E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëvrasjet, hetim gjithë sekteve fetare

03/03/2005  Për tejkalime të qëllimshme në literatura, do të merren masa ligjore

Prokuroria e Tiranës do të fillojë hetimin mbi aktivitetin dhe literaturën që shpërndajnë të gjitha sektet fetare në kryeqytet. Hetimi do të nisë mbi aktivitetin e sekteve që frekuentoheshin nga vajzat e vetëvrara, kohët e fundit. Hetuesit do të identifikojnë të gjitha sektet fetare që veprojnë në kryeqytet dhe më pas do të kryejnë ekspertimin e të gjithë librave që ata shpërndajnë. Me ekspertimin e këtyre teksteve, të cilat, kryesisht shpërndahen në formën e fletëpalosjeve, do të merren specialistë të fushave të psikologjisë dhe sociologjisë.

Ekspertimi

Burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, thanë dje për gazetën “Metropol”, se do të kryhet një ekspertim i imtësishëm mbi literaturat dhe ideologjinë e sekteve fetare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet. Ato sqaruan se me ekspertimin e këtyre materialeve, që pritet të sekuestrohen, do të merren psikologë dhe sociologë, të cilët do të përcaktojnë ndikimin në personalitet e njerëzve që frekuentojnë këto sekte. Mësohet se, fillimisht, duhet të identifikohen të gjitha sektet që ushtrojnë aktivitetet e tyre dhe bazat ligjore mbi të cilat koperojnë. Gjithashtu, burimet thonë se deputetët e Komisionit parlamentar të Rendit dhe Sigurisë, kanë kërkuar takim me kryetarin e Komitetit të Kulteve, për të shpjeguar se mbi çfarë baze ligjore e ushtrojnë aktivitetin e tyre këto sekte fetare. Psikologët do të përcaktojnë ndikimin e përmbajtjes së literaturave te personaliteti i frekuentuesve të këtyre sekteve. Gjithashtu do të ketë specifikime për sa i përket llojit të tipit të frekuentuesve, sqarojnë burimet. Kjo me qëllim që të konkludohet se sa fatale janë ndikimet te një person i ndjeshëm dhe i mbyllur në vetvete dhe sa te një individ i lirshëm dhe i hapur. Ndërsa sociologët do të bëjnë ballafaqimin e kushteve dhe ambientit ku kanë jetuar të vetëvrarat me konkluzionet e nxjerra nga psikologët. Ata do të përcaktojnë nëse në këto literatura ka tejkalime ideologjike, lidhur me premtimin e parajsës pas vetëvrasjes lidhur kjo edhe me kulturën, kushtet sociale dhe mentalitetin shqiptar.

Hetimi

Ndërsa, hetuesit do të kryejnë fazën e dytë të këtij hetimi. Pas rezultateve të përcaktuara nga specialistët e psikologjisë dhe të sociologjisë, ata do të konkludojnë nëse këto tejkalime janë të qëllimshme apo jo. Nëse arrihet në konkluzionin se këto literatura predikojnë vetëvrasjen me anë të premtimit të parajsës dhe kjo gjë kryhet qëllimisht, atëherë mund të kemi të bëjmë me veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes, theksojnë burimet e Prokurorisë. Hetuesit shprehen se, kjo vepër penale parashikohet nga neni 99 i Kodit Penal dhe është e dënueshme me ligj. Burimet e Prokurorisë përfundojnë se, nëse do të ketë konkluzione të tilla në përfundim të hetimit, atëherë do të merren masa ligjore ndaj këtyre sekteve, të paktën moslejimit të predikimit të idelogjive në të cilat premtohet parajsa pas vetëvrasjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›