E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e Konomit, dosja shkon në Gjykatën e Lartë

TIRANE-Dosja e pronave të Skerdilajd Konomit, gjykatësit që u ekzekutua brutalisht në zemër të Vlorës, rikthehet sërish në Gjykatën e Lartë. Kur kanë kaluar vetëm dy javë nga vrasja e gjykatësit 33-vjeçar dhe pista kryesore e krimit janë problemet e pronësisë në Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit, në gjykatën supreme, pritet të nisë një tjetër përballje gjyqësore pikërisht për çështjen e pronës. Me 21 shtator 2011, është bërë një kërkesë për rishikimin e vendimit të formës së prerë, sipas të cilit babai i Skerdilajd Konomit dhe trashëgimtarëve të tjerë të Miltiadh Shallvarit, i ishte njohur e drejta duke iu kthyer apo kompensuar qindra hektarë tokë në zonën bregdetare të Gjirit të Lalzit. Përmes vendimit të 14 qershorit 2011, të firmosur nga kolegji penal me relator Fatos Lulon dhe anëtarë, Gani Dizdari, Besnik Imeraj, Andi Çeliku dhe Medi Bici, babai i Konomit dhe pasardhësit e tjerë të Miltiadh Shallvarit, kanë fituar të drejtën e qindra hektarëve tokë, vlera e së cilës shkon në miliona euro. Mbi bazën e këtij vendimi, vetëm një javë para se të vritej, gjykatësi babai i dy fëmijëve të vegjël, kishte udhëtuar nga Vlora në Durrës, për të bërë dhe regjistrimin në Hipotekë të këtyre pronave. Pas vdekjes së tij, pala kundërshtare e Konomit, kërkon rishikimin e vendimit të gjykatës supreme, me të cilin nuk është pajtuar asnjëherë.
Dosja e re
Pas një maratone të gjatë gjyqësore, vetëm mesqershorin e këtij viti, familja e Skerdilajd Konomit, kishte fituar të drejtën e pronës përmes një vendimi të gjykatës së Lartë. Bëhej fjalë për qindra hektarë në zonën mjaft të lakmuar nga biznesi, Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj. Skerdilajd Konomi, ditët para se të ekzekutohej po përpiqej që të bënte regjistrimin e pronës në Hipotekë. Ekzekutimi mafioz i tij ditën për diell në zemër të Vlorës, nga shpërthimi në makinën e tij i të paktën 400 gramë tritol, ndërpreu gjithçka në mes. Tashmë, dy javë pas krimit të tmerrshëm , në Gjykatën e Lartë është bërë një kërkesë nga "kundërshtarët" e gjykatësit të ndjerë Konomi, për rishikim të vendimit. Çështja e dorëzuar me 21 shtator 2011 me nr. 11111-02181-00-2011 ka si objekt "Rishikimin e vendimit nr. 2653, datë 05.10.2009 të Gjykatës se rrethit Durrës, i ndryshuar me vendimin nr. 210, date 14.06.2010 të Gjykatës se Apelit Durrës, lënë në fuqi me vendimin 1233, date 14.06.2011 të Gjykatës së Lartë. Pezullimin e ekzekutimit te vendimit nr. 2653, date 05.10.2009 të Gjykatës së rrethit Durrës". Avokatja e cila ka përfaqësuar interesat e familjeve Veveçka, Konomi, Goxhomani dhe Mima, - tha se nuk ka dijeni për këtë kërkesë. "Palët që unë përfaqësoj nuk kanë paraqitur asnjë kërkese në gjykatën e lartë. Ne nuk kemi interes të kërkojmë rishikim të vendimit, për sa kohë pala e përfaqësuar prej meje e ka fituar të drejtën e pronës", - u shpreh avokatja Flutura Kona.
Pretenduesit
Prona që më vendim gjykate iu kthye trashëgimtarëve të Miltiadh Shallvarit, mes të cilëve ishte dhe gjykatësi Skerdilajd Konomi, ka një histori të gjatë dhe mjaft të ndërlikuar që zë fill prej 1933. Atëkohë Shallvari ia kishte lënë më testament të gjithë pronën të shoqes, shtetases italiane. Kjo e fundit, Sllava Maria Ljubica Lampo ia kishte dhënë për 99 vite në përdorim një shoqërie italiane, konkretisht shoqërisë E.I.I.A. Testamenti më vonë me vendim gjykatë ishte shpallur i pavlefshëm. Ndërsa mbi bazën e ligjit "Mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve italianë dhe gjermanë të ndodhura në Shqipëri", prona i është sekuestruar Shoqërisë italiane E.I.I.A dhe ka kaluar në pronësi të shtetit. pas ndryshimeve demokratike, trashëgimtarët e Miltiadh Shallvarit kërkuan të drejtën e pronës dhe për vite të tëra qëndruan dyerve të gjykatave, duke e fituar atë vetëm me vendimin e 14 qershorit 2011, të gjykatës së Lartë. Ndërsa ky vendim thuhej se u dha fund konflikteve për pronës, në fakt nuk ka ndodhur aspak ashtu. Çështja është rikthyer prapë në gjykatën supreme dhe pritet të nisë përballja gjyqësore.

(Klodiana Lala/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›