Vlorë, identifikohet autori i vrasjes për pronën
Policia ka arritur të identifikojë vrasësin e 40-vjeçarit Hasan Demaj, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në fshatin Sevaster. Burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se është arrestuar Llukan Kapurani, 80 vjeç. Ai është i dyshuari i vetëm për këtë vrasje. Sipas policisë, Kapurani dhe viktima kanë pasur një konflikt për tokën. Disa ditë më parë ata kishin pasur një sherr dhe kishin shkëmbyer sharje të rënda. Në momentin e vrasjes dy personat janë takuar në rrugë. Llukan Kapurani ka qenë hipur në një mushkë, me një armë gjahu në krah, ndërsa Hasan Demaj në këmbë, i paarmatosur. Pasi kanë shkëmbyer fjalë, plaku ka shtënë me armën e gjahut, duke e lënë të vdekur në vend 40-vjeçarin, i cili u gjet disa minuta më pas në kanalin ndanë rrugës nga bashkëfshatarët.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Vlorës në banesën e 80-vjeçarit u gjet arma e krimit, si dhe një kallashnikov dhe disa fishekë. Mendohet se plaku mund të ketë edhe probleme mendore. Policia e ka shoqëruar atë mbrëmjen e së enjtes. Hetuesit e kanë marrë në pyetje për disa orë me radhë, por nga reagimi i tij kanë kuptuar se nuk kishin të bënin me një person normal.
Ngjarja ndodhi të enjten në drekë në fshatin Sevaster të Vlorës. Pak orë pas ngjarjes, policia ngriti pistën e një konflikti pronësie dhe me arrestimin e 80-vjeçarit dhe gjetjen e armës së krimit ka arritur të vërtetojë se ky konflikt ishte shkaku i vrasjes.
#