Kryetari i Bashkisë: “Nuk e dija çbëhej në Gërdec, kërkuam për terren sportiv”
Laureta RRYÇI
TIRANË - Kryetari i Bashkisë së Vorës Fiqir Ismaili dëshmoi dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë mbi fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec dhe shpërthimin e 15 Marsit të vitit 2008 ku humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. Ismaili dëshmoi pasi u thirr nga trupi gjykues i çështjes “Gërdeci” për t’u pyetur nëse kishte korrespondencë me Ministrinë e Mbrojtjes për aktivitetin në fabrikën “Alba-Demil” në Gërdec. Ai shpjegoi se pak ditë para shpërthimit, institucioni i tij i kishte nisur një shkresë Ministrisë së Mbrojtjes për ta kthyer repartin e Gërdecit në terren sportiv.
Dëshmia
Kreu i Bashkisë së Vorës deklaroi se nuk kishte dijeni për aktivitetin që kryhej në Gërdec, duke theksuar se, ai si kryetar Bashkie nuk kishte kompetenca të merrte informacione mbi aktivitetin real që kryhej në Gërdec. “Shihnim makinat në Gërdec, por unë nuk kisha asnjë kompetencë për të marrë informacione se çfarë bëhej aty”. I pyetur për datën 15 Mars, ditë kur fabrika shpërtheu, Ismaili theksoi se për ngjarjen u njoftua në telefon. “Sapo mora vesh lajmin në telefon, ngritëm grupin e emergjencës për situatën”. Kreu i Bashksië së Vorës vuri në dukje se të dëmtuarit nga ngjarja e rëndë janë dëmshpërblyer të gjithë pa përjashtim. “Kemi ndarë 25 milionë euro për 4 mijë familje e biznese. Fondi u dha me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Seanca vijoi më pas me dëshmitarë të tjerë të prokurorisë.
Procesi
Çështja “Gërdeci” me rreth 29 të pandehur, (3 në pranga) dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës, konsiderohet më e madhja në historinë e gjyqësorit. Prokuroria e ka vlerësuar “Gërdecin” si një gabim njerëzor, ndërsa pala e pandehur pretendon për një sabotazh të mundshëm. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë pati dëme të mëdha në banesa e biznese.
Pranga dy të rinjve, plagosën me thikë truprojën e kazinosë
DURRËS - Dy të rinj janë vënë në pranga pasi akuzohen për plagosjen e badiguardit të një kazinoje dhe më pas të vjedhjes e mbetur në tentativë të një automjeti. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se, në orën 15:00, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve, Armando Zhinga, 21 vjeç, lindur në Burrel e banues në Tiranë, me arsim 8 klasë, i dënuar më parë për vjedhje. Armando Berisha, 15 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 5 klasë, i padënuar më parë. Sipas policisë, arrestimi i tyre është bërë pasi ditën e djeshme rreth orës 04:00 të ditës së djeshme në lagjen Nr. 13, Durrës së bashku edhe me një person tjetër, kanë hyrë në kazino “Admiral” dhe pasi janë konfliktuar me badiguardin, shtetasin me inicialet F. M., 26 vjeç, banues në lagjen Nr. 14, e kanë plagosur me thikë. Më pas dy të rinjtë kanë tentuar të vjedhin dhe një automjet, por janë kapur nga efektivët e policisë. I dëmtuari pas mjekimeve të marra në Spitalin e Durrësit është larguar për në banesën e tij dhe nuk ka rrezik për jetën. Policia tha se, pas arrestimit të dy të rinjve, po punohet për identifikimin dhe kapjen e personit të tretë të përfshirë si autor në këtë ngjarje. Dosja me materialet për veprat penale të “vjedhjes”, “plagosjes së lehtë me dashje”, “shkatërrimit të pronës” dhe “prishjes së qetësisë publike”, i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Nën hetim për disa vrasje, lihet në qeli Verdha
POGRADEC - I shumëkërkuari që shkëmbeu zjarr me policinë pak ditë më parë në Pogradec, është lënë në “arrest me burg” nga Gjykata e Pogradecit. Myfteri Verdha, 45 vjeç, është i dyshuar për disa vrasje që kanë ndodhur ne këtë qytet që nga viti 2001. Në banesën e Verdhës policia sekuestroi tre pistoleta, një automatik, si dhe municione te tjera. Verdha u akuzua edhe në vitin 2001, si autor i një vrasjeje, por arriti t'i shpëtojë qelisë për mungesë provash. Gjatë arrestimit të tij, ai i rezistoi policisë për gati dy orë duke qëlluar dhe me armë. Përplasja ndodhi teksa forcat e policisë kanë tentuar të arrestojnë Myfteri Verdhën. Ky i fundit ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake. Në momentin që forcat e policisë kishin rrethuar banesën e 45-vjeçarit në fshatin Leshnicë, kanë hasur në rezistencën e tij. Sapo ka parë forcat e policisë, i kërkuari Myfteri Verdha ka qëlluar në drejtim të tyre, shkëmbim zjarri që ka vijuar për 2 orë, deri në arrestimin e tij. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga të shtënat me armë, ndërsa policia ka vijuar kontrollet dhe në banesën e 45-vjeçarit.
Trafiku i drogës, shtatë shqiptarë arrestohen në Greqi
ATHINË - Shtatë emigrantë shqiptarë janë vënë në pranga nga policia greke pasi akuzohen për trafik lëndësh narkotike. Policia helene ka bërë të ditur se të arrestuarit janë, katër meshkuj dhe tre femra. Prangosja e tyre është bërë në lagjen Nikea të kryeqytetit helen, Athinë, ku emigrantët janë kapur në flagrancë teksa po shisnin lëndën narkotike. Sipas policisë, 3 çiftet dhe një person tjetër kanë rënë në pranga pasi në banesat e tyre janë gjetur lëndë narkotike. Në banesën e njërit prej tre çifteve, u gjetën dhe sekuestruan 200 kilogram hashash, lëndë narkotike e dalë nga Shqipëria. Policia njoftoi se femrat kishin krijuar dyshime. Të arrestuarit ishin nën vëzhgim prej 4 muajsh dhe pas operacionit të policisë u vërtetua aktiviteti i tyre në trafikimin e lëndëve narkotike.
Shqiptarë e rumunë, në pranga për 2 kg heroinë
ATHINË - Në pranga kanë rënë mbrëmjen e kaluar dy të rinj shqiptarë, 20 dhe 22 vjeç dhe një vajzë nga Rumania 18 vjeçe, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin prej shumë muajsh lëndë narkotike heroinë, në qytetin e Larisës. Kreu i grupit ishte 22-vjeçari shqiptar i cili, sipas policisë kishte edhe lidhjet me grupet e tjera të trafikantëve nga ku merrte drogën. Në banesën e tyre ku jetonin tre të rinjtë, u gjetën dhe sekuestruan: 11 qese me heroinë, pesha totale e së cilës ishte 2.976,7 gram. Gjithashtu u bllokuan dhe 2 qese të vogla me kokainë me peshë 1.1 gram, 1 peshore elektronike, 4 celularë, 1 kontratë shtëpie, 10 paketa cigare bosh të cilat i përdornin për të vendosur lëndën narkotike dhe 420 euro.
17 Korrik 2010