për jetën, pasi personat që kanë kryer krimin janë të lirë dhe mund të kryejnë një tjetër grabitje të armatosur, pasojat e së cilës mund të jenë tragjike. Burime zyrtare të policisë konfirmojnë se kohët e fundit në fshat ka pasur vjedhje të shumta, të kryera gjatë natës. Sipas burimeve zyrtare, në muajin e fundit janë denoncuar të paktën tetë raste të vjedhjeve. Në fshat tregojnë se natën e krimit janë dëgjuar të shtëna armësh dhe krahas vrasjes së 73-vjeçarit është regjistruar edhe një vjedhje. Nexhat Gega është përcjellë dje për në banesën e fundit. Prej vitesh ai merrej me tregti dhe banorët thonë se asnjëherë nuk ka pasur konflikte, madje njihej si njeri i qetë dhe i rregullt. Vdekja e 73-vjeçarit, sipas banorëve është pasojë e vjedhjeve të shumta. Vjedhja në servis natën e krimit konfirmohet edhe nga policia. Sipas policisë kjo grabitje mund të ketë ndodhur para se autorët të shkonin në magazinën e Gegës. E vetmja pistë hetimi e policisë është tashmë vrasja për motive grabitjeje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›