Pronat, Cefa: Kompensim fizik vetëm në 2012
Qeveria shtyn procesin e kompensimit fizik ndaj ish-pronarëve. Ligjet miratojnë draftin e shkrirjes së zyrave rajonale të AKKP-së
TIRANË - Shtyrja e afatit të shqyrtimit të kërkesave për njohjen e pronës nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave deri në dhjetor të vitit 2011-të, ka bërë të pamundur procesin e kompensimit fizik.
Kreu i AKKP-së, Elvis Cefa, ka pranuar dje para komisionit parlamentar të ligjeve, ku dhe u shqyrtuan disa amendamente, që kanë të bëjnë me shkrirjen e degëve rajonale të kësaj agjencie, se kompensimi fizik i subjekteve të shpronësuara nuk do të nisë të paktën deri në janar të vitit 2012-të.
Kjo për shkak të shtrirjes së afatit të vlerësimit të 8 mijë kërkesave, që janë depozituar në zyrat e kësaj agjencie deri në 31 dhjetor 2011-ën.
Ndërkohë që komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshime e propozuara në ligjin "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës", por duke kufizuar subjektet që tashmë do të kenë të drejtë të godasin vendimet e AKKP-së, vetëm në subjektin e shpronësuar dhe Avokaturën e Shtetit.
Kompensimi
Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje projektligjin që synon të sanksionojë shkrirjen e zyrave rajonale të AKKP-së dhe kalimin e kompetencave të tyre zyrës qendrore, ndërsa bën gjithashtu edhe shtyrjen e afatit të shqyrtimit të kërkesave të depozituara deri në fund të vitit 2011-të.
Në mbledhjen ku nuk janë pranuar të marrin pjesë përfaqësuesit e Shoqatës "Pronësi me Drejtësi" si palë e interesuar, kreu i AKKP-së ndërmjet të tjerave i është përgjigjur edhe interesit të deputetëve lidhur me ecurinë e deritanishme të procesit të njohjes dhe kompensimit financiar dhe fizikë të pronës.
Kështu, Cefa duke iu përgjigjur interesit të deputetit Viktor Gumi, për sa i përket afatit të procesit të kompensimit fizik, drejtori i AKKP-së ka sqaruar se ky proces nuk do mund të fillojë të paktën edhe për dy vite të tjera, kur dhe priten të dalin vendimet e qeverisë. Sipas tij, AKKP-ja është e detyruar që të mos procedojë me këtë mënyrë kompensimi, pasi në zyrat e saj gjenden ende edhe 8 mijë dosje pa u shqyrtuar.
"Sigurisht që momentalisht fillimi i procesit të kompensimit fizik nuk është i mundur, për arsye se duke qenë se në AKKP janë ende në gjendje 8 mijë kërkesa të reja, të cilat janë pretendime dhe që nuk kanë marrë një përgjigje përfundimtare për vlefshmërinë e tyre, pra nuk mund të fillojmë procesin e kompensimit fizik pa mbaruar më parë procesin e njohjes së pronës.
Kur të mbarojë ky proces pra në fund të vitit 2011-të, vetëm atëherë do të jetë e nevojshme dalja me VKM për të kryer procesin e kompensimit fizik", - tha Cefa.
Ndërkohë, duke folur për 8 mijë kërkesat e paraqitura nga subjektet e interesuara për njohje të së drejtës së pronës, Cefa qetësoi deputetët duke bërë të ditur se jo të gjitha ato mund të marrin përgjigje pozitive.
Lidhur me këtë debat, ai ka theksuar se parashikohet që rreth 30 deri në 40 për qind e tyre të marrin një përgjigje negative, pasi mund të jenë të paplota me dokumentacion. "Unë parashikoj që total nga 8 mijë kërkesa ndoshta një 30 apo 40 përqindësh mund të jenë kërkesa të pambështetura në dokumentacion të mirëfilltë pronësie", - tha drejtori i AKKP-së.
Për të përballuar këtë fluks të lartë kërkesash që duhen shqyrtuar brenda afatit të ri, drejtori i AKKP-së ka parashikuar që ta çojë organikën në 150 punonjës, aq sa është edhe numri aktual i të punësuarve në të gjitha degët e kësaj agjencie që do të shkrihen.
Debatet
Ndërkohë që gjatë diskutimit nen për nen të këtij projektligji, deputetët e mazhorancës nuk kanë shmangur dot debatet për të drejtën e subjekteve, që kanë të drejtën të godasin tashmë direkt në gjykatë vendimet e AKKP-së, kur dihet që me këto amendime e drejta e ankimit administrativ eliminohet.
Kështu, sipas deputetit Eduard Halimi, është e nevojshme që për t'i prerë rrugë amullisë nëpër gjykata të kufizohet numri i subjekteve që kanë të drejtën e ankimimit, duke ia lënë këtë mundësi vetëm ish-pronarit, që kërkon njohjen e së drejtës së pronës dhe Avokatit të Shtetit, si përfaqësues i Shtetit.
Por, sipas deputetëve Enkelejd Alibeaj dhe Viktor Gumi, me këtë ligj që kërkohet të miratohet nuk mund të kufizohet numri i subjekteve të interesuara, pasi një gjë e tillë do të binte ndesh me Kodin e Procedurës Civile, ku të drejtën për të goditur një akt administrativ e kanë jo vetëm palët e përfshira direkt, por edhe të tretët.
Për të ilustruar këtë domosdoshmëri Alibeaj ka sjellë si shembull, rastin e konçensionarëve, të cilët kanë investuar në toka të ndryshme, pavarësisht se në një gjykim nga AKKP-ja nuk do të ishin palë të interesuara. Sipas Alibeajt, kufizimi i këtyre subjekteve do t'i hiqte mundësinë një subjekti të tillë, siç mund të jetë një konçensionar që të ankimojë në gjykatë një vendim që ka të bëjë direkt me investimin e tij.
Pavarësisht insistimit të tij, komisioni ka votuar propozimin e Halimit, ku deputetët Alibeaj, Gumi dhe Sula kanë votuar kundër. Projektligji në fjalë përveç shkrirjes së zyrave rajonale, dhe kalimin e kompetencave të tyre zyrës qendrore të AKKP-së, parashikon edhe përcaktimin e një afati tremujor për marrjen e vendimit, nga momenti i nisjes së procedimit të trajtimit të kërkesës.
Pronarët fitues të 2009, AKKP-ja shtyn procesin
TIRANË - Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka kompensuar ende financiarisht 210 pronarët fitues të vitit 2009-të.
Pavarësisht se vendimi prej kësaj agjencie ka gati dy javë që është publikuar, ajo ende nuk ka bërë të mundur shpërndarjen e lekëve për secilin subjekt fitues. Shkak, sipas kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, janë bërë pikërisht pronarët, që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar për këtë vit, të cilët nuk kanë bërë ende depozitimin e numrave të llogarive bankare, ku dhe duhet të derdhen shumat përkatëse të parave.
"AKKP-ja është në fazën e administrimit të numrave të llogarive përkatëse. Nga informacioni që kam jo të gjitha subjektet fituese, 210, kanë përfunduar dorëzimin e numrave të llogarisë.
Pasi të bëhet dorëzimi i tyre do të nisë shpërndarja në llogaritë përkatëse", - tha Cefa dje për mediat. Një shkak ky që duket pak i besueshëm kur dihet që interesi i subjekteve të shpronësuara lidhur me kompensimin financiar është maksimal.
Ndërkohë që Cefa dje i pyetur lidhur me faturën financiare të të gjithë procesit të njohjes kompensimit të pronarëve, nuk ka qenë në gjendje të japë një shifër konkrete, pasi, sipas tij, ende nuk dihet sasia e pronave fizike që do të përdoren si kompensim ashtu siç nuk dihet edhe numri përfundimtar i subjekteve dhe sasisë pronave të shpronësuara.