E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë së minatorëve, firma heq dritat në nëntokë

Drejtoria kishte urdhëruar heqjen e energjisë elektrike në momentin kur minatorët ishin duke zbritur me ashensor drejt nivelit 14. Minatorët e tjerë përplasen me drejtorin e ndërmarrjes

BULQIZË Dy incidente, njëri pas tjetrit kanë shoqëruar dy ditët e para të grevës së urisë së minatorëve. Pak orë pasi 20 minatorë kishin nisur udhëtimin me ashensorë drejt nivelit 14, pra 1400 metra nën tokë, drejtoria e ndërmarrjes urdhëron ndërprerjen e energjisë elektrike. Kjo alarmon minatorët që kishin mbetur në zgarfellat e frikshme, por dhe kolegët e tyre që qëndronin në hyrje të pusit nr.2, për të mësuar rreth fatit të grevistëve.

Pas dy orësh, pas angazhimit të vetë minatorëve energjia rikthehet, por minatorët kërkuan që prokuroria e rrethit të nisë ndjekje penale për personat që kishin ndërmarrë një akt të tillë vandal, siç e konsiderojnë minatorët.

Përplasja

Ndërkaq incidenti i dytë ndodhi dje rreth orës 08.00, kur drejtori i ndërmarrjes, Medat Zogu, dhe administrata iu drejtuan zyrave të ACR-së. Minatorët e nervozuar se ACR nuk po i zgjidhte kërkesat e tyre boshatisën të gjitha zyrat. I vetmi që nuk po linte zyrën ishte drejtori i ndërmarrjes. Një grup minatorësh i drejtohen zyrës së tij dhe i kërkojnë të largohet me shpejtësi nga zyra, madje i kërkojnë llogari për deklaratat që ai kishte dhënë në media. “Ne nuk jemi legena siç na keni etiketuar ju, zoti drejtor” - i thanë punëtorët dhe e nxorën nga zyra. Kur ai zbriti në oborr dhe iu drejtua makinës për të lënë ndërmarrjen, punëtorët nuk e lejojnë dhe i thonë se ai mjet ishte blerë me djersën e tyre dhe se drejtori duhet të ecte në këmbë si të gjithë minatorët e Bulqizës.

Rreth orës 09.00 drejtuesit e konfederatës, Kol Nikollaj e Taf Koleci, iu prijnë minatorëve drejt pusit nr.2, aty ku minatorët kishin hyrë në grevë urie. Pas një lodhje dhe frike të madhe zbresim në 1400 metra thellësi. Ashensorët ngjanin me makineri të dala nga lufta. Uji kullonte në kokat e të gjithëve. Errësira të kallte datën. Balta e pranishme edhe në nivelet kryesore. Kontakti i parë me grevistët ishte befasues. Kryetari i grevës, Baki Bajrakatari, shprehet se nuk kishin gjetur rrugë e mjet tjetër për të bindur ACR-në se kanë të drejtë. “Fillimisht administrata e ndërmarrjes u përpoq të pengonte grevën e tonë të urisë. Madje Afrim Disha, një zyrtar i ndërmarrjes, fiku dritat dhe vuri në rrezik jetën e minatorëve dhe sigurinë e minierës. Ne do të kërkojmë largimin e gjithë administratës dhe njerëzve të tyre të afërm që shfrytëzojnë djersën dhe mundin tonë. Boll kemi toleruar, tani nuk falim aspak” - shprehet Bajraktari dhe na prezanton me të gjithë grevistët, madje dhe me Hysen Shehun. “Ai mbrëmë ka mbushur 50 vjeç dhe datëlindjen e ka ‘festuar’ mes grevistëve të tjerë” - deklaroi kryetari i grevës. Hyseni është një burrë i urtë. Duke se puna e gjatë në minierë ka qenë e vështirë. I zbehtë në fytyrë, betohet se nuk del i gjallë nga miniera në se nuk plotësohen kërkesat e minatorëve. P.HASA

Minatori “feston” datëlindjen në thellësitë e minierës

Zoti Shehu, vërtet natën e parë të grevës së urisë keni mbushur 50 vjeç?

Po. Është e vërtetë. Familja më priste të isha pranë saj, por unë vendosa të jem në thellësinë 1400 metra. Kam punuar 30 vjet si armator në Zonën D të minierës së Bulqizës dhe kurrë nuk jam paguar për punën që kam bërë. Tani kupa u mbush dhe jemi këtu ku na shihni, në kushte mjaft të rënda. Mirë do të ishte të kisha darkuar me 4 fëmijët e papunë dhe të kisha marrë urime nga ata, por ja që firma e huaj na detyroi të “festojmë” të ndarë, unë në galeritë e vdekjen e ata në shtëpi.

A keni probleme me shëndetin?

Megjithëse është dita e dytë e grevës kanë nisur problemet. Disa kanë marrje mendsh e të tjerë kanë luhatje të tensionit. Jemi në gjendje të vështirë, sepse askush nuk ka ardhur të na vizitojë. Në galeri nuk qëndrohet 8 orë dhe jo më me ditë. Në se do të vazhdojmë kështu, do të kemi probleme serioze për shëndetin. Presim mjekun t’na vizitojë, pasi ndonjëri nga minatorët mund të ketë komplikacione.

Keni patur mbështetje apo kërcënime?

Sapo kemi hyrë në nivelin 5, drejtoria e ndërmarrjes urdhëroi fikjen e dritave. Kjo na befasoi dhe shqetësoi. Shyqyr Zotit ishin shokët tanë në sipërfaqe që mundësuan rikthimin e energjisë, madje jemi të informuar se ndaj autorëve është bërë një kallëzim penal. Kërcënim duhet konsideruar fakti se në çdo hap jemi ndjekur këmba-këmbës nga njerëzit e administratës, të cilët shfrytëzojnë mundin tonë. Ne kemi mbështetjen e kolegëve tanë, të qytetarëve të Bulqizës dhe konfederatës së sindikatave. Na është ndodhur pranë presidenti Kol Nikollaj dhe Taf Koleci.

Kur do ta ndalni grevën e urisë?

Ne e kemi deklaruar se greva e urisë nuk do të niste, por fakti që firma e huaj nuk zgjidhi kërkesat tona na detyroi të ndërmerrnim një akt të tillë sublim. Ne deklarojmë se nuk dalim të gjallë nga miniera pa u plotësuar disa nga kërkesat ekonomike. Madje do të bllokojmë edhe pompat e ujit dhe gjithçka. Nuk mund të punojmë me rroga qesharake dhe pa asnjë lloj investimi në minierë. P.HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›