Djeg veten me benzinë prodhuesi i ëmbëlsirave
Depresioni ka çuar drejt vetëvrasjes një 53-vjeçar nga qyteti i Tepelenës, i cili i ka vënë flakën vetes. Sulo Buxo ka lyer veten me dylent (lëndë djegëse) djh pasdite dhe më pas ka ndezur shkrepësen. Shishen 250-gramëshe me lëndë djegëse 53-vjeçari e bleu 30 minuta para kryerjes së aktit në një shitore afër punishtes së vet, në afërsi të Kalasë së Ali Pashës. Më pas Buxo ka marrë rrugën drejt jugut të qytetit, për të kryer aktin e paramenduar. Në afërsi të Urës së Leklit, rreth pesë kilometra larg Tepelenës, ai ndaloi automjetin dhe pa si vend të përshtatshëm për kryerjen e aktit një hapësirë fushore përbri lumit Drino. Gjithë skenën rastësisht e ka parë një person, i cili pinte në një lokal aty afër. Dëshmitari tha se burri kishte dalë qetësisht nga makina dhe kishte nisur të spërkaste veten me lëngun që kishte në një shishe të vogël. Më pas ai ka ndezur një shkrepëse dhe sapo e ka afruar në trup është përfshirë nga flakët. Por vetëm një minutë pasi i vuri flakën vetes, 53-vjeçari është futur me shpejtësi në makinë dhe bashkë me makinën ka hyrë në lumë për të shuar flakët. Policia e Tepelenës është njoftuar menjëherë dhe ka mbërritur duke dhënë ndihmën e parë së bashku me kalimtarë të rastit. Fillimisht është nxjerrë nga lumi Sulo Buxo, i cili u dërgua me urgjencë në spitalin e Tepelenës dhe, më pas, automjeti gjysmë i shkatërruar nga flakët. Mjekët e spitalit në Tepelenë bënë të ditur se flakët i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në trup pronarit të punishtes së ëmbëlsirave dhe ai është dërguar në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Por në mbrëmje Buxo ndërroi jetë në kryeqytet. Ende nuk janë bërë të qarta motivet që shtynë burrin të ndërmerrte këtë akt, por versioni më i besueshëm është ai i çrregullimeve psikike.
#