Pronat e Delijorgjit, Strasburgu, letër-këmbim me shtetin shqiptar
Pronat e sekuestruara të Mihal Delijorgjit bëhen objekt i një letër-këmbimi mes Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe shtetit shqiptar. Pas padisë së dërguar në Strasburg nga Mihal dhe Vjollca Delijorgji, si dhe dy kompanitë e tyre kundër shtetit shqiptar, është kjo gjykatë që kërkon nga pala shqiptare argumentimin e vendimit të sekuestros. Pyetësori është i shpallur në faqen zyrtare të Gjykatës së Strasburgut dhe bëhet fjalë për një korrespondencë mes kësaj gjykate dhe Avokaturës së Shtetit Shqiptar. Në pyetësorin e dërguar në Shqipëri, që në shkurt të këtij viti, gjykata e Strasburgut kërkon shpjegime në lidhje me tre elementë kryesorë. Së pari, gjykata e Strasburgut kërkon të informohet në mënyrë të hollësishme në lidhje me mënyrën se si shteti shqiptar ka garantuar paprekshmërinë e interesave të ortakëve dhe aksionerëve të tjerë në kompanitë e Mihal Delijorgjit dhe se çfarë masash ka marrë shteti për të mos dëmtuar punën e tyre si pjesë integrale e këtyre kompanive. Së dyti, Gjykata e Strasburgut ka kërkuar të dhëna zyrtare në lidhje me procesin gjyqësor shqiptar, ku u vendos masa e sekuestros. Në lidhje me këtë proces, kjo gjykatë ka kërkuar nëse Delijorgjit dhe kompanive të biznesit u është dhënë e drejta në gjyqin e sekuestros për të paraqitur pretendimet e tyre. Pika e tretë ku është fokusuar Gjykata e Strasburgut ka lidhje me një aspekt të jetës private të Mihal Delijorgjit. Ky i fundit ka dy fëmijë nga martesa e tij e parë, të cilët jetojnë në Greqi, ndërsa me vendim të gjykatës greke Delijorgji ka detyrimin për dhënien e një kuote mujore për dy fëmijët e tij. Gjykata e Strasburgut ka kërkuar në mënyrë specifike shpjegime nëse është marrë parasysh jetesa e familjarëve, gjatë sekuestrove të pasurive të Delijorgjit dhe kompanive “Përparimi” dhe “Park Konstruksion”. Në materialin paraprak të pyetësorit, të përgatitur nga Strasburgu , kjo gjykatë bën një referencë interesante, ndërsa i drejtohet me pyetje palës shqiptare. Gjykata i referohet një tjetër çështjeje të gjykuar prej saj, duke marrë si kazus referimi dhe orientimi për palën shqiptare. Bëhet fjalë për çështjen “Immobiliare Saffi kundër Italisë” dhe duke iu referuar kësaj çështjeje, gjykata kërkon shpjegime nëse shteti shqiptar ka bërë një vlerësim të drejtë dhe profesional mbi asetet e Mihal Delijorgjit në veçanti pa prekur dhe persona të tjerë. Të kontaktuar nga MAPO, avokatët e Mihal Delijorgjit janë shprehur se pyetësori i dërguar nga gjykata nuk është gjë tjetër veçse kërkim i të dhënave mbi pretendimet për shkelje që ka bërë Delijorgji, babai i tij, si dhe dy shoqëritë tregtare në ankesat e paraqitura kundër shtetit shqiptar. “Janë pikërisht pyetje që kërkojnë shpjegime për pretendimet tona. Janë shkeljet që ankuesit kanë pretenduar në GJEDNJ dhe që i kemi të dokumentuara nëpërmjet formularëve zyrtarë të ankimit. Gjykata nga ana e saj po dëgjon palën tjetër, përpara se të mbajë një qëndrim në lidhje me këto pretendime”, - thotë për MAPO-n avokatja Elira Kokona. Sipas saj, ky qëndrim i gjykatës në çështje të tilla shoqërohet edhe me akordimin e dëmshpërblimit për dëmin që shoqërive tregtare apo personave fizikë i janë krijuar nga shkelja e të drejtave të konventës, ajo e pronës apo e drejta për proces të rregullt ligjor, në rastin konkret. “Këto qëndrime duhet të jenë “kambanë alarmi” për shtetin apo komunitetin, pasi zgjatja në kohë e sekuestros, e bërë në kushte jo ligjore do të rrisë shumën e dëmit që shkakton kjo masë sekuestro, pra rritjen e dëmit që do të paguajë shteti shqiptar nëse pretendimet tona për paligjshmëri të veprimeve të prokurorisë gjenden të bazuara nga ana e Gjykatës në vendimin e saj të ardhshëm. Mendoj se në rastin konkret, ka akoma hapësira për të zvogëluar dëmin, duke u marrë masa për të vënë në vend situatën e parregullt”,- tha avokatja Elira Kokona, që së bashku me kolegët e saj ndjekin këtë çështje në Strasburg.
Avokati i Shtetit: Prokuroria refuzoi të hiqte sekuestron
Nga ana tjetër, institucioni i Avokatit të Shtetit refuzoi të komentonte mbi çështjen e Delijorgjit në Strasburg, deri në një vendim përfundimtar. Të kontaktuar nga MAPO, zyrtarë të këtij institucioni thanë se në fund të procesit dhe do të jenë të gatshëm të flasin për mediat dhe se nuk do komentojnë çështjen ndërsa është në zhvillim. Burime të rezervuara nga ky institucion i thanë MAPO-s se Avokatura e Shtetit i ka kërkuar prokurorisë heqjen e sekuestros mbi pronat e Delijorgjit pas ardhjes së këtij pyetësori, për të minimizuar detyrimin e shtetit, në rast të fitimit të çështjes nga ana e Delijorgjit, por prokuroria refuzoi ta bënte një gjë të tillë.
Pyetjet e Strasburgut për palët
A i ka konsumuar aplikanti të gjitha shkallët e ankimit në vend, siç kërkohet nga artikulli 35/1 i Konventës? Në veçanti, në çfarë rrethanash legjislacioni vendas parashikon rishikim të konfiskimit? A ka përfituar aplikanti nga ndonjë mundësi për të sfiduar vazhdimin e masës së sekuestros mbi pronat e tij?
A ka pasur ndonjë ndërhyrje në qetësinë e aplikantit për të shijuar frytet e pronave të tij, sipas kuptimit të artikullit 1 të protokollit nr.1? Nëse po, ishte ndërhyrja e nevojshme për të kontrolluar përdorimin e pronës sipas interesit të përgjithshëm? A ka krijuar kjo ndërhyrje një barrë të tepërt individuale tek aplikantët (shih Immobiliare Staffi v. Itali, nr. 22774/93/59, ECHR 1999-V? Në veçanti:
a) A bëri gjykata vendase një llogaritje të përgjithshme të pronësisë mbi të gjitha pronat apo vendosi ushtrimin e balancuar të të drejtave të të gjithë aksionerëve?
b) Në këto rrethana, zgjatja e afateve të konfiskimit është sërish e justifikuar?
c) A bëri gjykata vendase një analizë të efekteve të konfiskimit përballë nevojës së kompanive të aplikantit për të vazhduar normalisht aktivitetin apo ndikimin në cilësinë e jetës së aplikantëve dhe familjeve të tyre?
Pyetje të veçanta rreth çështjes
A patën kompanitë e aplikantit një seancë të ndershme dëgjimore, sipas të drejtave dhe detyrimeve civile, në përputhje me artikullin 6/1 të Konventës? Në veçanti:
a) A ka pasur një seancë dëgjimore publike në këtë çështje, siç kërkohet nga artikulli 6/1 i Konventës? Nëse po, a ishin kompanitë e aplikantit të njoftuara për datat e seancës dëgjimore? Nëse po, a e shfrytëzuan ata të drejtën për të marrë pjesë në këtë seancë? Nëse po, a u lejuan ata të bënin paraqitjen e tyre?
b) A apeluan kompanitë e aplikantit për ankesat e tyre sipas ligjit, përpara Gjykatës së Lartë? Nëse po, a pritet nga Gjykata e Lartë të japë arsyet e vendimit të saj, mbi këto ankime?
c) A ka gjykuar Gjykata Kushtetuese ankesa të tilla, sa i përket paanësisë në procedurat e masave të përkohshme?
Palëve u kërkohet të paraqesin edhe precedentë të ngjashëm.