Topalli: “Mungesa e opozitës nuk e ndihmon procesin e integrimit”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa ka përshëndetur dje dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit nga kryeministri Berisha komisionerit europian për Zgjerimin, Fyle, është shprehur se mungesa e bashkëpunimit të opozitës nuk e ndihmon procesin e integrimit europian. Në këtë kuadër, Topalli u bëri thirrje deputetëve të opozitës të japin kontributin e tyre për këtë proces të rëndësishëm për vendin. “Pa dyshim që mungesa e bashkëpunimit të opozitës nuk e ndihmon procesin. Mungesa e bashkëpunimit është jashtë kohës, jashtë vendit, meqenëse shoqëria shqiptare, në 96 për qind të saj, kërkon integrimin. Unë shfrytëzoj rastin për ta ftuar Partinë Socialiste për të qenë bashkëpunuese në çdo ligj, në çdo reformë që ne vazhdojmë të kemi në Parlamentin e Shqipërisë. Unë nuk e di se si mund të ndihen deputetët e opozitës që nuk kanë qenë pjesëmarrës të këtyre reformave që do të bëjnë të mundur liberalizimin e vizave. Po ashtu, unë mendoj se opozita duhet të jetë bashkëpunuese”, - është shprehur Topalli. Ajo theksoi se çdo minutë është vendimtare për procesin e liberalizimit të vizave.
“Në këto ditë, çdo orë është vendimtare për liberalizimin e vizave. Natyrisht ne do të bëjmë çdo gjë për të rikuperuar kërcënimin që i është bërë nga bojkoti dhe kërcënimin që i është bërë nga mospjesëmarrja tërësore në të gjitha punimet parlamentare si në komisione, ashtu dhe në aktivitete të tjera të punës së Parlamentit. Por unë e shoh me optimizëm. Liberalizimi i vizave do të bëhet për shqiptarët”, - është shprehur Topalli.
p
15 Prill 2010