E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësimi klandestin i gjuhës italiane

Sfida brenda burgjeve komuniste/ Sabri Cevani rrëfen lidhur me kohën kur vuajti dënimin për futje të metodave vetadministruese në ekonomi. Gjatë kohës së burgut, letra e tij drejtuar Ilir Hoxhës u kap nga shërbimet sekrete


81-vjçari Sabri Cevani është tashmë një pensionist që prej kohësh kalon vitet e pleqërisë në qytetin e Durrësit dhe duke qenë se ka pasur një jetë shumë intensive ai vazhdon të jetë një arkiv i gjallë i shumë situatave të kaluara. Ai ka kryer detyra të rëndësishme në drejtimin e sektorëve me peshë të ekonomisë.


Por më pas ka kaluar disa vite në burgjet e diktaturës nën akuzën e futjes së metodave vetadministruese në ekonomi. Arrestimi i tij qe bërë vetëm 10 ditë pasi ishte dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhrin "Për Punë të Shquar në Ekonominë bujqësore të Klasit të Parë", me motivacionin: "Për punë të palodhur në organizimin dhe drejtimin në mënyrë shkencore të punës në kooperativën Bujqësore të Lekajt dhe për rezultatet e arritura në plotësimin dhe tejkalimin e detyrave të planit".


Në banesën e vet ai ruan një metodë me 200 faqe të gjuhës italiane të shoqëruar me fjalorin përkatës të cilin e ka përgatitur në burgun ku ai me disa miq të besuar organizoi kurse klandestine të mësimit të gjuhës italiane.


Fjalori është i shkruar mbi fletët e regjistrave të burgut dhe i mbështjellë me karton të asaj periudhe. Nga lloji i kartonit duhet të jetë prodhim i fabrikës së letrës së qytetit të Kavajës. Sabriu ka nxjerrë nga burgu fashikuj, materialet e metodës dhe të fjalorit dhe e ka dërguar me njerëz të besuar në familjen e tij.


Po edhe dërgimi ka qenë i vështirë pasi një kontroll mund t'i kushtonte shtrenjtë si atij vetë, ashtu edhe personit të besuar që do të bënte transportimin e këtij materiali, pasi i kishte ndodhur incident me të nipin kur rastësisht atij i kishte dhënë për të postuar një letër për djalin e Enver Hoxhës, Ilirin.


Ai sjell ekskluzivisht për "Shekullin" kujtimet e veta se si ka funksionuar mësimi i gjuhës së huaj në një ndër burgjet e periudhës së komunizmit si dhe disa raste kujtimesh pikante se si pervçse fjalën e drejtpërdrejtë, atij i kishin ndaluar edhe ankimin me letra për instancat e larta të partisë dhe shtetit të asaj periudhe.


Fjalorin ai e ruan sot si dëshmi të viteve të vështira që flet me gjuhë alegorike mbi kurajën e shumë personave të asaj periudhe për të sfiduar diktaturën edhe në qendrën e burgjeve të saj nëpërmjet asimilimit të gjuhëve të huaja si simbolin e kulturës së perëndimit...


Sabriu thotë se ka qenë fat i madh moszbulimi i funksionimit të atij kursit klandestin, pasi i gjithë grupi mund të ridënohej me shumë vite të tjera nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës... Ndonëse 81-vjçar e me gjithë vitet e vështira që ka mbajtur mbi supe, Sabriu gëzon një kujtesë së shkëlqyer sot e kësaj dite...


Italishtja e burgut


Ish-drejtori i UMB- së së Durrësit dhe i shumë sektorëve të tjerë të ekonomisë së asaj periudhe, thotë: "Kur njeriu binte në burg, duhej gjetur një mënyre për t'u vrarë koha që nuk lëvizte kollaj në ato ambiente.


Për këtë në jetën e burgut ishte i domosdoshëm përditësimi për gjithçka ndodhte jashtë dhe për t'u përgatitur që pas lirimit të ishim sa më të përgatitur që të përballonim diferencimin e ashpër klasor.


Ne qëlluam një grup intelektualësh që i besonim njëri-tjetrit dhe kishim krijuar njëfarë lidhjeje dhe pas disa kohësh vendosëm që të fillonim e të përvetësonim gjuhën italiane. Këta miq ishin doktori i burgut E.H., veterinari T.B., me të cilin kisha pasur njohje që më pare, si dhe rreth 5 vetë të tjerë. Materialin na e gjeti miku im dhe unë e mora dhe e përpunova.


Në atë periudhë punoja në degën teknike të burgut duke qenë se isha agronom dhe kisha drejtuar sektorë të rëndësishëm ekonomikë. Italishten, - thotë Sabriu, - e njihja që i ri por edhe për arsye profesionale kur isha drejtor në UMB-në e Durrësit, isha abonuar dhe përdorja një revistë italiane "Informatore Agraria", e cila kishte mjaft material ndihmës që na ndihmonte për të gjetur metoda progresive në punën tonë, por edhe më kishte ndihmuar mjaft në pasurimin e fjalorit të kësaj gjuhe si dhe në komunikimin e nevojshëm me personat që e dinin rrjedhshëm.


Për këtë, pasi na ra në dorë edhe një material tip metode profesionale (këtë na e siguroi miku im që ishte veteriner në kampin e punës), fillova të përgatis mterialet për t'i përdorur me miqtë e mi të vuajtjeve.


Skema e mësimit


Duke qenë se ishte brenda në burg, ne nuk mund të organizoheshim të gjithë së bashku dhe të mësonim sipas mënyrave tradicionale të kurseve që hapeshin jashtë burgut, pasi kjo lloj mbledhjeje do të binte në sy të operativit, i cili për të mos ia ngrënë hakun, - kujton Sabriu, - ishte një nga njerëzit më të pashpirt që kam parë në jetë.


Për të shmangur syrin e tij vigjilent, ne realizuam një skemë mësimi individuale me secilin. Kur punoja në zyrën teknike, përgatisja në copa letrash që i shkëpusja nga regjistrat dhe fletët e ndryshme që përdornim, pjesë të rregullave gramatikore të gjuhës italiane të shoqëruara edhe me fjalorin përkatës.


Dhe takoheshim në zona te ndryshme, sidomos kur ishte periudha e punës dhe unë dilja edhe për kontrollin në terren të këtyre punimeve. Atje gjenim vend për t'u takuar dhe per të biseduar e mësuar kështu edhe italishten.


Pasi kontrolloja përparimin e tyre gjuhësor, u shpjegoja "nxënësve" të mi, miq të burgut përsëri gjërat e paqarta dhe të papërvetësuara siç duhej prej tyre, dhe u lija detyra për takimin tjetër. Pas kësaj përgatitesha sërish me një skedë letër ku hidhja detyrat dhe materialet që do të përvetësoheshin në të ardhmen.


Më pas, - kujton instruktori i italishtes së burgut, - fillova që të hedh në fletë të pastër metodën dhe fjalorin bashkëngjitur asaj, pasi ishte mbase dhe një kujtim i çmuar si dhe një sfidë e jetës sime që doja ta ruaja në bibliotekën time e ta kisha për gjithë jetën..."


Posta klandestine


Sabriu thotë se filloi t'i pregatiste fashikuj-fashikuj pjesët e metodës së përdorur të gjuhës italiane dhe kur i jepej rasti, ia dërgonte familjes së tij, të cilët i kishte porositur që t'ia ruanin sa më mirë.


"Fletët e metodës i kam nxjerrë me fashikuj të vçantë që ua jepja njerëzve që vinin herë pas here të më vizitonin në burg", thotë më tej Sabriu. Një prej tyre ishte Sami Nela nga Kavaja, të cilit në një rast i kam dhënë një fletore të qepur me këto fletë. Kështu u veprua derisa u mblodh i tërë volumi i punës sime te atjeshme.


Por, në këtë lloj postimi duhej të bëja kujdes se mund edhe t'i kontrollonin në rrugë. Pasi një letër që ia kisha nisur Ilir Hoxhës me një mikun tim, ma kontrolluan dhe e kthyen në rrugë.


Kontrolli në rrugë


Sabriu thotë se kur ishte drejtor në UMB-në e Durrësit ai kishte pasur vartës djalin e Enver Hoxhës, Ilirin.


"Duke pasur njohje të drejtpërdrejtë nga periudha kur ai kishte punuar me mua si inxhinier në Zyrën e Projektimit, vendosa që t'i shkruaj një letër dhe t'i ankohesha për tendencat dhe padrejtesitë që më ishin bërë nga drejtësia e asaj kohe duke më dënuar në mënyre të padrejtë", rrëfen 81-vjçari. Për këtë, ai shfrytëzoi rastin me nipin e vet Fadil Hoxha që i erdhi per vizitë dhe ia nisi letrën.


Por, pas pak orësh ia kthyen prapa me gjithë nipin. Kur e kujton tani, Sabriu qesh. Ai thotë se letrën për Ilir Hoxhën ia dha si njeri i besuar të nipit Fadilit. "Pasi i dhashë porosi që të ma postonte nga Durrësi, u përqafuam dhe ai u nis.


Me sa duket, dyshuan dhe i ishin qepur mbrapa oficeret e sigurimit të cilët e kishin ndaluar dhe e kontrolluan në rrugë. Pasi i gjejnë letrën dhe ia marrin, e sjellin mbrapsht së bashku me këtë letër dhe me thërrasin në komandën e burgut, ku edhe më ballafaqojnë.


Nipi s'e kishte pranuar që ia kisha dhënë unë letrën. Kur ma treguan, dhe e pashë situatën, u thashë: "Djalit të Enver Hoxhës i kam shkruar letër, as atij nuk kam të drejtë t'i shkruaj?!"


Pas kësaj ngjarjeje, Sabriu thotë se i erdhi një oficer i hetuesisë speciale të Tiranës dhe i tha se të gjitha letrat e ankimet që kishte bërë ai, i kishte në dosje. "Mos bëj gabim të shkruash më, se të gropos", ishin fjalët e oficerit...


Në këtë klimë vëzhgimi u shkrua dhe u dërgua në familjen e tij edhe libri i kurseve klandestine të gjuhës italiane në një prej burgjeve të vendit në periudhën e sistemit totalitar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›