E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestë në Nikël dhe Lenie, banorët ankohen për mungesën e energjisë elektrike



Në komunën Nikël të Krujës është zhvilluar një protestë nga banorët për shkak të mungesës së theksuar të energjisë elektrike. Sipas tyre, energjia elektrike kur Partia Demokratike ishte forcë e parë, në këtë komunë vinte e rregullt 220 volt, ndërsa pas zgjedhjeve 2009, ku PD-ja doli forcë e tretë, në këtë komunë tensioni vjen 70 volt. Qytetarët e cilësojnë si turp këtë fakt dhe janë tubuar pasi kjo komunë është ndër më të njohurat në vend për prodhimin e mobilieve dhe mungesa e energjisë pengon prodhimin e tyre. Energjia prej 60-70 volt vjen veç dy apo tri orë në ditë, si një ndëshkim pse nuk votuan PD-në dhe pushtetin. Banorët në këtë tubim janë mbështetur nga deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi. “Ne flasim shumë për Europën, por në Shqipëri, në një zonë kaq afër Tiranës, kaq afër Durrësit, kaq afër portit, kemi një situatë, e cila realisht është e padenjë për një komb europian”, - u shpreh Klosi, duke shtuar se “ne kemi në Nikël një nga bizneset më të mëdha në Shqipëri. Kemi biznesin e drurit dhe energjia elektrike këtu nuk shkon as 70 volt, megjithëse banorët, bizneset e kësaj zone e paguajnë atë. Dhe kjo ndodh sepse qeveria diskriminon një komunë të vetme të majtë që kemi në qarkun tonë. Në momentin që Partia Demokratike doli forcë e tretë në këtë vend, ajo ua preu dritat përsëri dhe prapë shkuat me 70 volt, që është turp dhe është një situatë krejtësisht e pafavorshme për biznesin tuaj”.
Edhe në fshatin Lenie, në Gramsh, banorët kanë protestuar për të njëjtën arsye, ku qeveria i ka penalizuar për faktin se ata janë një komunë e majtë. Gjatë protestës, në të cilën ka qenë i pranishëm dhe deputeti i zonës, Damian Gjiknuri, banorët kanë ngritur shqetësimet e tyre. Ata kanë akuzuar qeverinë se po u vjedh paratë duke paguar një shërbim që nuk u jepet, pasi këta banorë që prej 3 vjetësh nuk kanë më sinjal televiziv, e pavarësisht kësaj, ata paguajnë taksën për TVSH. Lënia në harresë të kësaj komune, duke mos dhënë asnjë fond, ka bërë që komuna të ketë një mungesë të plotë infrastrukture, mungesë kjo që çon deri në izolimin e plotë të kësaj komune.

Durrës, Rama pranë problemeve të shumta të banorëve në Lagjen Nr. 16

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë dje në Lagjen Nr. 16 të qytetit të Durrësit. Banorët ankohen për faturat e energjisë që shkojnë më lart se ndihma ekonomike, pavarësisht se, siç bëhet e ditur, këto familje të varfra nuk kanë pajisje në shtëpitë e tyre për të konsumuar energjinë në masën që u faturohet. Në takimin e rastësishëm me Ramën, qytetarët ankohen për pamundësinë e përballimit të jetesës për shkak të çmimeve të rritura, për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe shumë faktorëve të tjerë, të cilët ata i japin në dëshmitë e tyre. Kryesocialisti, gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj lagjeje, u shpreh se kjo histori e vjedhjes dhe e gënjeshtrës duhet të mbarojë. “Në këtë situatë që jeni ju janë qindra mijëra njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, nuk kanë mundësi të shtyjnë muajin. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje: në protesta bashkë me ne për t’i dhënë fund kësaj historie korrupsioni, kësaj historie vjedhjeje, kësaj historie abuzimi, që i ka rrënjët aty tek ato kutitë e votimit. Ju keni votuar për ndryshimin, pushteti e ka kthyer votën tuaj në një votë për vetveten. I vetmi që mund ta rikthejë në vend këtë punë është populli. Nuk do vazhdojmë kështu, do të protestojmë, do të protestojmë, do të protestojmë të gjithë bashkë. T’i japim fund kësaj historie. Kjo histori me rrena dhe me vjedhje duhet të mbarojë”, - u shpreh Rama. Nga ana tjetër, një prej banorëve është shprehur: “Isha në punë, kam 17 vjet në Drejtorinë e Policisë të qytetit të Durrësit. PD-ja më hoqi nga puna. Nuk e di çfarë qeverie, çfarë pushteti është ky. S'kemi ku të shkojmë. Jam vetë i pesti kryefamiljare. Të më lërë mua vetë i pesti, vetëm me një ndihmë ekonomike! S'kanë turp!”.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›